Real Madrid triumfoi në finale ndaj Dortmun dit duke ngritur në “Uembli” të 15-tin trofe të Ligës së Kampioneve. Trofe që vjen për herë të fundit me formatin e zakonshëm sepse menjëherë nga sezoni i ardhshëm do të ndryshojë gjithçka. Formula vjen ndryshe si për nga numri i skuadrave pjesëmarrëse, për shorteun e për gjithçka tjetër.
SI DO TË JETË?
Kjo është pyetja kryesore që bën çdo dashamirës dhe i apasionuar pas kompeticionit më të rëndësishëm për klube. Pas më shumë se 20 vitesh do të ndryshojë gjithçka përsa i përket formatit, duke bërë që përballja mes skuadrave më të mira europiane të futet në një erë të re.
Që nga sezoni i ardhshëm Champions-i do të pësojë një transformim dhe revolucion total: faza kualifikuese, formati, shorti, kalendari i ndeshjeve dhe oraret. Ky do të jetë ndryshimi i parë thelbësor i këtij kompeticioni që kur UEFA i dha fund periudhës eksperimentale me ndeshjet e dyfishta në fazën e grupeve mes periudhës 1999-2000 deri në sezonin 2002-’03. Po ku konsistojnë ndryshimet.
KUALIFIKUESET
Kur bëhet fjalë për fazën kualifikuese, nuk ndryshon aksesi që do të kenë ligat dhe klubet në këtë kompeticion.
Do të mbeten të pandryshuara fazat kualifikuese deri në atë play-off, që do të çojnë skuadra drejt fazës së parë të kompeticionit duke i bashkuar me ekipet që e sigurojnë direkt nga kampionati pjesëmarrjen në Champions. Megjithatë, ndryshim është numri i skuadrave sepse nuk do të jenë më 32 por 36 të tilla që do të marrin pjesë.
VENDET SHTESË
Katër vendet shtesë do të vijnë në bazë të një ndarjeje: Një vend për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në Champions, i shtohet kampionatit që renditet në vendin e pestë në UEFA, sa i përket renditjes së kombeve. Një vend i shtohet një kampionati, duke e rritur numrin e ekipeve të kualifikuara nga kualifikueset dhe faza play-off, nga katër në pesë të tilla, sa i përket rrugëtimit që do të kenë skuadrat kampione.
Nga një vend për pjesëmarrjen direkte u shtohet dy kampionateve, ekipet e të cilave kanë bërë një rrugëtim më të suksesshëm në turnetë e UEFA-s, në edicionet e mëparshme, në bazë edhe të renditjes në UEFA. Respektivisht në këto dy kampionate, pjesëmarrja direkte në Champions, i jepet skuadrës që renditet menjëherë pas ekipeve që kanë të drejtën për të marrë pjesë.
Konkretisht, këto dy vende për edicionin e ardhshëm i janë shtuar Serisë A italiane dhe Bundesligës gjermane. Gjithsesi, lista e skuadrave që shtohen si pjesëmarrëse të drejtpërdrejta për sezonin pasardhës, atë 2024- 2025, bazohet në renditjen UEFA të skuadrave për edicionin 2023-2024, ku baza kryesore është koeficienti i përfituar si pasojë e ecurisë në pesë sezonet e fundit në kompeticionet europiane.
CHAMPIONS 2024-2025
Por si do të jetë ky edicion? Formati i edicionit të ri do të zëvendësojë këtë ekzistues prej mëse dy dekadash, me një kampionat me 36 ekipe. Skuadrat nuk do të përballen me sistemin vajtje-ardhje me 3 rivalë, por do të përballen me tetë ekipe të ndryshme. Gjysma e ndeshjeve të çdo skuadre do të luhet si pritëse dhe gjysma si udhëtuese.
Formati i ri, sipas UEFAs, “duhet të sigurojë drejtësi më të madhe sportive për të gjitha klubet, një klasifikim më dinamik të kampionatit dhe një interesim më të madh sportive deri në ditën e ndeshjes finale.
PRINCIPET
Principet e fazës së kampionatit në Champions do të jenë si më poshtë: Skuadrat nuk do të shortohen dhe ndahen më në grupe. Të gjithë klubet e nisin turneun së bashku në një kampionat dhe do të përballen me një numër të përzgjedhur kundërshtarësh, me një numër të barabartë ndeshjesh. Të gjithë rezultatet do të përpilojnë një renditje të përbashkët të ekipeve: 3 pikë do të vlejë një fitore, 1 pikë vlen barazimi dhe 0 pikë një humbje.
Çdo skuadër do të luajë një numër të barabartë të ndeshjeve në shtëpi dhe në transfertë. Kundërshtarët për çdo skuadër dhe ndeshjet se cila prej tyre do të luhet në shtëpi dhe cila në transfertë, do të përcaktohen me anë të një shorti. Baza e të cilit do të jetë një sistem me katër vazo të ndryshme bazuar vetëm në renditjen UEFA. Kjo, për t’i garantuar çdo ekipi pjesëmarrës një nivel sa më të ekuilibruar të kundërshtarëve.
SHORTI
Të 36 skuadrat pjesëmarrëse do të jenë të vendosura në katër vazo të ndryshme me nga nëntë skuadra, në bazë të koeficientit që ka secila prej tyre në fillim të çdo edicioni (koeficient i bazuar në ecurinë e pesë viteve të fundit në kompeticionet e UEFAs). Vazo e parë në Champions do të përbëhet nga ekipi që ka fituar edicionin e mëparshëm të Championsit(konkretisht Real Madridi) dhe tetë skuadrat e para në renditjen UEFA. Siç bën me dije edhe “Calcio e Finanza”, fitimi i kampionatit nuk siguron automatikisht pjesëmarrjen në vazon e parë të shorteut.
Vazot 2, 3 dhe 4, përbëhen nga e gjithë pjesa tjetër e ekipeve pjesëmarrëse në bazë të renditjes në UEFA. Secila skuadër do të përballet me dy ekipe nga secila vazo, duke luajtur ndaj tyre një ndeshje në shtëpi dhe një në transfertë. Sa i përket skuadrave të të njëjtit kampionat, nuk do të luajnë kundër njëra-tjetrës në fazën e kampionatit fillestar.
Me përjashtim të veçantë për ndonjë nga kampionatet Europiane që është me një numër më të madh se katër skuadra pjesëmarrëse, ku gjasat janë që vetëm dy skuadra të përballen mes tyre nga ai kampionat. Kjo, si zgjidhja e fundit dhe vetëm në rast se nuk do të ketë asnjë opsion tjetër për ta shmangur në short përballjen mes dy ekipeve të të njëjtit kampionat. Pra, shtimi i numrit të skuadrave pjesëmarrëse në Champions për kampionatet kryesore, rit edhe mundësinë që ato ekipe të përballen mes tyre që në fazën e parë.
FAZA ME ELIMINIM DIREKT
Në përfundim të përballjeve të para, në bazë të renditjes së përgjithshme që do të përpilohet, ekipet e renditura nga vendi 1 në të 8-in, do të kualifikohen menjëherë në fazën e 1/8-ave. Ekipet që do të renditen nga vendi i 9-të deri në të 16-tin do të përballen me ekipet që renditen nga vendi i 17-të deri në të 24-t. Këto do të jenë përballje me eliminim direkt, për t’u kualifikuar drejt 1/8-ave. Skuadrat që do të renditen nga vendi 25 deri në të fundit, do të eliminohen nga turnetë e UEFA-s.
Pra, nuk kalojnë në asnjë kompeticion tjetër si për shembull Liga e Europës apo ajo e Konferencës. Ky është një tjetër ndryshim i këtij formati, sepse përjashton mundësinë e transferimit të një skuadre pas fazës së parë, nga një kompeticion në një tjetër. Sa i përket fazës me eliminim direkt, sipas dokumenteve zyrtare të UEFA-s, “për të forcuar sinergjinë mes kampionatit dhe fazës me eliminim direkt, çiftet në fazën me eliminim direkt do të përcaktohen pjesërisht në bazë të renditjes në kampionat.
Për këtë do të gjejë përdorim një sistem: Në përballjet e fazës me eliminim direkt, ekipet që do të renditen nga vendi 9 deri në atë të 16-të në kampionat (Champions), do të luajnë në shtëpi ndeshjen e kthimit ndaj skuadrave që renditen nga vendi i 17-24. Për fazën e 1/8-ave, ekipet që kanë përfunduar kampionatin mes tetë vendeve të para, do të luajnë në shtëpi ndeshjen e kthimit përballë skuadrave që do të vijnë pas fazës me eliminimin direkt. Do të përcaktohet një tabelë që plotëson çiftet e skuadrave që do të përballen mes tyre nga faza me eliminim direkt deri në gjysmëfinale.
Ku skuadrat që do të renditen nga vendi 1 deri 8 në kampionat, do të presin rivalet e tyre nga faza play off. Ndarja është e tillë dhe do te thotë që për shembull, vendi i parë dhe i dytë në renditjen e përgjithshme, të mund të përballen mes tyre vetëm në finale. Pra për secilën skuadër, niveli i vështirësisë në këtë rrugëtim drejt finales, do të jetë i lidhur dhe bazuar në ecurinë që ekipet do të kenë në fazën e parë të kampionatit.
KALENDARI DHE ORARET
Një ndër risitë dhe ndryshimet, do të jetë edhe kalendari i ndeshjeve dhe oraret. Faza e parë do të ketë 8 javë (4 në shtëpi, 4 në transfertë).
Faza me eliminimin direkt (2 javë, shtëpi-transfertë). 1/8-at: Dy ndeshje, në shtëpi dhe transfertë.
Çerekfinale: Dy ndeshje, në shtëpi dhe transfertë.
Gjysmëfinale: Dy ndeshje, në shtëpi dhe transfertë.
Finale: 1 ndeshje. Sa i përket fazës së kampionatit, tetë ndeshje do të luhen në harkun e dhjetë javëve të kampionateve europiane, nga shtatori në janar. Champions League do të ketë një “javë ekskluzive”, me ndeshje që do të luhen të martën, të mërkurën dhe të enjten, javë në të cilën nuk do të ketë ndeshje të kampionateve të tjera.
Sa i përket orarit të ndeshjeve, zyrtarisht janë konfirmuar ora 18:45 dhe 21:00, me mundësinë për të shtuar ndeshje edhe në orën 16:30, për ndeshjet e Ligës së Europës dhe asaj të Konferencës, vetëm kur bëhet fjalë për ndeshje që luhen në shtete ku diferenca e orareve është mbi dy orë me atë ndërkombëtare të Europës Qendrore.
Sa i përket orarit, ndryshim thelbësor është edhe fakti se ndeshjet e fundit të fazës së parë, do të luhen të gjitha në të njëjtin orar. Më tej do të luhen ndeshje edhe në orën 18:45, por vetëm pas fazës së 1/8-ave, ndeshjet do të luhen të gjitha në orën 21:00m njësoj si ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Europës dhe asaj të Konferencës.
SHPËRBLIMET
Edhe vlera ekonomike e Champions-it do të ndryshojë për edicionin e ardhshëm. Do të jenë thuajse 2.5 miliardë euro të shpërndara për 36 klubet pjesëmarrëse. 27.5% (670 mln euro) të destinuara për shpërndarjen sa i përket pjesëmarrjes. 37.5% (914 mln euro) do të jenë si shpërblime për rezultatet dhe kualifikimin për turet pasardhëse. 35% (853 mln euro) do të shkojë sa i përket një sistemi të ri vlerësimi që ka të bëjë me renditjen historike.
Sa i përket skuadrave italiane, sipas “Calcio e Finanza”, përfitimi për pjesëmarrjen do të jetë më i lartë se në sezonet paraardhëse. Do të variojë nga një minimum prej 36 milionë eurosh për Bolonjën, te një maksimum prej thuajse 51 milionë eurosh për Interin. Një e mesme, për skuadrat si Juventus (49 mln euro), Atalanta (46 milionë euro të tjera) dhe Milan (pothuajse 44 milionë euro).