Nga celulari i Elvis Rroshit te kuponat e naftës/ Kush janë 5 personat që po hetohen nga SPAK për krime zgjedhore

Policia e Shtetit ka publikuar të dhënat e një operacioni të urdhëruar nga SPAK lidhur me krimet zgjedhore.

Policia bën të ditur se është kryer kontroll fizik dhe në banesat e 5 shtetasve të dyshuar, ku janë sekuestruar fatura, kupona nafte, lista zgjedhësish, DVR, pistoletë manovër dhe 5 telefona celularë.

Mësohet se celularët i janë sekuestruar edhe shtetasve Tak Rroshi, Tauland Hasa, Ogerd Sinella dhe Mirel Sinella. Të gjithë këta dyshohet se janë angazhuar në procesin e blerjes së votave në ndihmë të një prej kandidatëve që garonte në listën e hapur të koalicionit PD-AMSH, i afërm i Ervis Rroshit, ish-kryebashkiakut socialist të Kavajës.

Ervis Rroshi u angazhua në zgjedhjet e 11 majit për të ndihmuar kushëririn e tij Elton Rroshi, madje duke marrë pjesë edhe në takimet publike. Nuk dihet se çfarë provash mund të ketë siguruar SPAK lidhur me hetimet e nisura, por sipas raportimeve, ish-kryebashkiaku Rroshi ishte nën vëzhgim gjatë fushatës. Hetimet nga SPAK po drejtohen nga Prokurori Ervin Kondili, ndërsa ato pritet të shtrihen edhe te persona të tjerë.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. Rr., 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.

Shtetasve O. S., 38 vjeç, T. Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë.

Ndërsa shtetasit M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.

Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë”, njoftoi Policia.

Artikulli paraprakZgjedhjet në Elbasan, fitorja që u vendos para votimit
Artikulli tjetërEdi Rama forcon sundimin autoritarist mbi Shqipërinë