Mes bashkëpunëtorëve, eksponentëve të Partisë Demokratike, por dhe mbështetësve të kësaj force, kryetari Lulzim Basha prezantoi këtë fundjavë programin elektoral që i hap rrugën nisjes së fushatës së saj për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në qershorin e vitit 2025. Për të shpalosur alternativën demokratike, PD mblodhi Kuvendin kombëtar në pistën e parkut Olimpik në Tiranë. Në mes ishin vendosur 10 tavolina, ku në secilën prej tyre ishin ulur përfaqësues të grupit të ekspertëve që kishin hartuar programin në fushën e caktuar. Kryetari Basha tha se ndihmë kishin dhënë dhe ekspertë ndërkombëtarë nga SHBA e Gjermania, të organizmave të rëndësishëm ndërkombëtar financiar deri tek Departamenti Amerikan i Shtetit. “Mbi 100 ekspertë të PD-së, e jo të PD-së por pranë saj. Një ekip më i mirë i ekspertëve profesionistëve e përfaqësuesve politikë për më shumë se një vit në bashkëpunim me ekspertë të aleatëve nga SHBA tek Gjermania. Me ekipet më të mira të shfrytëzuara nga organizatat me reputacion si OECD, FMN, BB, BE, Departamenti i Shtetit për të ndihmuar dhe reformuar vende me nevoja të ngjashme si Shqipëria ju paraqesim shqiptarëve programin e PD-së “Shqipëria meriton më shumë”, deklaroi Basha.
Dialogu me qytetarët
Që të hënën PD do të angazhohet në një dialog të përditshëm dhe të përjavshëm me të gjithë grupet shoqërore për të prezantuar këtë program. Madje kundërshtarëve politikë pa i përmendur në emra u hodhi dhe dorashkën duke i sfiduar të dalin në debat publik, një praktikë kjo në politikën amerikane por që ende nuk ka gjetur vend në Shqipëri. “Nga kjo platformë e kuvendit kombëtar të PD-së I bëj ftesën dhe hedh dorashkën çdo kundërshtari politik të debatojë me ne propozimet dhe zgjidhjet tona për Shqipërinë që meritojnë më shumë”, u shpreh ai.
Familja
Pjesë e programit ekonomik ‘ Shqipëria meriton më shumë” me të cilin PD synon të vijë në qeveri në zgjedhjet e 2025 është dhe më shumë të ardhura për familjen shqiptare. Nuk do të bëjmë prioritet koncesionet e PPP-të e korruptuar dhe as tenderat por paratë do të shkojnë për familjen shqiptare”, tha Basha. Mbështetja do të nis nga lindja e fëmijëve. “2000 euro për çdo bebe, 20 mijë euro për fëmijën e tretë për çdo familje të re shqiptare”, shtoi ai. Pastaj për 30 mijë çifte të reja do të përfitojnë nga Fondi për Mirëqenien e familjes, subvencionimin e plotë të interesave të kredive për banesa, thënë ndryshe do tu zerohet interesi i kredisë që do të marrin në funksion të blerjes së shtëpive të tyre. Mbështetja që premton PD më pas vjen tek fëmijët në shkollat e arsimit parauniversitar duke i ofruar drekë falas për të gjithë nxënësit në shkollë 9 vjeçare dhe gjimnaz si dhe zgjatjen e qëndrimit në shkolla deri në orën 16:00 përmes ofrimit të kurseve sportivo-kulturore në këto ambiente.
Pensionet dhe bujqësia
Për pensionistët premtimi këtë herë shkoi jo vetëm për rritje pensioni por edhe për një bonus periodik prej 250 mijë lekësh. Mbështetje garantuan edhe për fermerët me 100 mln euro subvencion për bujqësinë dhe blegtorinë ndërsa 50 mln euro mbështetje në infrastrukturë për 150 mijë fermerë. Programi i PD parashikon mbështetje për sistemin arsimor duke garantuar 60% rritje të pagave për mësuesit, infrastrukturë moderne, siguri për fëmijët dhe drekë të garantuar për të gjithë nxënësit. Ndërsa për arsimin e lartë, PD-ja e Lulzim Bashës premton dy-fishim të buxhetit dhe ndërtimin e 3 kampeve universitare, në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër brenda mandatit të parë.
Xhandarmëria dhe taksa e sheshtë
Krijimi i Xhandarmërisë kombëtare, një force elitë me 1000 efektivë ishte një tjetër premtim i Lulzim Bashës, por gjatë kohës që kryedemokrati mbante fjalën u ndërpre energjia elektrike. “PD zotohet për themelimin e xhandarmërisë kombëtare, forcës elitë të Shqipërisë me 1 mijë efektivë. Forcë elitë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shtoi Basha. I rikthehet premtimit për rikthimin e taksës së sheshtë. Ndërkohë që kufiri për tatimin 0 mbi pagat e premton 600 mijë lekë të vjetra nga 500 që është aktualisht. “Taksa e sheshtë 9%, tatim fitimi 9%, tatim për të ardhurat personale 9%, dividenti me taksën e sheshtë 9% edhe për profesionet e lira…Bizneset e vogla nën 14 milionë lekë të reja, pra nën 140 mijë euro, nuk do të jenë subjekt i kësaj takes. Ndërkohë që kufiri për tatimin 0 mbi pagat do të jetë 600 mijë lekë të vjetra. Mbi 600 mijë lekë të vjetra diferenca do të tatohet me një shkallë dhe një shkallë të vetme 9%”, theksoi ai.
Heqja e vizave me SHBA
Tjetër premtim është dhe heqja e vizave me SHBA-në brenda 4 vjeçarit të parë. “Në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë do të mundësojmë që Shqipëria të ecë përpara në luftën kundër korrupsionit dhe reformat e vërteta që do të sjellin mirëqenie. Unë shpreh sot bindjen e zotimin tim personal, se një Shqipëri e drejtuar nga PD e reformuar në PD e reformuar në çdo sektorë do të mundësojë heqjen e vizave me SHBA-në brenda 4 vjeçarit tonë të parë”, tha Basha.
Institucionet e drejtësisë
Basha ripërsëriti mbështetjen për institucionet e drejtësisë. “Korrupsioni i kësaj qeverie është vetë arsyeja e ekzistencës së organeve të reformuara të drejtësisë që u rikonfirmojnë nga kjo sallë mbështetjen pa kushte të PD-së për të çuar para gjyqit e prapa hekurave qeveritarët e korruptuar”, nënvizoi Basha.