Më 17 maj të vitit 1895 lindi në Dibër të madhe, Haki Stërmilli, shkrimtar i njohur, atdhetar dhe demokrat. Vinte nga një familje e madhe, por aspak konservatore.
Haki Stërmilli njihet si demokrat për shkak të qëndrimeve të tij të shprehura haptazi si për çështjet e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve, ashtu edhe për të drejtat e gruas në shoqëri. Pakkush e njeh rolin e tij si kryetar i shërbimit sekret shqiptar, në vitet 1923-1924, shërbim i cili në ato kohë njihej si “Sekretaria Sekrete”. Lidhja me letërsinë e shënjon në histori edhe si drejtor të Bibliotekës Kombëtare. Libri me të cilin u bë i njohur ishte “Sikur të isha djalë”, por ai shkroi edhe romanet “Burgu”, “Dashuni e besnikëri”, “Dibranja e mjerueshme”, “Agimi i lumnueshëm”, “Kalorësi e Skënderbeut” e të tjerë. “Sikur të isha djalë” është ndër më të lexuarit e të botuarit në kohën e tij. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord në historinë e letrave shqipe. Haki Stërmilli vdiq më 17 janar 1953 pas një sëmundjeje të gjatë, duke qenë edhe deputet i Peshkopisë në Kuvendin Popullor.
ANGAZHIMET
Haki Stërmilli ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i Shërbimit Sekret Shqiptar në vitet 1923-1924 me dekret të Ahmet Zogut, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it dhe përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor. Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve në trevat e okupuara nga Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. Është i njohur edhe për qëndrimin e tij demokratik e shumë përparimtar lidhur me të drejtat e femrave. Haki Stërmilli u lind në Dibër më 17 maj të vitit 1895 ku nisi shkollimin e mesëm në Manastir, por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare.
Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj sekretar i parë i nënprefekturës së Matit, e gjithashtu mësues personal i motrave të Ahmet Zogut. Në vitet 1920- 1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922, Ahmet Zogu i propozoi Kryeministrisë emrin e Hakiut për sekretar të shifrës. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti Zogu e dekretoi ministër më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Naltë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe ministër i Brendshëm. Pas Lëvizjes së Qershorit, bën pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku Llazër Fundo u emërua kryetar. Me rikthimin e Zogut dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë.
Pavarësisht se Zogu donte ta kishte afër, Haki Stërmilli kishte bindje demokratike dhe nuk pajtohej me qeverisjen e tij autarkike. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik. Më vonë u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-në. Në vitin 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llambat elektrike të firmës OSRAM.
VEPRIMTARIA
Mbas pushtimit të Italisë gazeta “Fashizmi” në listat e gjata botonte me nr. 44 edhe anëtarësimin e Haki Stërmillit në Partinë Fashiste, në të njëjtën ditë kur ishte anëtarësuar Mustafa Kruja e disa të tjerë. Për Stërmillin shënohej se “merrej me punë private”. Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalë nga kongresi komunist i Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në Mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet.
Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputeti Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor. Me gjithë veprimtarinë e tij si shef i parë i shërbimit inteligjent shqiptar, në kujtesën e njerëzve, Haki Stërmilli do të njihej më tepër si shkrimtar. Botoi veprat “Dibranja e mjerueshme” (1923), “Dashuni e besnikëri” (1923), “Agimi i lumnueshëm” (1924), “Burgu” (1935), “Sikur t’ isha djalë” (1936), “Trashëgimtarët tanë” (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari “Shtigje të lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968). Romani “Sikur të isha djalë” është ndoshta i vetmi roman, ndër më të lexuarit e të botuar në kohën e tij. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvendësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të Shek. XXI, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një plagë të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës.