Nga kunati i Xhafës tek Ina, kandidatët për në Strasburg

Prokurorja e Pergjithshme Ina Rama dhe Ambasadori Amerikan ne Tirane Aleksander Arvizu, gjate nje tryeze te rrumbullaket te organizuar nga Ministria e Drejtesise dhe EURALIUS, ku eshte diskutuar per domosdoshmerine e rishikimit te Kodit te Procedures Penale.

I pari në listën e Ramës për të shkuar si gjyqtar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg është kunati i Fatmir Xhafës, Sokol Berberi. PD deklaroi dje se Rama ka urdhëruar që kjo kandidaturë të dalë edhe mbi ndryshimet e reja të Kushtetutës dhe të mos i nënshtrohet procesit të Vetting-ut, të cilin Rama kërkonte në dukje të bëhej me doemos për të gjithë gjyqtarët e prokurorët e të ishte sa më i rreptë. Kur vjen puna tek kandidatura e tij për një nga gjykatat më të rëndësishme europiane, Rama e përjashton kandidatin e tij duke shkelur me të dy këmbët ligjin dhe duke dhënë një mesazh të fortë se ai nuk ka ndërmend që të zbatojë Kushtetutën e re.
Një tjetër kandidaturë që do të shkojë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut është ajo e ish-kryeprokurores, Ina Rama. Për shërbimet e kryera gjatë kohës që ai ishte në krye të opozitës dhe veçanërisht për manipulimin e procesit të hetimit të tentativës së grushtit të shtetit të 21 janarit, Rama ka vendosur që edhe Inën ta dërgojë si kandidaturë në Gjykatën e Strasburgut.
Një tjetër kandidaturë do të jetë ajo e Xhezair Zaganjorit, i cili mban aktualisht postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë. Ai ishte dhe një nga kandidaturat për postin e Presidentit që u dorëhoq për arsye ende të paqarta për publikun. Burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se 2 emrat e tjerë (pasi Shqipëria duhet të paraqesë në Strasburg 3 kandidatura) janë ato të Ina Ramës dhe Elira Kokonës. Ndërsa e para është emër i njohur për publikun si ish-kryeprokurore, emri i dytë është po ashtu i afërt me mazhorancën. Zonja Kokona mban aktualisht postin e sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës. Megjithatë emri i Zaganjorit është më i preferuari për stafin e afërt të Kryeministrit. Vetëm një ditë më parë shtypi arriti të mësonte diçka për këtë proces, i mbajtur larg vëmendjes mediatike edhe pse afati për prezantimin e kandidaturave është data 20 gusht.
Propozimi për Zaganjorin ka një kontekst tjetër për Ramën. Në përpjekje për të marrë kontrollin e gjykatave, Rama mundohet të joshë kryetarin e Gjykatës së Lartë, vendi vakant i të cilit do të bënte që të tentohej nga një prej kamikazëve të Ramës në radhët e gjyqtarëve.
Partia Demokratike ka akuzuar kreun e qeverisë, Edi Rama se po kërkon të çojë avokatin e tij në Strasburg, pa i bërë vetting-un. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, theksoi se, “përzgjedhja e kandidatëve në zyrat e mbyllura të Kryeministrisë në këto ditë gushti dhe larg vëmendjes së opinionit publik është kambanë alarmi për aferën më të fundit korruptive të Kryeministrit”.

PD: Avokatët e Ramës në Strasburg kundër pronarëve

Qeveria shqiptare ka nisur në terr dhe mungesë të plotë transparence, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të votohen për postin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën Europiane të së Drejtave të Njeriut.
Edhe këtë proces, Kryeministri që synon të kontrollojë çdo qelizë të drejtësisë, po kërkon ta kthejë në një tender të shëmtuar, me qëllim të sigurojë interesat e tij dhe jo të drejtat e njeriut që ai i shkel çdo ditë në Shqipëri.
Kryeministri kërkon të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europiane. Ai deklaroi se ka arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut që pronarët të mos i marrin pronat e shpronësuara dhe tani po përpiqet të çojë në Strasburg njeriun e tij që do të mbrojë ligjin e rishpronësimit të pronarëve.
Pyetja që shtrohet sot është: a do t’i nënshtrohen vetting-ut antikorrupsion kandidatët e Ramës siç do t’i nënshtrohet çdo gjyqtar e prokuror shqiptar? ‎A do të pranojnë shqiptarët që t’i përfaqësojë në Gjykatën e Strasburgut dikush që ka hije të korrupsionit?
Përzgjedhja e kandidatëve në zyrat e mbyllura të Kryeministrisë në këto ditë gushti dhe larg vëmendjes së opinionit publik ështe kambanë alarmi për aferën më të fundit korruptive të Kryeministrit.
Kandidatët për gjyqtarë në Strasburg duhet t’i nënshtrohen vetting-ut! Vetting-u garanton besimin e shqiptarëve tek drejtësia. Vetting-u nuk mund të jetë pistoletë për shantazh e Edi Ramës për gjyqtarët dhe gjykatat, ashtu si kërcënimi që i bëri pak ditë më parë gjyqtarit që rrëzoi kërkesën e tij absurde për të penguar zgjedhjet në Peshkopi.
Me Edi Ramën nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi, nuk mund të ketë drejtësi të pakapur nga pushteti dhe krimi i lidhur me të dhe aq më pak mund të ketë gjyqtarë që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Pa Edi Ramën Shqipëria do të jetë më e mirë‎.

Exit mobile version