Nga Çadra e Lirisë nis marshimi i Republikës së Re

Kryetari i PD, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë shqiptarëve që në 90 ditë qëndresë në sheshin e lirisë bënë të mundur përmes bashkimit të tyre fitoren e kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha deklaroi se tashmë PD me aletatët, bashkë me lëvizjen popullore do të përballen deri në fund me të keqen që aktualisht qeveris për t’i dhënë vendit një Republikë të re, ku pushteti do të jetë në duart e qytetarëve. “Plot 90 ditë më parë ju nisët një rrugëtim epik, qytetar, patriotik, demokratik, paqësor, europian dhe të vendosur për të mos pranuar më, me kokën poshtë gjendjen e mjerë të vendit, për të treguar të vërtetat tuaja, të familjeve tuaja dhe të mbarë Shqipërisë, para çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje, për t’i treguar botës mbarë të vërtetën e dhembshme të Shqipërisë, nën zgjedhën e drogës, krimit dhe korrupsionit. Ju u bashkuat 90 ditë më parë në këtë shesh. Në këtë shesh i treguat për 90 ditë e 90 netë me radhë Shqipërisë, Europës e mbarë botës se shpresa nuk ka vdekur, se kurajoja triumfon mbi frikën dhe se drita e të vërtetës dhe drita e forcës së të pathyeshmes e një populli të tërë për demokraci të vërtetë do të ndriçojë anembanë atdheut tonë. 90 ditë më parë ne u mblodhëm këtu në një vend të pashpresë, në një vend të pazot. Ne u mblodhëm këtu me kurajon e gjithsecilit prej jush dhe të gjithë bashkë me kurajon e kësaj lëvizje, këtij bashkimi, më të madhin të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nisëm qëndresën tonë të bashkuar. 90 ditë më parë ju ishit shpirti i qëndresës, refuzimi i të keqes. Deri sot ju ishit shpresa e çdo shqiptari dhe Shqipërisë. Por sot ne jemi e ardhmja e Shqipërisë europiane. Ajo që ju ndezët në zemër të kryeqytetit, në zemër të Shqipërisë, është flaka e pavdekshme e shpresës tek e nesërmja që po vjen. Me forcën e kauzës tonë të drejtë, me pathyeshmërinë e qëndresës tuaj epike, kjo lëvizje shembi sot muret e kështjellës së mykur të republikës së vjetër. Muret e kështjellës së mykur të republikës së vjetër ranë vetëm prej qëndresës së kurajos tuaj. Askush nuk iu trembi dot, askush nuk na shtangu dot, askush nuk na kthen dot nga rruga që kemi nisur. 90 ditë dhe Shqipëria tashmë nuk është siç ishte më parë, por 37 ditët e ardhshme kjo lëvizje nuk do të ulet, nuk do të shpërndahet, por do të marshojë në çdo cep të Shqipërisë. Kështjella e republikës së vjetër do të bjerë përfundimisht me bashkimin e zemrave tuaja fitimtare”, tha Basha. Kreu i PD, tha se, “Bashkë me betejën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme ne do të vazhdojmë deri në fund projektin tonë të madh të Republikës së re, republikës së qytetarëve shqiptarë, republikës që do t’i japë komplotit politik dhe ekonomik që e ka sunduar këtë vend, e ka rrënuar ekonominë e saj dhe i ka varfëruar shqiptarët deri në palcë. Përmes dialogut politik që u detyrua dhe u bë realitet vetëm falë imponimit të qëndresës dhe bashkimit tuaj, Republika e vjetër ka pranuar rrugën institucionale të asgjësimit të saj për t’i hapur vend ëndrrës suaj të Republikës së re. Kjo është domethënia e angazhimit për reformën kushtetuese. Angazhimi për Reformën Kushtetuese nuk janë thjesht dy fjalë në një letër të bardhë, por është flamuri i Republikës së vjetër para vendosmërisë sonë që kurrë më ky vend mos sundohet nga komploti ekonomik dhe politik, që kurrë më politika të mos jetë teatër kukullash për qytetarët dhe burim pasurie dhe pushteti për pushtetarët, reforma kushtetuese është vetë shtrati kushtetues që ju premtova ditën e shtunë për të ndërtuar së bashku një shtet dhe një shoqëri ku pushteti, pasuritë, të ardhurat dhe fati juaj të jetë njëherë e përgjithmonë vetëm në dorën tuaj. E dinë të gjithë, e dini ju, e di unë, e dinë ata, e di bota mbarë se ky shesh dhe kjo lëvizje është e reja që do të zëvendësojë njëherë e përgjithmonë të vjetrën. Asnjë tërheqje dhe asnjë kompromis nuk do të ketë me të keqen që kapi vendin për fyti, por do të ketë përballje totale përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për t’i dhënë shqiptarëve një Shqipëri të çliruar nga droga, të çliruar nga krimi, të çliruar nga korrupsioni. Një Shqipëri ku fermerët shqiptarë nuk do të kenë zgjedhje mes largimit, falimentimit dhe hashashit, por do të kenë mbështetje direkte me fonde dhe subvencione”.

25 qershori do të jetë fitorja e madhe e shqiptarëve

Misioni i lëvizjes popullore do të vijojë deri në fitoren e Republikës së re. “Kërkesat dhe këshillat tuaja, nuk kanë rënë në vesh të shurdhër, Republika e re do të zëvendësojë elitën kriminale të republikës së vjetër me elitën e vërtetë, me intelektualët, me pedagogët, me profesorët, me artistët, me sportistët, me shtresën e mesme, motorin e zhvillimit të shoqërisë. Për të gjitha këto kjo lëvizje që nisi më datë 18 shkurt, jo kurrsesi nuk mund ta mbarojë sonte misionin e saj. Jo kurrsesi nuk mund ta mbarojë sot misionin e saj historik. 90 ditët e ndritura të bashkimit dhe qëndresës tonë epike janë krenaria, shpresa dhe kurajoja e një shoqërie të tërë, janë prova se e vetmja vlerë që e mund të keqen, e vetmja garanci që nxjerr një shoqëri nga errësira drejt dritës, është vetë bashkimi ynë, është vetë bashkimi juaj, është kurajoja juaj. Ndaj dinjiteti, kurajoja, trimëria, shpresa dhe guximi me të cilën keni investuar në këtë shesh të lirisë, mendjet e shpirtrat e çdo shqiptari, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, janë asetet dhe garancitë e fitores së padiskutueshme e Republikës së re më 25 qershor, e fitores së madhe, jo thjesht e zgjedhjeve të radhës, por fitores tuaj, fitores së shpresës mbi dëshpërimin, të resë mbi të vjetrën, të shqiptarëve mbi oligarkinë dhe pushtetin e inkriminuar, mbi drogën dhe krimin”, tha Basha.

PD gati të marrë përgjegjësitë e Republikës së re

Basha tha se kjo do të jetë fitorja më e bukur, pasi do të jetë fitorja e gjithë shqiptarëve, ndërsa shprehu gatishmërinë e PD për të marrë përgjegjësitë e Republikës së re. “Sepse ndonëse do të jetë fitorja me siglën e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë së ndryshimeve historike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe aleatëve tanë të çmuar, të cilëve iu shpreh mirënjohjen time më të thellë, ajo në fakt do t’i përkasë gjithsecilit prej jush. Kjo është fjala juaj, ky është vendimi juaj, kjo është zotimi im në këtë tempull të shenjtë para jush dhe para Zotit. Sakrifica juaj hapi një horizont të paimagjinueshëm tre muaj më parë. E di se nuk jeni lodhur, përkundrazi jeni edhe më të fortë, keni edhe më shumë besim tek vetja dhe tek njëri-tjetri. Betejat që kemi fituar deri më sot janë dëshmi se kjo lëvizje, bashkë me të Partia Demokratike dhe aleatët tanë janë më shumë, më të fortë dhe më të gatshëm se kurrë për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes së Republikës së re. Ndaj duke shndërruar gjithë Shqipërinë, duke shndërruar gjithë atdheun tonë, qytetet, lagjet e qyteteve dhe fshatrat tona, sheshet dhe rrugët tona, le t’i shndërrojmë në sheshe të lirisë si ky tempull. Mos ta ndalim asnjë çast marshin tonë drejt Republikës së re, drejt fitores së çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje. Zoti ju bekoftë ju kampionë të lirisë, kampionë për zgjedhje të lira e të ndershme, themelues të Republikës së re! Zoti e bekoftë çdo shqiptar që pret të lirohet nga vargonjtë e të shkuarës dhe të jetë qytetar me të drejta të plota i Republikës së re!”, u shpreh kreu i PD.

Paga të larta, taksa të ulëta, punësim

Basha foli dje për programin e PD mbi rritjen e pagave, pensioneve, hapjen e vendeve të punës, si dhe uljen e taksave. Një Shqipëri dhe një Republikë për 650 mijë pensionistët shqiptarë bashkë me të cilët do të shembim kështjellën e mykur të republikës së vjetër e përmes Republikës së re, do t’i dorëzojmë të drejtën e tyre, paratë e republikës së vjetër që sot e kësaj dite vazhdojnë të zhduken në xhepat e oligarkëve, do të kthehen në një pension minimal prej 250 mijë lekësh në muaj për ta. Biznesi i vogël, përfaqësuesit e të cilit po kështu, i dhanë këtij sheshi dhe kësaj agore të vërtetën e dhembshme të një ekonomie në krizë totale. Duhet ta dinë se dita e parë e Republikës së re do të jetë dita e çlirimit njëherë e përgjithmonë nga taksat e larta dhe zuzarëzia e taksidarëve dhe inspektorëve të qeverisë. Qindra mijëra të punësuar në sektorin privat, do të njohin paga më të larta dhe siguri më të lartë në vendet e tyre të punës, me taksën më të ulët në Ballkan, taksën e sheshtë 9%, e cila do të rikthejë ekonominë tonë  dhe ekonominë e çdo shqiptari në kushtet e konkurrencës dhe do të çlirojë pozitivitetin, do të çlirojë energjinë e biznesit, anembanë ekonomisë sonë kombëtare.

Mbështetje konkrete për studentët, të rinjtë e fëmijët

Një program i qartë në mbështetje të të rinjve, studentëve e fëmijëve. “Të rinjtë dhe të rejat, studentet dhe studentët që kanë qenë prej ditës së parë balli i lëvizjes sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me votën, me qëndresën e tyre, do të përcaktojmë shtatorin e ardhshëm, si muajin e ligjit të ri për arsimin e lartë, me tarifa të reduktuar, me mundësi për çdo student, me autonomi të plotë universitare dhe me stazhe të paguara nga Republika e re për 10 mijë studentë, bijë e bija shqiptarësh çdo vit. Askush nuk do të jetë më fatlum në Republikën e re se fëmijët e shqiptarëve, drita jonë e syrit. Kur kështjella e shembur e republikës së vjetër të zërë brenda oligarkët dhe pushtetarët e korruptuar, arkat e tyre të vjedhura padrejtësisht shqiptarëve, do të mbështesim financiarisht çdo fëmijë shqiptar me një shumë prej 30 mijë lekësh në muaj. Një sistem arsimor modern do të shtrihet anembanë vendit për t’i garantuar çdo prindi shqiptar kujdesin maksimal, përfshi drekën në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Shqipërisë dhe qetësinë e mendjes se fëmijët e tyre nuk do të enden rrugëve, por do të dalin njëkohësisht me ta për t’u bashkuar në vatrat familjare me standardet europiane të arsimit në Republikën e re”, tha Basha.

Fund padrejtësive ndaj të përndjekurve dhe pronarëve

Basha garantoi të përndjekurit dhe pronarët, se “Republika e re do t’i japë fund padrejtësisë që kurrë nuk mori fund për ju me kompensimin e plotë me vlerën e tregut, me dëmshpërblimin financiar dhe moral tuajin, krenaria e historisë tonë të dhembshme, balli i protestës dhe qëndresës tonë. E vrau frikën ky bashkim i madh dhe për herë të parë, intelektualët, elita e mendjes dhe e shpirtit e dëgjoi zërin e popullit të vet ditë për ditë e natë për natë në këtë agorë buçonte zëri i pacensuruar, zëri i elitës shqiptare”.

Kjo është vetëm nxehja, ndeshja fillon pas një jave

Republika e re nuk është thjesht dhe vetëm objektivi i PD, nuk është thjesht dhe vetëm shpallja e pakthyeshme e 13 majit nga ky shesh i lirisë, por tha Basha, është realiteti që ka ardhur e do të jetësohet përmes qëndresës, vullnetit tonë dhe votës së qytetarëve shqiptarë për programin dhe ekipin e Republikës së re, më 25 qershor. “Kurrë më parë në këto 27 vite që nga përmbysja e diktaturës nuk ka njohur Europa një bashkim të tillë zemrash dhe vullnetesh si kjo lëvizje e pathyeshme dhe e pamposhtme. Sepse kjo lëvizje as nuk filloi dhe as nuk vazhdon për interesa politike apo pushtetin e një partie, apo të një aleance, apo të një personi. Kjo lëvizje, nisi për t’i kthyer pushtetin qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve shqiptarë do t’ua kthejmë. Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme u kurorëzua sot, jo në rrëzimin e qeverisë, por gjysmës së saj. Me garanci, të cilat duhet të zbatohen nga fillimi deri në fund, por beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk përfundon këtu, kjo është vetëm nxehja, ndeshja fillon pas një jave dhe ne marshojmë drejt fitores”.

Basha: Koha e zuzarëve ka marrë fund

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij të fundit nga çadra e lirisë, përpara mbylljes, i ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në këtë qëndresë maratonë, që shembullin e çadrës ta shtrijnë në çdo qytet të Shqipërisë. Basha gjatë fjalës së tij të shkurtër tha se koha e frikës, e zuzarëve dhe maskarenjve sipas tij që shesin dhe blejnë votën e shqiptarëve ka marrë fund dhe tashmë ka ardhur koha e shqiptarëve. “Nga sot nisim betejën politike për ndryshimin e Kushtetutës, ndryshimin e Kodit Zgjedhor që do të bëjnë të mundur dorëzimin e pushtetit të uzurpuar nga kupola e vjetër politike e republikës së vjetër tek qytetarët shqiptarë. Ju fitimtarët e vërtetë të kësaj beteje, bashkë me shqiptarët fituesit unanim të kësaj beteje, ju pret një tjetër mision i madh. Ta shndërrojmë të gjithë Shqipërinë në sheshin e lirisë, në çadrën e lirisë. Infektojeni gjithë Shqipërinë me kurajon tuaj, me optimizmin tuaj me besimin tuaj të patundur në fitore. Dhe kështu shesh pas sheshi, rrugë pas rruge, lagje pas lagje këtu në Tiranë, Shkodër në Lezhë, në Thumanë, Fushë Krujë, në Krujën e Gjergj Kastriotit, në Durrës, në Kavajën e demokracisë, në Lushnjën e pamposhtme, në Fier në Vlorë, Delvinë, Gjirokastër e Tepelenë, në Korçën e qytetarisë, në Elbasanin tonë të dashur, në Librazhd që bëhet gati të hedhë poshtë zgjedhën e korrupsionit dhe mashtrimit, në Gramsh e Pogradec, në Dibrën e dhunuar nga krimi, në Kukës e Tropojë, djepin e Azem Hajdarit dhe Sali Berishës. Në Mirditën e qëndresës dhe besës, dhe prap këtu në Tiranën e fitores, le ta dijë çdo shqiptar se koha e frikës ka marrë fund, se koha e zuzarëve  që ju vjedhin dhe ju blejnë votën ka marrë fund. Se koha e maskarenjve po merr fund, tani është vetëm koha e shqiptarëve. Zoti i bekoftë shqiptarët, Zoti e bekoftë Shqipërinë”.

Exit mobile version