Nga Namir Lapardhaja/ 29 Nëntori ishte një ditë e mynxyrshme!

(fragment)

[…] 29 nëntori 1944 u gdhi gri dhe me shumë lagështi.
Qielli i mbuluar me re të zeza dhe zymtësia e shpërhapur tejpërtej ndillte mynxyrë.
Tomori madhështor nuk dukej.
Jo prej borës së bardhë, por prej mjegullës së zezë.
Në pezm e sipër, shumëkush ato ditë po e kuptonte se ditët e haresë po merrnin fund më shpejt se sa e kishin hamendësuar.
Përveç njësiteve guerile që kishin zbritur në qytet prej mesit të shtatorit, nuk pipëtinte asgjë tjetër.
Shumica e tyre ishin të ardhur dhe për vendasit ata ishin të huaj.
Edhe banorët e qytetit të atillë ishin në sytë e tyre.
Pluhuri që ngrihej në rrugët me kalldrëm të qytetit e bënte edhe më turbullirë pamjen.
Koha kishte ngecur në vend.
Frika kishte hedhur rrënjët e saj dhe rritej përditë pa kurrfarë ndalese.
Kambanat e bronzta të kishave bizantine dhe zëri melodioz i myezinëve nëpër minaret elegante të stilit otoman, kishin pushuar.
Ato po zëvendësoheshin furishëm nga altoparlantë në trajtë hinke, që do të shërbenin për të përforcuar përhapjen në të katër skajet e qytetit të ideologjisë së re. Besimi në Zot do të zëvendësohej gradualisht me një besim të ri.
Dhjetë urdhëresat e Teuratit do të zëvendësoheshin nga dhjetë parimet e Njeriut të Ri komunist.
I mbrujtur me pikëpamjet e reja dhe i zhveshur nga vlerat hyjnore, qenia e re po niste rrugëtimin e saj, të gjatë dhe të sigurt drejt askundit.
Askush nuk e ka menduar se përballë këtij mutacioni të ri njerëzor do të kishte ndofarë pengese të natyrës njerëzore.
Sapo konsoliduan pozitat e pushtetit, komunistët filluan shpagimin.
Ata u treguan të pamëshirshëm.
Një pushtet i fituar me grykën e pushkës, mund të forcohej vetëm me kamxhikun e terrorit. Dhuna ishte e tmerrshme. E pakompromis.
Edhe pse e kishin më të lehtë, sepse një pjesë të kundërshtarëve i kishin eleminuar gjatë periudhës së luftës, nuk falën asnjë nga ata që kishin ngelur.
Disa armiq potencial brenda radhëve të frontit nacional-çlirimtar, ishin spastruar nëpërmjet aksioneve të vështira, tradhëtisë, spiunimit tek armiku apo plumbit pas shpine.
Rruga dukej se ishte e pastër, por jo xixë. Ndaj duhej vepruar sa më parë me ata pak të mbetur, familjarët dhe të afërmit e tyre, me pikat e kontaktit apo ata që mendohej se kishin pasur një marrëdhënie dhe pa më të voglin dyshim me armiqtë potencial të së ardhmes. Pushteti i ri më shumë rrezik shihte ata që kishin mbetur dhe mund të mendonin me kokën e tyre.
Terrori i kuq nisi me inteligjencien e qytetit. Goditja e tyre do të bënte që pjesa tjetër të frikësohej dhe askush të mos bëzante.
Heshtni.
E patë çfarë i ndodhi filanit?
E arrestuan natën në gjumë. Trokitën dhe e morën pa i dhënë asnjë arsye. As të vishej me rroba të tjera nuk kishte mundësi.
Ai poeti i ri që u kishte dalë kundër komunistëve për luftën vëllavrasëse, shoku i ngushtë i Kristaqit dhe Margaritës, u tradhëtua tek disa të afërm të tij në fshatin Lapardha.
E dorëzuan në mëngjes tek organet e pushtetit. Kishte nxituar për të nxjerr koburen, por kur kishte vënë dorën në brez, e pa që nuk e pati. E tradhëtuan. Pritet dënimi kapital.
Një turmë e vuvët njerëzore, në errësirën e natës, iu turr ndërtesës-varr të ish-firmëtarit të pavarësisë dhe kryeministrit të vendit, shpërtheu sarkofagun, mori eshtrat e të ndjerit dhe i flaku në Osum.
Gjyqi popullor dënoi me vdekje ish-deputetin e qytetit, djalin e myftiut të famshëm, atdhetarit të madh, qytetarit model. Nxënësi i Fullcit u ekzekutua gjatë natës. E shoqja i shkoi në mëngjes për t’i çuar ushqim dhe veshje, por i dhanë lajmin e ekzekutimit. Nuk e lejuan as të qante.
Flitet se është zbuluar një organizatë e madhe me emrin “Bashkimi demokratik” dhe të gjithë anëtarët e saj po arrestohen.
Po ngrihen gjyqe speciale nga prokurorë ushtarakë dhe gjykatës profan nga jurisprudenca.
Synohet të goditen ata që kanë studiuar në perëndim, ata që nuk kanë qenë në krahun e fituesve apo pjesëmarrësit në organizatën Balli Kombëtar.
Nuk shpëtuan as ata që kishin qëndruar neutral. Dhuna po godiste pa mëshirë atë pjesë që mund të reagonte, ndërsa pjesa tjetër do të heshtte. Disa nga frika, të tjerë nga mungesa e kurajos. Do të kalonin disa kohë derisa krimi dhe dhuna të normalizoheshin dhe njerëzit të ngarkoheshin me doza të mëdha urrejtje klasore për të ngjashmit e tyre njerëzorë.
Ata që arrestoheshin dhe dënoheshin, tanimë, nuk do të shiheshin më si viktima, por si armiq. Të rrezikshëm.
Evidentimi, spiunimi dhe denoncimi i tyre do të ishte një detyrë madhore dhe një urdhëresë partiake.
Qyteti po futej në një spirale ankthi dhe frike.
Askush nuk e kuptonte se pse njerëz që deri dje i kishin parë dhe përshëndetur sokakëve të gurtë, të nesërmen zhdukeshin pa nam dhe nishan.
Vetëm pas një farë kohe merrej vesh se ishin arrestuar apo ekzekutuar.
Ishte një marrëzi kolektive e pajustifikuar. Asnjë përligjje nuk mund të kishte dhuna dhe terrori i atyre ditëve të fundit të nëntorit 1944…

Artikulli paraprakPezullimi i IPARD, Ekonomisti: I vetmi burim që kishim për të zgjeruar aseset
Artikulli tjetërShëndetësia, Shqipëria e fundit në rajon/ Eurostat: Shpenzimet sa 3.1% e PBB-së, mesatarja e BE-së rreth 8.5%