Nga Mirela Karabina: Propaganda ra, thellohet analfabetizmi funksional!

Lidhur me Vlerësimin Ndërkombëtar të Performancës së Nxënësve, “PISA 2022”, ka reaguar edhe pedagogia Mirela Karabina, njëkohësisht zëdhënëse e Partisë Demokratike.

Sipas zonjës Karabina,“shkolla është kthyer në burokraci që lan fytyrën propaganda, duke humbur misionin e saj”.

“Vetëm një qeveri e përgjegjshme e cila me dëshirë dhe vullnet politik do të ndërmarrë politika arsiomre kombëtare ku përmes një debati të hapur mbi mangësitë, nevojat dhe zgjidhjet do të mund të shpëtojë arsimin dhe të ardhmen e vendit.” – shkruan ajo në reagimin e saj.

Më poshtë reagimi i plotë i Mirela Karabinës:

Rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Performancës së Nxënësve, “PISA 2022” dëshmojnë se nxënësit 15-vjeçarë shqiptarë janë me përformancë të ulët në matematikë, lexim dhe shkencë, nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Shqipëria renditet në vendin e 62, ndër 80 vendet që marrin pjesë në testim, duke mbetur pas edhe vendeve të Rajonit.

Ky rezultat është kambanë alarmi!

Reforma Kurrikulare në Arsimin Parauniversitar e ndërmarrë më 2013-ën rezulton e dështuar pasi përsëri nxënësit shqiptarë renditen nga fundi për nga cilësia dhe aftësia e të nxënit.

Ministria e Arsimit, e zënë me propagandë të shfrenuar, nuk e sheh realitetin në sy!

Mbyllja e shumë programeve të mësuesisë, cilësia e ulët e formimit të mësuesve, mësues të pamotivuar dhe të pa vlerësuar dhe pa pagë dinjitoze, shkolla me turne dhe në mungesë të infrastrukturës shkollore duke mbetur në mendësinë e shkollave të diktaturës ku klasa është i vetmi vend mësimi (edhe pse janë hedhur miliona për ndërtimin dhe rindërtimin e tyre), infrastrukturë digjitale e munguar edhe pse 3.5 milion euro janë shpenzuar për instalimin e saj janë tregues se pse Shqipëria renditet nga fundi në cilësinë e të nxënit të nxënësve.

Shkolla është kthyer në burokraci që lan fytyrën propaganda, duke humbur misionin e saj.

Kryeministri, që vetë flet e vetë vendos, premtoi rritje të buxhetit për arsimin në nivelin 5% të PBB, por prej 10 vitesh nuk e rriti dot duke gënjyer dhe mashtruar shqiptarët.

Vetëm një qeveri e përgjegjshme e cila me dëshirë dhe vullnet politik do të ndërmarrë politika arsiomre kombëtare ku përmes një debati të hapur mbi mangësitë, nevojat dhe zgjidhjet do të mund të shpëtojë arsimin dhe të ardhmen e vendit.

Exit mobile version