Nga Dushku te 2025-a: si strategjitë zgjedhore komandojnë fituesin

Anjeza Xhaferaj

Publiku dhe një pjesë e mediave kanë rënë sërish në grackën e “votës së preferencës”. Pak ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, llogaritjet se “kush mori më shumë vota personale” po shiten si provë dashurie popullore, sikur të kishim një garë të pastër mes individësh. Por kodi i modifikuar në korrik 2024 i ka vënë kufij shumë të qartë kësaj gare: një e treta e listës është e mbyllur, dy të tretat formalisht të hapura. Që në start kryetarët çimentojnë vendet e para dhe vetëm pjesa që mbetet lihet “në dorë” të preferencës së zgjedhësve. Rezultati? Vota personale matet brenda një fushe ku vija e finishit është shënuar paraprakisht nga selitë partiake.

Rasti i Ilir Alimehmetit është simptomatik. Nëse mjeku do të ishte futur në segmentin e mbyllur të PD-së, askush nuk do ta dinte se ç’mbështetje reale kishte; do ta shihnim thjesht si “një nga emrat fitues”. Duke qenë në listën e hapur, ai grumbulloi mbi tetëmbëdhjetë mijë vota, por mbeti jashtë Kuvendit sepse partia kishte vetëm shtatë mandate të hapura në Tiranë dhe struktura u mobilizua të siguronte dikë tjetër. Kjo tregon se, edhe kur votuesi ka hapësirë të shprehë preferencën, filtrat e brendshëm të partisë mund ta zhbëjnë atë.
Nga ana tjetër, Taulant Balla në 2021 grumbulloi gati dyfishin e votave të Edi Ramës në Qarkun Elbasan, ndërsa Lulzim Basha kaloi Sali Berishën në Tiranë.

Sidoqoftë, asnjë nga këto rekorde personale nuk ndryshoi ekuilibrat e pushtetit brenda partive. Balla nuk ia mori PS-në Ramës dhe Basha nuk e mbajti dot PD-në: struktura vertikale e partisë mbetet autoriteti real që vendos kush fiton mandat, kush ngjitet në hierarki dhe kush mbetet jashtë loje.
Ky fenomen nuk është i ri. “Dushku i vogël” në 2021 dhe “Dushku i madh” në 2005 dëshmuan se një parti mund të fitojë shumicën parlamentare edhe me një rezultat modest në listën kombëtare, nëse rregullat i lejojnë të kapitalizojë mbi vota njëemërore. Asokohe PD mori rreth shtatë për qind në proporcional dhe gjithsesi formoi qeverinë. Ajo që na thonë këto precedentë është se vota individuale shpjegohet vetëm duke parë arkitekturën e sistemit zgjedhor.

Pas çdo pale zgjedhjesh vjen korri i thirrjeve për një “sistem më të mirë”. Është e kuptueshme, por duhet pranuar se modeli perfekt nuk ekziston. Nëse kalojmë në proporcional kombëtar me lista krejtësisht të hapura, partitë e mëdha do të rrisin pragun elektoral ose do të ndërtojnë skema të reja financimi për të mbajtur kontrollin. Nëse zbresim në zona edhe më të vogla, rrezikojmë t’ua dorëzojmë listat klaneve lokale dhe patronazhit rajonal. Çfarëdo formule të zgjedhim, PS dhe PD – si parti masash, me rrjete klienteliste të gjera – do të përshtatin strategjitë për të maksimizuar votat e tyre dhe për të çuar në Kuvend pikërisht ata kandidatë që u duhen.

Prandaj entuziazmi për “deputetin më të votuar” duhet të shoqërohet me një shënim kritik: numrat flasin, por vetëm brenda kornizës që kanë dizajnuar vetë partitë. Pyetja që ia vlen të shtrohet nuk është sa vota personale ka marrë një kandidat, por sa konkurrencë reale lejon sistemi dhe sa llogaridhënie u imponon strukturave partiake. Derisa këto të fundit të hapen, vota preferenciale do të mbetet një pasqyrë e pjesshme – shpesh e shtrembëruar – e realitetit tonë politik.

Exit mobile version