Partia Demokratike i kërkoi dje Ramës ti japë fund heshtjes së tij, dy javë pas publikimit të skandalit në çdo media vendase e ndërkombëtare mbi akuzat për financimin prej tij me para të pista të fushatës së Obamës në vitin 2012. Përmes një deklarate për mediat, Sekretarja e Marrëdhënieve të Publikut në PD, Grida Duma denoncoi heshtjen e Ramës ndërsa e cilësoi atë si dëshmi të përfshirjes së tij në këtë skandal.
“Shtetasi i Huaj numër 2 ose Edi Rama, që sipas FBI-së amerikane ka përfituar nga krimi federal i futjes së paligjshme të 80 mijë dollarëve në fushatën e Obamës, prej dy javësh ndodhet publikisht nën akuzë, por hesht, nuk jep asnjë sqarim.
Shtetasi i Huaj numër 2 doli nga hetimet që u bënë ndaj Bilal Shehut në Amerikë, i cili u përdor nga Edi Rama për t’i mundësuar në tetor të vitit 2012 një foto me Presidentin Obama, foto që e përdori në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013 ku erdhi në pushtet.
Për këtë krim, për futjen e parave nga një burim i huaj në fushatën presidenciale në Amerikë dhe për përfituesin, Shtetasin e Huaj numër 2, që është Edi Rama, kanë shkruar “Reuters”, “Ëashington Post”, “Zëri i Amerikës”, “Daily Mail”, “Associated Press”, “The Guardian”, pra media lider në botë e shumë të tjera. Por Edi Rama hesht” tha Duma.
Ajo theksoi se burimi i këtyre parave nga bota e drogës dhe krimit janë arsyet se përse Rama hesht dhe i fshihet transparencës ndaj publikut mbi këtë skandal.
“Hesht Shtetasi i Huaj numër 2, përfituesi i krimit federal, sepse nuk tregon dot burimin e 80 mijë dollarëve. Pse nuk e tregon dot Edi Rama se nga erdhën 80 mijë dollarët, kush është burimi, kush është donatori? A janë ato para të pista, para droge, para trafiku, para biznesi kriminal? Është kjo arsyeja pse Edi Rama hesht? Shtetasi i Huaj numër 2 nuk i ka bërë mirë llogaritë. Heshtja nuk e ndihmon të mbyllë skandalin, siç shpreson.
Përkundrazi, e rëndon edhe më shumë pozicionin e tij dhe kjo heshtje vërteton se krimin federal, Edi Rama e investoi me një tjetër krim, me futjen e parave të pista në fushatën presidenciale të Amerikës” u shpreh Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun.