Fatmir GUDA
Katër vite me radhë Edi Rama qeverisi me fabulën “fajin e ka Saliu”, duke ja faturuar kështu paraardhësit të ekzekutivit, atë që çdo kush me të drejtë do ta interpretonte si pazotësi të tij për të mbajtur lumin e premtimeve të bujshme, që u bëri shqiptarëve më 2013.
Është akoma e freskët historia e fajësimit të Saliut për të gjitha dështimet spektakolare të qeverisë së “rilindjes”: për mos bërjen e mjekësisë “falas”, për mos hapjen e 300 mijë vendeve pune, për mos përfundimin e kapitullit të legalizimeve, ndonëse u zotua dhe se do t’i bënte “falas”, për mos rritje të rrogave e pensioneve, për mos ulje të taksave, e të tjera e të tjera me rradhë. Madje edhe për mbushjen e Shqipërisë me drogë në çdo skaj gjatë 4 viteve të qeverisjes së tij edhe për kthimin e Parlamentit në strehë mbrojtje për njerëz të botës së krimit, Edi Rama përtej çdo lloj sensi, gjithashtu fajtor do deklaronte sërisht ish-Kryeministrin.
Por përveç gishtit të fajësimit, me kryeministër Ramën, rekorde tej imagjinatës do të njihte mohimi i të gjitha arritjeve të paraardhësve të tij. Kështu, gjithë periudha e qeverisjeve para 2013, do të konsiderohej nga ai fund e krye, si një dështim total, duke mos zhgënjyer as në këtë rast, ndërsa krejt selektivisht do të përzgjidhte për të linçuar shkaktar të të gjithës zotin Berisha, pa i njohur pra as edhe një kontribut të vetëm, pavarësisht edhe pse dy ndër sukseset historike të Shqipërisë së postkomunizmit në arenën ndërkombëtare, si anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave me BE mbajnë jo thjesht firmën, por padiskutim meritat dhe angazhimin e tij të pamohueshëm.
Ndërkaq Edi Rama nga ana e tij, jo vetëm është shumë i qartë, por e ka bindje të plotë, se kjo strategji, përtej asaj të aplikimit të skemës korruptive dhe kriminale të blerjes së votës, i pati atij rol të rëndësishëm për ripërtëritjen e kontratës me votuesin shqiptar, përderisa po rreket, që ndonëse me një format të ri, të vazhdojë aplikimin e saj. Në këtë kontekst ai është duke shfrytëzuar “mjeshtërisht” shtegun e hapur mes debatit prej pakënaqësisë së lindur në PD, menjëherë pas hartimit të listave të kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 2017 dhe ka orientuar gjithë median, të cilën ai e ka nën kontroll, me qëllim fabrikimin dhe më tej servirjen tek vëmendja e publikut të fabulës së re, me të njëjtën brendi, por të spostuar tashmë tek armiku i radhës, kryetari i PD. Me artikulimin “fajin e ka Basha” në një farë mënyre shefi i “rilindjes”, i cili dhe njihet për krijimin e insinuatave dhe diversioneve, për ta bërë sa më lehtë të besueshme tymnajën që do ngrinte për 4 vitet e ardhshme, do t’i duhej së pari ta mbillte këtë si një mentalitet, brenda oborrit të kundërshtarit të vet politik. Terreni mercenarist aty është gati. Një biçim suporti ndaj kontigjentit të qefmbeturve, syresh ish-eksponentë me emër në PD, që po sulmojnë pandërprerë me deklarata deri personale ndaj kryetarit demokrat, për momentin do ishte hap i mjaftueshëm për Edi Ramën.
Nëpërmjet tyre, por edhe aktivizimit më tej të opinion-bërësve, sidomos tani që është bërë fakt edhe rizgjedhja e kryetarit të demokratëve, objektiv i radhës do të jetë pikërisht bjerrja e besimit tek opozita dhe lidershipi i saj, gjë që do synohet nëpërmjet përhapjes sa më gjerë të perceptimit, sipas të cilit PD me Lulzim Bashën nuk vjen në pushtet, pavarësisht se dhe vetë opinioni publik e ka plotësisht të qartë, se fitoret e Edi Ramës në të gjitha palët e zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri pas atyre të vitit 2013 janë produkt garash të deformuara dhe manipuluara nëpërmjet fenomenit të blerjes së votës nga partitë e pushtetit.
Dhe kryeministri nuk e ka menduar keq. Goditja e opozitës tek arma më të fortë e saj, besimi tek qytetarët, natyrisht do i jepte qeverisë dhe sigurinë e shumë dëshiruar për një tjetër mandat, ç’ka do rezultonte fatale për PD, por dhe me pasoja akoma më të rënda për mbarë shqiptarët, pasi do të haseshin me një përdorim akoma më abuziv dhe më arrogant të pushtetit.
Ndikuar prej tranzicionit pas zgjedhor apo dhe aktiviteteve të munguara përgjithësisht nga mbarë politika përgjatë gushtit të nxehtë të vakancave, shënjestrimi i pandërprerë i Lulzim Bashës si fajtor për rezultatin humbës të PD-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, ka nisur të ngjisë jo pak, në një masë jo të vogël njerëzish.
Pra, i stisur artificialisht nga brenda radhëve të PD, një legjendë urbane sipas së cilës Basha me doemos duhej damkosur fajtor i gjithçkaje, nuk do të ishte dhe aq e vështirë mandej të merrte rrugë përhapje në opinionin mbarë shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.
Kjo strategji alla Rama, padyshim do të kërkonte si nevojë imediate marrjen e masave nga ana e lidershipit të PD për t’ju kundërpërgjigjur asaj me një aksion të fortë opozitar me qëllim edhe lënien pa argument, në shpërfillje deri fashitje të plotë të faktorit “rebel” brenda saj. Krahas kësaj edhe vijimi në dimensionet e atij lideri të prezantuar sidomos gjatë 3 muajve të protestës në çadrën para Kryeministrisë, i vendosur dhe vendimmarrës pa kthim mbrapa me strategji të mirëmenduara, do t’i lipsej për të rritur frymën e besimit, se PD është e gatshme, që me program të shpalosur dhe me ekip detyrimisht të promovuar të marrë në dorë drejtimin e punëve të vendit.
Gjasat janë, që kjo të ndodhë që me fillimin e legjislaturës së re parlamentare, ku z. Basha tashmë do të jetë një profil i ri, që ja dikton pjesëmarrja e tij direkte në sallën e Kuvendit, për herë të parë si deputet opozite.
Natyrisht, kushtet e krijuara prej korrupsionit elektoral të shit-blerjes së votës pothuajse lënë shumë pak të besosh se nuk do shkohet drejt radikalizimit të aktivitetit politik opozitar, pasi që rruga e deritashme e arsyetimit institucional vetëm ka margjinalizuar pothuajse gjithë strukturat e demokratëve në bazë, të cilat edhe për këtë arsye ishin gati inekzistente gjatë fushatës së fundit elektorale. Pavarësisht çdo lloj diagnostikimi që mund t’i bëhet situatës komplekse ku ndodhet politika shqiptare, roli kryesor natyrisht që i përket të luhet nga aktori kryesor i opozitës, që është kryetari i PD, i cili ka në dorë ose të vetasgjësohet prej minës me sahat, që Edi Rama po i kurdis mishëruar sipas aksiomës “fajin e ka Basha”; ose ta çmontojë atë për t’ja lënë atij në prehër, të paplasur.
Sigurisht që PD dhe lidershipi i saj i rikonfirmuar gjenden përballë sprovës historike të kësaj partie, midis ekzistencës si subjekt pretendent për qeverisje, apo shndërimit të saj në hije të vetvetes, pikërisht në momentin kur më shumë se kurrë mbi fatet e së ardhmes së saj politike orvatet si shpata e Demokleut dyzimi makbethian:
“To be or not to be, this is the question”!