“Nga kredia për çiftet e reja tek pesëfishimi i bonusit për bebet”, Basha: Fuqizimi i gruas dhe familjes shqiptare, prioritet i programit të Demokratëve Euroatlantikë

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, gjatë takimit me gra dhe vajza të kryeqytetit, theksoi angazhimin e grupimit që drejton për të vendosur familjen shqiptare dhe gruan në qendër të politikave të ardhshme.

Basha deklaroi se programi i demokratëve euroatlantikë do të krijojë mundësi për një shoqëri të shëndetshme dhe pozitive, duke nisur nga mbështetje financiare për çiftet e reja dhe nënat. Ai nënvizoi se do të ofrohen kredi dhe hua të bashkëfinancuara nga shteti për blerjen e shtëpisë për 30 mijë çifte të reja.

Basha gjithashtu tha se do të pesëfishohet ndihma për bebet që do të lindin ku për fëmijën e tretë do të jetë 20 mijë euro, si dhe ndërtimin urave për të rinjtë që ta kenë më të thjesht kalimin nga universiteti në tregun e punës. Për gratë në sipërmarrje, ai tha se do të ketë stimuj të veçantë dhe paketë të plotë për shëndetin e grave, duke adresuar nevojat e tyre në çdo fazë të jetës.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Në programin tonë që e kemi shpalosur më 1 qershor të vitit të kaluar, ne kemi vendosur familjen shqiptare në qendër të vëmendjes, gruan dhe vajzën shqiptare në qendër të vëmendjes. Sepse vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të krijojmë kushtet për një shoqëri që çlirohet nga depresioni. Dhe t’i japim impulse pozitive të cilat mbi të gjitha dhe më bukur se nga kushdo tjetër vijnë nga gruaja. Nga gruaja në jetën tonë, nga nëna, nga bashkëshortja, nga shoqja, nga mikeshat, nga koleget që kemi. Si do ta bëjmë këtë? Fjalët i merr era. Vizioni ynë për të fuqizuar gruan shqiotare nis me fondin për familjen shqiptare. Sepse është goditja e gruas shqiptare, goditja e familjes shqiptare më e keqja që ka pllakosur këtë vend. Me fondin për familjen shqiptare ne do të mundësojmë një bashkëudhëtim të një shteti zemërdhembshur dhe të vetëdijshëm për peshën e gruas me çdo familje shqiptare. Duke nisur nga çiftet e reja, me programin tonë ne garantojmë 30 mijë çifteve të reja kredi, hua të bashkëfinancuara nga shteti për të blerë apo marrë me qira strehën e tyre të parë ku mund të themelojnë familjen. Sepse ne e dimë fare mirë që shumë çifte të reja nuk mund të themelojnë familjen sepse skanë se ku. Për të vijuar me paketën tonë me fëmijët, për bebet. Angazhimi ynë është që për dy bebet e para të kemi një pesëfishim të asaj që sot shteti jep për bebet, 2 mijë euro për bebe dhe 20 mijë euro për fëmijën e tretë për çdo çift. Kriza e plakjes së Shqipërisë, është krizë e familjes së shqiptarit qëbie mbi supet e grave shqiptare. Pas lindjes së fëmijës dihet që ka kosto të madhe financiare, askush nuk e vret mendjen. Shteti nën drejtimin tonë do të jetë në krah të gruas së re, të nëns së re dhe të fëmijëve të vegjël shqiptar. Dhe pas kësaj në të gjithë rrugëtimin e fëmijës deri në universitet. Me drekën shtetërore për të gjithë fëmijët e shqiptarëve, ky është një udhëtim me nënën shqiptare. Dhe më e rëndësishmja që duket sikur prek vetëm rininë shqiptare, por në fakt prek çdo nënë shqiptare, është ura që ndërtojmë për në universitet dhe nga universiteti në tregun e punës me stazhe të paguara. Për gratë në sipërmarrje, jo vetëm nuk duhen të ekzistojnë pengesat e derisotme që prekin çdo sipërmarrës, por duhet të ketë stimuj të veçantë. Dhe padiskutim paketa për shëndetin e grave shqiptare, e cila ka të gjithë komponentët brenda, duke përfshirë stimujt e tjerë financiar gjatë muajve të shtatëzanisë dhe gjatë muajve të parë të lindjes së fëmijës. Paketat e stimujve për shëndetin e grave në çdo fashë të moshës sipas specifikave dhe ndihmën për mijëra gra shqiptare që përballojnë me sakrifica të patregueshme gjendjen e mbi 50% të familjeve që jetojnë në varfëri ose në kufijtë e varfërisë.

IMG 20250308 WA0018

Exit mobile version