“Nga Bill Klinton te Shvarceneger, si garuam në SHBA”, rrëfehet Gëzim Llabani: Guga vendosi shtangën në tavolinën e arbitrave

Gëzim Llabani u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Special Shqiptar në vitin 1993. Në “Special Olimpics World Games” ka qenë dy herë, por të parën nuk e harron. “Janë vite kur në Shqipëri nuk kishte Komitet Paraolimpik dhe ne ishim të parët që krijuam Komitetin Special, duke marrë pjesë në Olimpiadën ‘SHBA 1995’”, kujton Llabani në intervistën për “Panorama Sport” 29 vite më pas.

WhatsApp-Image-2024-08-28-at-22.17.05-5

Zoti Llabami, si nisi ajo veprimtari?

Ka qenë muaji maj i vitit 1993. Një vit pasi ishte krijuar Komiteti Special, organizova olimpadën e parë shqiptare. Shkolla e fëmijëve me të meta mendore te “Rruga e Elbasanit”, me Dashamir Gëzdarin pedagog dhe drejtoreshën Edlira Cangonji, dhanë një kontribut të madh. Me ata fëmijë u bashkuan edhe të ardhur nga Berati, Pogradeci, Kruja etj. Flinin në Hotel “Arbana”, ku edhe trajtoheshin.

Një organizim, ku marrin pjesë nga e gjithë Shqipëria?

Veprimtaria u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku drejtori Met Kruja i hapi dyert pa asnjë pagesë. Stadiumi plot, u mblodh e gjithë Shqipëria, pasi ata fëmijë kanë prindër dhe të afërm. Një pjesëmarrje masive e paparë, me konkurime në disa sporte si mini-futboll, atletikë, gjimnastikë, kros, tërheqje litari, basketboll, si për vajza e djem.

Erdhi ministri dorëzoi medaljet dhe diplomat. Kujtoj edhe mësuesit e angazhuar, Albert dhe Xhina Hanxhari, Musfata Tukseferin, Shaban Lundrën etj. Në shtëpi vija në 2 pas mesnate nga meraku dhe përgjegjësia që kisha.

Pas olimpiadës së parë, pati një të dytë me të ftuar special. Si e kujtoni?

Në vijim, po në Tiranë, organizova të dytën. Gjërat ishin më ndryshe. Të pranishëm ishin edhe dy amerikanë, pas një ftese që i kishim bërë ne. U çuditën nga organizimi shumë i mirë. Më dorëzuan dhjetë kartona në gjuhën angleze, që autorizonin persona të angazhoheshin dhe ndihmonin njerëzit paraplegjikë. Një të tillë ja dhashë Arben Guraziut, asokohe sekretari federatës së atletikës, i cili u nis në SHBA, ku filloi punën në këtë fushë.

Si përballohej nga ana financiare aktiviteti?

Nga donatorë, dashamirës, beznesmenë u mblodh një shumë e madhe rreth 40 milion lekë, me të cilat u blenë materiale sportive, gjithçka në dispozicion të fëmijëve. Një kontribut të madh ka dhënë Koço Gaba, drejtor i Tatimeve të Tiranës, që kishte një fëmijë me të tilla probleme.

Me të edhe Ilir Fortuzi, shumë djalë korrekt. Tre ditë, aktivitete sportive, organizonim darka, mbrëmje festive, çdo qytet me autobusin e tij dhe Kryetarin Special si përgjegjës. Ishte koha pa kompjutera, me komunikim primitiv me botën, kur një burrë që shërbente në mjedisin ku ishin federatat, më thotë, se të ka ardhur një ftesë për Olimpiadën “SHBA 1995”.

Ishte në emrin tim, pasi amerikanët më quanin drejtor nacional, kështu më vinin edhe letrat. Ja tregova kryesisë, vendosëm të merrnim pjesë. Kërkonte një angazhim të madh, përgatitje, përgjegjësi. Problem në atë fillim ishin edhe vizat, por që ambasada amerikane nuk hezitoi për asnjë çast, teksa u tregua e gatshme në çdo moment për të dhënë ndihmën e saj.

Po me përzgjedhjen si u veprua?

Do konkurohej në atletikë, not, shtangë, tërhqeje litari, peshëngritje dhe pinpong. Nisur nga kriteret u përzgjodhën Vasil Guga në shtangë, në atletikë Gjergji Dëma, Ivi Gaba, Majlinda Thaçi dhe Artan Kodheli. Ndërsa si grup shoqërues isha unë dhe i ndjeri Dashamir Gëzdari, që shoqëronte dy fëmijë nga shkolla e tij.

Gjithashtu Sabri Bejleri, specialist i njohur në rolin e trainerit dhe disa prindër, mamaja e Gjergj Demës si pedagoge, por edhe Astrit Kondo e Koço Gabën, i cili është babai i Ivit. Nuk kishim mjek. Zhvilluam pak seanca me cikël të vogël stërvitor disa ditor në pistën e “Qemal Stafës”, ndërsa Vasili me shtangë te palestra.

Nga nisja te udhëtimi dhe sistemimi në SHBA. Çfarë kujtoni?

Kujtoj që për këtë pjesëmarrje një ndihmë dha edhe Komiteti Olimpik Shqiptar, me zotin Arben Jorgoni. U nisëm dhjete ditë përpara, me linjën TiranëMynih-Boston. Aktiviteti do të zhvillohej mes Bostonit dhe Nju Jorkut. Aty kishim edhe vendqëndrimin, na shpërndanë në disa familje, ndër to edhe shqiptare, të larguara prej kohësh. Kur filluan garat na futën në konviktin e një shkolle, ku shërbenin shumë instruktore, me personel dhe përkujdesje të madhe.

Nuk mungonin as personalitete, deri edhe tek aktorë të njohur?

Në ceremoninë hapëse erdhën Bill Klinton, Presidenti i SHBA-së, Peleja i Brazilit, aktori Arnold Shvarceneger etj. Pati një moment kur me dëshirën për t’i takuar, të githë u nisën drejt tyre. Na humbën nga vëmendje edhe tanët, ndonëse kishim mjet identifikimi. Por, ishte policia me kuaj e biçikleta, që kontrollonte dhe mbante rregull për gjithçka.

Olimpiadën e financonte vjehrra e Shvarcenegerit, në atë kohë me shumë famë si aktor i filmit Terminator. Parakaluam të parët me tabelën Albania që e mbante një vajzë amerikane, ndërsa flamurin tonë, Majlinda Thaçi, e shoqëruar nga Gëzdari dhe Kondo. Pas tyre vijonte grupi ynë.

Cilat ishin rezultatet e sportistëve shqiptarë?

U zhvillua një olimpiadë e rregullt. Vasil Guga, person i njohur në Tiranë, i fuqishëm, konkuroi në shtangë në peshën e rëndë, mbi 80 kg. Garimi kishte një stil të veçantë, kur shtanga ngrihej deri në bel. Në provën e parë gjyqtaria i dha faull dhe ai i revoltuar, morri shtangën ja çoi në tavolinë atyre. Ndërhyri Sabriu, e qetësoi dhe në provën tjetër e ngriti. Ja shtuan peshën dhe e ngriti përsëri. Me 45 kg siguroi medalje të artë. Po kështu edhe Ivi Gaba në 100 metra, medalje e artë. Të gjithë u përfaqësuan shumë mirë.

Dikush ka menduar për një dhuratë të veçantë edhe për ju apo jo…?

Në takimet që bënin personalitet e Amerikës, të pranishëm sistematikisht aty, na thanë që të gjithë kryetarve të Komitetit Olimpik Special të pranishëm aty do t’i japin një dhuratë simbolike personalisht nga presidenti Klinton. U shoqërua me duatrokitje kur na i dorëzuan. E ruaj edhe sot. Në mbyllje na rrështuan në stadium, na falenderuan për pjesëmarrje, ishin përsëri Pele, Shvarceneger, Çak Norris dhe Sergej Bubka. Sigurisht, edhe të gjithë organizatorët, presidentja Eunice Kenedi Shriver, ajo që edhe e ka themeluar këtë organizëm. Takonin çdo delegacion.

Më pas ka edhe një herë të dytë dhe të tretë, çfarë ndodhi?

Në Amerikë u riktheva më 1998, i ftuar në një seminar në Çikago. Pastaj në qershor të 1999, në Lojërat Olimpike Speciale të radhës, që u zhvilluan në Karolinën e Veriut. Një grup nga ministrja Arta Dade, komentatori Ismet Bellova dhe me të tjerë sportistë garues. Aty kam një detaj që nuk e harroj: Ndërsa përgatitej gara në not, në një pishinë 25 metra të mbuluar, për ne konkuronte një vajzë nga Shiroka, Juliana Daka.

Pranë saj u afruan disa organizatorë amerikanë, duke i dhënë tre-katër pako të mëdha. “Këto dhurata janë për ju, Juliana, pasi sot keni datëlindjen, mbushni 18 vjeç” i thanë dhe që u dëgjua nga altoparlantët e fuqishëm. U befasuan të të gjithë, ne sigurisht, pasi nuk dinim asgjë. Sa veprim human, shumë korrekt, emocion i madh.

Nga UVIL ZAJMI

Exit mobile version