Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) ka ndërtuar shtatë tipologji rreth mundësisë së pastrimit të parave në vend, duke theksuar se të gjitha rastet u janë dërguar organeve të zbatimit të ligjit dhe janë ato që konfirmojnë nëse kemi të bëjmë apo jo me vepër penale.
Tipologjitë e ndërtuara për vitin 2023 përfshijnë raste të ndryshme, por sërish dominon sektori i pasurive të paluajtshme. Gjithsesi ky nuk është i vetmi.
AIF sjell në vëmendje raste të qarkullimit të vlerave të dyshimta në sistemin bankar nga jo rezidentë dhe në vende të konsideruara me risk, keqpërdorimi i llogarive dhe përfitime të pajustifikuara nga profesionistë apo dyshime për veprimtari të lidhura me korrupsion.
AIF në raportin vjetor të vitit të shkuar nënvizon se janë nxjerrë në total 4 urdhra bllokimi të përkohshëm për llogari bankare, në një vlerë totale prej rreth 1,178,350 EUR, të cilat janë sekuestruar me vendim të Prokurorisë apo Gjykatës në masën 93%.
Tipologjitë sipas AIF
Tipologji 1 – Qarkullimi i vlerave të dyshimta në sistemin bankar nga jo-rezidentë dhe vende të konsideruara me risk
Në vitin 2020, shtetasit A dhe B me origjinë nga një shtet në Evropë dhe me rezidencë në ishujt Kajman (vend i parajsës fiskale), kanë regjistruar shoqërinë Y në Shqipëri.
Gjatë periudhës 2020 – 2023, shoqëria Y, ka përfituar një sërë transfertash në llogarinë bankare në vendin tonë që arrijnë në një total prej 5 milion EUR. Këto fonde janë dërguar nga shoqëria P, në vendin e origjinës së shtetasve A dhe B, në pronësi të shtetasit A sipërcituar i cili zotëron edhe biznese të tjera në ishujt Kajman.
Qëllimi i deklaruar i transfertave në hyrje është ‘për shërbime logjistike dhe operacionale’, të ofruara nga shoqëria Y, për një shoqëri të ndodhur në një shtet (T) të Afrikës së Veriut.
Nga analizimi i mëtejshëm i të dhënave rezulton se fondet e dërguara në llogari të shoqërisë Y në vendin tonë, më pas transferohen në llogaritë personale të ortakëve A dhe B, të shoqërisë apo të personave të lidhur, në vendin e tyre të rezidencës (ishujt Kajman), me përshkrim ‘për shërbimet profesionale’ të ofruara nga këta të fundit.
Nga informacionet e disponuara rezultoi se shtetasi A (njëri prej ortakëve të shoqërisë Y) ka njohje me shtetasen shqiptare X, e cila ishte nën hetim për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.
Shtetasi A, i ka dhuruar shtetases X disa pasuri të paluajtshme si dhe më parë në periudhën 2017- 2020, i ka dërguar fonde në vlerë rreth 300,000 EUR, në llogaritë personale dhe të biznesit të saj.
Ky biznes ka qenë aktiv vetëm për disa muaj gjatë vitit 2020, pa aktivitet real përpara se të kalonte në status pasiv. Ky fakt ngre dyshime se qëllimi i krijimit të këtij biznesi ka qenë vetëm kanalizimi i fondeve.
Janë kryer verifikime për shtetasen X nga të cilat kanë rezultuar se disa muaj më pas: – Pasuritë e paluajtshme të dhuruara nga shtetasi A ia shet një personi të tretë; – Një pjesë të konsiderueshme të fondeve të përfituara nga shtetasi A, i investon në blerjen e pasurive të tjera të paluajtshme (apartament, njësi, garazh etj.) të cilat më pas i dhuron te një familjar i saj (shtetasja Z).
Nga analiza e mëtejshme mbi shoqëritë e përfshira është konstatuar se: · Shoqëria Y nuk zhvillon aktivitet ekonomik në adresën e deklaruar në QKB. Aty ushtron aktivitetin një subjekt tjetër tregtar që ofron shërbime konsulence financiare e juridike, me të cilin është lidhur një kontratë shërbimi për ofrim selie; · Ka vetëm një punonjës, administratorin, shtetasin B; · Deklaron shitje për shoqëritë dërguese të fondeve (si shoqëria P) dhe blerje tek ortakët A, B dhe personat e lidhur me ta; · Shoqëria lëshon edhe autofatura por më pas pjesën më të madhe të tyre e anulon.
Shoqëria Y, në fund të vitit 2023 pezullon aktivitetin e saj pa afat. · Shoqëria P, i ka gjeneruar fondet e transferuara në Shqipëri nga një subjekt tregtar që ndodhet në shtetin T, në Afrikën e Veriut, me përshkrim ‘likuidim i detyrimeve’ në një total prej 10milion EUR nga të cilat 5 milion EUR siç është përmendur më lart janë kanalizuar në vendin tonë. Për sa më sipër, duke marrë në konsideratë:
- Transfertat e larta në mbërritje në llogari të një shoqërie të themeluar rishtazi, në vendin tonë nga shtetas jo-rezident dhe qëllimi jo i qartë i transfertave;
- Dyshime lidhur me aktivitetin real të kryer në Shqipëri nga shoqëria; · Transferimi i mëtejshëm i këtyre fondeve në një “parajsë fiskale”;
- Lidhjen e njërit prej ortakëve me një shtetase nën hetim për veprën penale ‘Të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Rasti është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 2 – Fshehje, ndryshim pronësie pasurie të paluajtshme nga një person, ish nëpunës i shtetit, i akuzuar për përfshirje në veprimtari kriminale
Shtetasi X, funksionar në një institucion shtetëror, në vitin 2023 u arrestua për shpërdorim detyre dhe lidhje të mundshme me krimin e organizuar. Gjatë hetimeve të organeve ligjzbatuese rezultuan raste të abuzimit të mundshëm me detyrën, të kryera ndër vite nga shtetasi X, prej të cilave dyshohet se ka përfituar shuma të mëdha të parash.
AIF ka kryer verifikime nga ku rezultoi se për një periudhë 7 vjeçare shtetasi X dhe familjarë të tij të ngushtë (nëna, babai, vëllai, motra), kanë nënshkruar kontrata porosie duke investuar në pasuri të paluajtshme si njësi shërbimi dhe apartamente në vlerë totale rreth 1.5 milion USD, pranë të njëjtës shoqërie ndërtimi C. Vërehet se kontrata e porosisë e lidhur nga shtetasi X dhe bashkëshortja e tij, ishte në vlerë më të ulët se vlera e saj reale dhe deri diku e justifikueshme krahasimisht me burimin e ligjshëm të të ardhurave të tij.
Nga analiza e detajuar financiare ka rezultuar se vlerat për porositjen e pasurive janë paguar nga shtetasi X dhe familjarët e tij gjatë periudhës 2015 – 2018 përmes një sërë depozitimesh që luhaten në vlerat 5,000–30,000 USD.
Fondet janë depozituar pranë llogarisë bankare të shoqërisë së ndërtimit C, në një bankë të nivelit të dytë në vend, me frekuenca, data apo orare që përputheshin ose përafroheshin mes njëri tjetrit. Burimi për fondet e investuara në pasuri të paluajtshme është deklaruar të ardhurat e biznesit dhe të ardhura të përfituara nga emigracioni.
Nga verifikimet mbi bizneset e tij, ka rezultuar se në vitin 2010, shtetasi X së bashku me 3 shte tas të tjerë, ka themeluar shoqërinë tregtare XY me objekt “import – eksport të produkteve ushqimore, industrial dhe investime në fushën e ndërtimit etj”. Pas një periudhe disa vjeçare, shtetasi X ia shet pjesën e vet të aksioneve njërit prej ortakëve shtetasit Z, me të cilin ka edhe lidhje familjare. Në këtë biznes rezulton i lidhur edhe vëllai i shtetasit X, shtetasi Y, në rolin administrativ.
Për sa i përket familjarëve rezulton se vetëm i vëllai ka regjistruar rishtazi një subjekt Person Fizik. Të ardhurat e fituara nga këto biznese janë mini- male, por edhe qarkullimi në tërësi është i ulët. Nga analiza e mëtejshme e kryer edhe për anëtarë të tjerë të rrethit familjar të shtetasit X, përfshirë dhe shtetasin Z, ka rezultuar se në të njëjtën periudhë kanë lidhur kontrata porosie me të njëjtën shoqëri ndërtimi C, në vlerë totale rreth 600,000 USD, po ashtu të paguara paraprakisht, në të njëjtën periudhë, me depozitime në llogarinë bankare të shoqërisë së ndërti mit pranë të njëjtës bankë me shtetasin X, ku si burim kanë deklaruar të ardhurat e siguruara nga emigracioni.
Nga verifikimet nuk rezultojnë të ardhura për të justifikuar asnjë prej investimeve të kryera në pasuri të paluajtshme nga ky shtetas dhe familjarët e tij. Në tremujorin e parë të vitit 2023, u vu re se shtetasi X dhe familjarët e tij të ngushtë (nëna, babai, vëllai, motra), kanë nënshkruar kontrata të njëpasnjëshme revokimi të këtyre kontratave të porosisë.
Për sa më sipër duke marrë në konsideratë:
- Hetimet për veprimtari kriminale të ish nëpunësit të shtetit;
- Investime në pasuri të paluajtshme, në vlera të konsiderueshme nëpërmjet nënshkrimit të kontratave të porosisë, familjarisht, në mënyrë të njëpasnjëshme, me të njëjtën shoqëri ndërtimi;
- Pagesa me para në dorë dhe me frekuencë të njëjtë, në të njëjtën kohë, në të njëjtin institucion bankar nga familjarë dhe shtetasi X;
- Burimin e pajustifikuar të të ardhurave për investimet e kryera;
- Kërkesa për revokimin e kontratave të pasurisë gjatë periudhës së hetimit, me qëllim shmangien e sekuestrimit të tyre.
Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit. Për këtë rast janë nxjerrë urdhra bllokimi nga AIF, të cilat janë shoqëruar me vendime sekuestrimi nga Prokuroria.
Tipologji 3 – Keqpërdorimi i llogarive dhe përfitime të pajustifikuara nga profesionistë (Avokat)
Shtetasi X, me profesion avokat ushtron veprimtarinë e tij që prej vitit 2010 i regjistruar si person fizik tregtar. Nga analiza e transaksioneve të kryera prej subjektit, u vu re se në periudhën Janar – Maj 2023 në llogarinë e tij, kanë mbërritur disa transferta në shuma të konsiderueshme në total rreth 150milion Lekë.
Nga analiza e mëtejshme rezultoi se brenda një periudhe 7 vjeçare në llogari të subjektit janë transferuar rreth 1,5 miliardë Lekë. Fondet janë dërguar nga institucione të ndryshme shtetërore, zyra përmbarimore dhe shoqëri sigurimesh, për ekzekutimin e disa vendimeve gjyqësore për dëmshpërblim të lëshuara nga gjykata të ndryshme, për palë të treta (klientë të tij). Lidhur me mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve u konstatua se shtetasi X i ka qarkulluar nga llogaritë e biznesit në llogari të tij individuale, ku përveç tërheqjeve, një pjesë e konsiderueshme e fondeve përdoret për blerje mallrash luksi jashtë vendit, blerje pasuri të luajtsh- me/paluajtshme, për blerje obligacionesh dhe vetëm 30% e fondeve kalojnë për të tretë në funksion të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Nga verifikimi i të dhënave të subjektit në sistemin tatimor, rezultoi se nuk ka deklaruar fatura shitje për shërbimet e ofruara në 5 vitet e fundit. Për sa më sipër duke marrë në konsideratë:
- Qarkullimin e lartë të fondeve të përfituara nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për dëmshpërblimin e palëve të treta si në llogaritë e subjektit person fizik edhe në llogaritë individuale të avokatit;
- Tërheqje të këtyre fondeve apo transferimi në llogari të tjera të tij, duke humbur gjurmimin e përdorimit të tyre;
- Investime të larta në pasuri të luajtshme (automjete luksi) dhe të paluajtshme me qëllim përdorimin individual nga vet avokati, duke ngritur dyshime të arsyeshme se kemi të bëjmë me përvetësim fondesh.
- Subjekti nuk deklaron fatura shitje për 5 vitet e fundit;
Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 4 – Investime në pasuri të paluajtshme nga persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale
Shtetasi A së bashku me shtetasin B (lidhje familjare) prej vitit 2020 e në vijim kanë investuar në pasuri të paluajtshme shuma të konsiderueshme, në disa nga zonat më të shtrenjta në zona bregdetare dhe në kryeqytet. Konkretisht në vitin 2020 shtetasi A, investon shumën 150,000 EUR në pasuri të paluajtshme të llojit ‘vilë’ në një zonë bregdetare. Për palën shitëse rezultojnë gjetje negative si individ i përfshirë në afera me pronat.
Përsa i përket financimit të këtij investimi, rezulton se shtetasi A të ketë marrë një kredi në vlerë 80,000 EUR pranë bankës F dhe pjesa tjetër është paguar me para në dorë. Më pas kjo pasuri është dhënë me qira një shoqërie Z, me pagesë qiraje mujore prej 6,000 – 8,000 EUR. Nisur nga sa më sipër ku për një periudhë kaq të shkurtër kthimi i investimit nuk është normale lindin dyshime se vlera reale e paguar për blerjen e pronës mund të jetë më e lartë, ose marrëdhënia e qiradhënies mund të përdoret si një mjet për kalimin e fondeve nga shoqëria Z, të shtetasi A.
Nga verifikimet të mëtejshme, shtetasi A dy vite më vonë, ka kryer një tjetër investim, duke blerë një njësi dhe dy garazhe në vlerën 430,000 EUR, përsëri në një zonë ku çmimi i tregut është më i lartë krahasimisht me zonat e tjera. Në të njëjtën kohë ky shtetas ka marrë një kredi në bankën D, në vlerë 210,000 EUR për financimin e investimit të mësipërm. Përveç sa më sipër, rezulton se shtetasi A, ka nënshkruar disa kontrata shitblerje pasurish të luajtshme, sipas të cilave ka shitur automjete me çmime që luhaten nga 25,000 – 35,000 EUR, për të cilat nuk disponojmë informacion për financimin e blerjes së tyre. Përveç sa më sipër, rezulton se shtetasi A, ka nënshkruar disa kontrata shitblerje pasurish të luajtshme, sipas të cilave ka shitur automjete me çmime që luhaten nga 25,000 – 35,000 EUR, për të cilat nuk disponojmë informacion për financimin e blerjes së tyre.
Nga analiza e profilit të shtetasit A, vërehet se:
– Ka vetëm një aktivitet privat me objekt veprimtarie: riparim biçikletash, më të ardhura vjetore rreth 5 milion Lekë;
– Ka hyrje – dalje të shpeshta në pikat e kalimit kufitar ndër të tjera edhe me shtetas me precedentë penal, të dënuar për trafikim lëndësh narkotike. Familjari i tij, shtetasi B gjithashtu rezulton të ketë blerë apartament në vlerë 180,000 EUR në dy vitet e fundit, të cilin nuk e justifikon me të ardhurat e deklaruara që i ka vetëm nga punësimi.
Për sa më sipër duke marrë në konsideratë:
- Investime në pasuri të paluajtshme, që në dukje janë blerë nën vlerën reale dhe dyshimet se diferencat mund të jenë paguar me para në dorë;
- Përdorimi i kredive në këtë rast, duket si mbulesë për pastrimin e parave;
- Lidhje të dyshimta me persona me precedentë kriminale;
- Të ardhura të ulëta, kryesisht nga punësimi apo aktivitet që nisur nga objekti i veprimtarisë nuk justifikon fitimet e larta të deklaruara;
Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 5 – Investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh nga një person që ushtron funksion publik
Shtetasja X, gjatë 10 viteve të fundit ka kryer një numër të lartë investimesh në pasuri të paluajtshme, ndërkohë rezulton se është e punësuar në funksion publik vetëm prej vitit 2018. Investimet e para nga shtetasja X në blerje pasurish të paluajtshme janë kryer në vitet 2014 – 2018, në vlerën 270,000 EUR, kohë në të cilën ajo nuk ka qenë në marrëdhënie pune.
Nga verifikimet e mëtejshme rezulton se lidhja e saj e ngushtë shtetasi Y, është person i dyshuar si i përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike. Gjithashtu pas vitit 2018 kur shtetasja X regjistron aktivitetin e saj privat, me karakter publik, ka vijuar me investime në pasuri të paluajtshme. Konkretisht gjatë 2020 – 2023 ka blerë njësi shërbimi, apartamente dhe vilë, në dukje me çmim me të ulët se çmimi real i tregut, të cilat arrijnë vlerën totale prej 1.4 milion EUR.
Përveç sa më sipër, rezulton se shtetasja X ka shitur dhe një automjet në vlerë 120,000 EUR për të cilin nuk disponojmë informacion për financimin e blerjes. Nga analiza financiare, lidhur me burimin e të ardhurave të përdorura për blerjen e pasurive të paluajtshme rezultojnë vazhdimisht depozitime me para në dorë, në llogaritë bankare të shtetases X dhe kalime nga llogaria e subjektit privat që zotëron në llogari personale. Për sa i përket deklarimeve për fitimet e aktivitetit për periudhën 2018 – 2023, vlerat e deklaruara luhaten nga 5,– 25 milion Lekë në vit, të cilat në total , nga data e regjistrimit të tij nuk kalojnë vlerën 750,000 EUR.
Nga verifikimet për shtetasin Y (lidhje e ngushtë e shtetases X), rezulton gjatë periudhës 2017 – 2023, të ketë nënshkruar kontrata shitje të pasurive të luajtshme si palë shitëse në vlera që arrijnë deri në 90,000 EUR. Në total nga këto shitje ai ka përfituar rreth 200,000 EUR. Ky shtetas, nuk rezulton të ketë burim të njohur të ligjshëm të fondeve për të justifikuar këto transaksione.
Për sa më sipër duke marrë në konsideratë:
- Investimet në pasuri të paluajtshme, të cilat nuk justifikohen nga punësime të mëparshme apo të ardhura nga aktiviteti; ·
Lidhje të ngushta me persona të dyshuar si të përfshirë në aktivitet kriminal, përpara dhe gjatë ushtrimit të detyrës publike;
Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm, në organet e zbatimit të ligjit
Tipologji 6 – Dyshime për veprimtari të lidhura me korrupsion
Shtetasja B, në periudhën 2019-2023, ka qenë përfaqësuese ligjore e disa shtetasve, në proceset gjyqësore me objekt dëmshpërblimet e dëmeve pasurore dhe jo pasurore. Këto procese gjyqësore janë zhvilluar gjithmonë në dy qytete (M, L), fakt i cili fillimisht dukej rastësi. Me analizimin e mëtejshëm të të dhënave, rezultoi se palët paditëse me qëllim ngritjen e padisë, ndryshonin vendbanimin e tyre.
Nga të dhënat e disponuara rezultoi se shtetasja B është lidhje familjare me shtetasin F, me funksion publik në sistemin gjyqësor. Mes shtetases B dhe palëve paditëse janë lidhur marrëveshjet përkatëse sipas të cilave fondet e përfituara nga dëmshpërblimi do transferoheshin në llogarinë bankare të shtetases B, pranë bankave X,Y,Z. Të gjitha veprimet procedurale dhe gjyqësore kryheshin nga përfaqësuesja e palëve paditëse shtetasja B.
Nga analizimi i llogarive bankare të shtetases B, vihet re se pas kreditimit të fondeve, vijohet me tërheqjen e tyre, me deklarim ‘dhënien e tyre përfituesve’. Shpjegimi i dhënë për këto tërheqje lidhet me një zgjedhje personale të shtetasve përfitues, për të qëndruar jashtë sistemit bankar, për arsye pasigurie. Totali i tërheqjeve arrin 3 milion EUR.
Nga të dhënat e disponuara lindën dyshime të arsyeshme se shtetasit përfitues të fondeve mund të mos kishin shpeshherë dijeni për shumën reale të përfituar.
Për sa më sipër duke marrë në konsideratë:
- Vlerat e larta të tërhequra, të përfituara për dëmshpërblimin e palëve të treta, për të cilat ka dyshime për mënyrën e përdorimit të tyre;
- Ndryshimet fiktive të vendbanimit të palëve paditëse;
- Kanalizimi i këtyre çështjeve gjyqësore nga përfaqësuesja ligjore, të lidhura me dëmshpërblim, vetëm në dy institucione gjyqësore;
Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 7 Investime në pasuri të paluajtshme nën vlerën e tregut
Shtetasi A prej vitit 2018, ka kryer një numër të lartë transaksionesh me pasuri të paluajtshme në zona të ndryshme rezidenciale të kryeqytetit (Zonën 1, 2 dhe 3). Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se një pjesë e madhe e investimeve janë kryer në bashkëpunim me shtetasin B, person i njohur edhe më parë nga AIF për investime të dyshimta në pasuri të paluajtshme dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Gjatë analizës financiare u evidentua se pjesa më e madhe e investimit në pasuri të paluajtshme është përqendruar në vitet 2019 – 2022, konkretisht: · Shtetasi A, ka blerë nga individë të ndryshëm disa pasuri në Zonën 1 me sipërfaqe totale 17,000 m2 dhe me çmim 6 EUR/m2, çmim ky më i ulët se çmimi real i tregut;
- Shtetasi A, në bashkëpunim me shtetasin B kanë investuar në Zonën 2 duke blerë nga individë të ndryshëm sipërfaqe rreth 25,000 m2 me çmime që luhaten nga 5 – 215 EUR/m2, në të cilat ka ndryshime të çmimit të blerjes të pasurive brenda të njëjtës zonë.
- Totali i vlerës së pasurive të blera arrin rreth 1. milion EUR. Në vitin 2022, shtetasit A dhe B, kanë shitur disa nga pasuritë e mësipërme me sipërfaqe totale rreth 30,000 m2 , në favor të shoqërisë X, me çmim 120 EUR/m2 , në vlerë totale 3,6 milion EUR, dukshëm me një çmim anomalisht më të lartë se çmimi i blerjes. Krahas transaksioneve me pasuri të paluajtshme shtetasi A është i përfshirë nga viti 2018 në disa kontrata huaje si huadhënës ndaj shoqërisë F dhe ortakut të saj shtetasi E në vlerë totale 440,000 EUR, ku për këtë të fundit (shtetasi E) ka dyshime për abuzime me fonde publike. Shtetasi A, rezulton të ketë një aktivitet tregtar të regjistruar prej disa vitesh si dhe është person i lidhur me disa shoqëri të themeluara në vitet e fundit me ortakëri me shtetas të tretë, ndër to edhe shtetasin D, person me precedentë penalë për shkak të përfshirjes në aktivitete kriminale. Për sa më sipër duke marrë në konsideratë:
- Numrin e lartë të transaksioneve me pasuri të paluajtshme të shoqëruar me dyshime për vlerën reale të këtyre pasurive;
- Diferencat e theksuara në vlerat e kontratave për pasuri të paluajtshme në të njëjtat zona, apo çmime të pasqyruara në akte noteriale më vlerë shumë të ulët (edhe 4 EUR/m2);
- Lidhjet me persona me precedentë apo të dyshuara për veprimtari kriminale;
Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.