Nga inceneratorët, koncesionet në shëndetësi e deri te “CEZ-DIA”, ja dosjet e bujshme të SPAK-ut

Politika dhe krimi u tronditën përgjatë këtij viti prej hetimeve të SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e parë si shpresa e shqiptarëve, për të gjetur drejtësinë e munguar, çoi përpara hetimet për një sërë dosjesh të nxehta. Zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar u thirrën për të dëshmuar, u morën nën hetim dhe u vendosën nën masa sigurie.

Me Altin Dumanin, i cili u shpall kampion global kundër korrupsionit nga DASH, Struktura e Posaçme ka pësuar një tjetër ritëm. Ai njihet si një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Njihet si prokurori që nuk bën kompromise, por zbaton vetëm ligjin.

Dumani bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Ai u intervistua i pari nga KLP dhe mbahet si një nga prokurorët që nuk i pëlqen buja dhe as nxjerrja e sekretit hetimor. Për të nuk ka dalë ende një datë nga vetingu. Dumani u vlerësua me pikët maksimale.

Një dosje e rëndësishme në tryezën e prokurorëve të SPAK-ut ishte privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Hetimet për këtë çështje lanë në arrest shtëpie prej afro një viti liderin e opozitës dhe një nga emrat kryesorë të politikës postkomuniste, Sali Berisha.

Ky i fundit i konsideroi akuzat të motivuara politikisht për të dëmtuar aktivitetin e opozitës. Në dosjen e SPAK-ut, i cili mori të pandehur Sali Berishën, dhëndrin Jamarber Malltezi, bashkëpunëtorin e tij dhe bashkëpronar Xhimi Begeja dhe investitorin Fatmir Bektashi, pretendohet se tratativat për fillimin e privatizimit të klubit Partizani nisën që në ditët e para kur Berisha ishte kryeministër.

Ai akuzohet për korrupsion pasiv, se ka ndihmuar dhëndrin e tij Malltezin që akuzohet për korrupsion aktiv për privatizimin e truallit.

Berisha dhe avokatët e tij këmbëngulin se odiseja i privatizimit të klubit Partizani nuk fillon me ardhjen e Berishës në pushtet, por që me qeverinë socialiste të Nanos.

Sipas SPAK-ut pronarët kanë përvetësuar nga shteti 870 metra tokë që gjendej mes sipërfaqes së tyre. Sipas llogarive nga kjo zemërgjerësi e administratës Berisha ata fituan 23 milionë lekë të rinj që shpëtuan pa i paguar. Gjykata e la të lirë Berishën në muajin nëntor, vendim, i cili u ankimua nga SPAK-u, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë.

Padia në SPAK për këtë privatizim u paraqit nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Numri dy i PS-së ka paditur Jamarbër Malltezin, i cili ka përfituar nga privatizimi, Berishën, Imamin dhe disa kompani ndërtuese për shpërdorim detyre, ndikime të paligjshme, falsifikim dokumentesh, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion.

Sipas padisë, disa familje të vetëquajtura ish-pronarë, me përfaqësues ligjor dhëndrin e familjes Berisha, Jamarbër Malltezi, janë favorizuar në vitin 2008, ku brenda disa muajsh janë realizuar të gjitha procedurat e njohjes dhe kthimit të pronës në fjalë, në kushtet kur ish-pronarëve të tjerë u duhen disa dekada. Sipas Ballës, sot në këtë zonë dhëndri i Berishës ka ndërtuar kulla.

Hetimet e kësaj dosjeje kanë tronditur të gjithë politikën shqiptare. Vazhdojnë të dalin fakte të reja që implikojnë në këtë aferë, kryebashkiakë, ministra, ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetë.

Dokumentet hetimore të Prokurorisë së Posaçme tregojnë se e gjithë procedura për marrjen e koncesionit të inceneratorit të Tiranës është drejtuar dhe koordinuar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Në muajin korrik, u lëshuan 8 urdhër-arreste në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Ndaj tyre është ngritur akuzat e ‘pastrimit të parave’ dhe ‘grup i strukturuar kriminal’.

Në dhjetor, GJKKO pranoi kërkesën e SPAK-ut për kalimin e dosjes për gjykim për inceneratorin e Tiranës. Vetëm tre prej të pandehurve kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, konkretisht Silena Tola, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi, ndërsa pjesa tjetër kanë kërkuar procedurën e gjykimit të zakonshëm.

Në datë 2 gusht, Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve për 12 personat e akuzuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”. Masat për inceneratorin u lëshuan në dhjetor të vitit 2023, ndërsa për gjykim kanë kaluar ish-ministri i mjedisit Lefter Koka dhe 11 të tjerë.

Për inceneratorin e Tiranës, ish-deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete. Kjo për shkak se Bllako po hetohet për një tjetër akuzë, atë të korrupsionit.

Kujtojmë që koncesioni i parë u dha në 2014 për inceneratorin e Elbasanit me vlerë 22 milionë euro. Koncesioni i dytë, ai i Fierit, u dha në vitin 2016 me vlerë 25 milionë euro.

Koncesioni i tretë, ai i Tiranës u dha në 2017-ën. Ministria e Mjedisit mori një letër me propozim të pakërkuar nga një kompani që ende nuk ekzistonte dhe tre muaj më vonë kompania u regjistrua në Holandë. Qeveria shpalli tenderin dhe kompania fitoi kontratën koncesionare 30-vjeçare, me vlerë 128 milionë euro. Inceneratorët, megaafera që parashikohet të shkojë në 1 miliard euro, po hetohen nga SPAK-u.

Një dosje me prioritet për SPAK-un ishte afera e CEZ-DIA. Hetimet e kësaj afere çuan pas hekurave ish-presidentin Ilir Meta. Ai u arrestua më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Ndërkohë për ish-bashkëshorten e tij, deputeten Monika Kryemadhi, u caktua masa detyrim paraqitje për të njëjtat akuza.

SPAK-u bëri me dije se Meta dhe bashkëshortja e tij, në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, u përfshinë në kryerjen e disa veprave penale.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tri vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara. Dy rastet, më pas, u shkrinë në një të vetëm në 2024.

Prokuroria e Posaçme thotë se Meta kur ishte ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, përdori autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale.

Prokuroria thotë se Meta si kryetar Kuvendi, dhe bashkëshortja e tij si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur në tregun e fibrave optike një kompani dhe kanë përfituar më pas përqindje nga fitimet e kompanisë.

Mes tjerash, SPAK ka thënë se Meta dhe Kryemadhi janë përfshirë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen, duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për ndikimin e paligjshëm që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit në fjalë.

Kryemadhi, me porosi të këtij biznesmeni, ka ndryshuar një ligj në Kuvendin e Shqipërisë, thotë SPAK. Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se Meta e bashkëshortja nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë eurosh.

Këtë operacion, SPAK e realizoi në bashkëpunim me autoritetet e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros.

Meta është politikani që ka ndërruar krah politik katër herë, në një histori të mbushur me miq të kthyer në armiq të betuar dhe anasjelltas. Ilir Meta është një nga politikanët më të rëndësishëm të historisë së vendit në 35 vitet. Ai ka mbajtur postin e presidentit, kryeministrit, zëvendëskryeministër, ministër dhe kryetar partie.

Koncesionet në shëndetësi

SPAK po shkon drejt përfundimit të hetimit të dosjeve për koncesionet në shëndetësi. Tri nga katër kontratat koncesionare të shëndetësisë tashmë janë nën hetim nga SPAK-u. Në rastin e Sterilizimit, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë edhe veprime, duke arrestuar ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.

Ndërkohë vazhdojnë hetimet edhe për dy kontratat e tjera, që janë Laboratorët dhe Kontrolli Bazë Mjekësor. Deri më tani, personi më i rëndësishëm i marrë nën hetim për kontratat koncesionare të shëndetësisë është ish-ministri Ilir Beqaj, i cili tashmë është i arrestuar nga SPAK nën akuzën e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian, gjatë kohës që drejtonte SASPAC.

Beqaj është etiketuar shpesh publikisht si njeriu që ideoi dhe realizoi koncesionet në sistemin shëndetësor. Por ai nuk veproi i vetëm. Dyshohet se ideatori dhe nxitësi i tyre ka qenë shefi i tij në qeveri, Edi Rama. Dosja për aferën me “check up” dhe “sterilizimin” duket se është kompletuar dhe priten procedime dhe arrestime.

Hetimi për koncesionet në shëndetësi kishte nisur në fundin e vitit 2015, duke filluar 2016 me iniciativën e Prokurorisë nga njësia task-forcë. Prokuroria e Tiranës njoftoi asokohe se në hetim ishin marrë koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë si dhe koncesioni i “check up”-it falas.

Fillimisht organi i akuzës sekuestroi dhe verifikoi dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike dhe më pas do të vijohej me marrjen në pyetje të personave që kishin dijeni për çështjen. Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve shëndetësore e vendosen ish-ministrin Ilir Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi rezultoi se kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kishin qenë përfituese të tyre, duke bërë që hetimet për këto koncesione të mos mbylleshin sot e asaj dite.

Çështja “Gërdeci”

Fatmir Mediu është një tjetër politikan nën hetim nga SPAK-u. Bëhet fjalë për dosjen “Gërdeci”. Gjatë vitit që lamë pas, Mediu u paraqit disa herë në Strukturën e Posaçme për të dëshmuar në lidhje me këtë dosje.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Mediu i ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin. Kujtojmë se SPAK regjistroi procedimin penal për ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke e marrë atë të pandehur për ngjarjen e vitit 2008 të ndodhur në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Në mbështetje dhe bashkëpunim me SPAK, SHBA i ka përcjellur letërporosinë për pyetjen e të huajve për Gërdecin.

Në listën e miratuar nga Gjykata, prej 72 personash, për të dhënë dëshminë e tyre. Ndërsa një pjesë tjetër, janë ish-zyrtarë, ish-ushtarakë apo dhe ish-sipërmarrës e drejtues të fabrikës në Gërdec, të cilët janë dënuar në procesin e zhvilluar shumë vite më parë./ CNA

Exit mobile version