Sali BERISHA
Nga piktor dështak në retushier diletant e qesharak! Po ëndrrës çdo t’i bësh o i mjerë?! Gazetari dixhital më pyeti sot se çfarë komenti kisha për retushimin nga piktori dështak të fotove ku jam unë me bashkëshorten ulur në sallën e koncertit që u dha natën e shenjtërimit të Nënë Terezës në Katedralen e Shën Palit.
Së pari dua të them se këtë akt ai e bëri, pasi kishte urdhëruar protokollin e shtetit të fshehi ftesën e dërguar nga organizatorët e koncertit, gjë që bëri që ata të më dërgojnë ftesë për së dyti.
Kështu që ai mendonte se unë nuk do të isha aty, dhe, kur më pa sa nuk i ra të fikët. Ai duket se bëri retushimin, pasi ka humbur kontrollin, sepse natën e koncertit dhe të nesërmen, ato foto i kishin shpërndarë, siç ishin të gjitha mediat, edhe ato të kontrolluara prej tij.
Por për miqtë e mi do të jap disa detaje nga ajo natë e paharrueshme për koncertin e mrekullueshëm për çka unë dua t’i falenderoj me shumë mirënjohje organizatorët, artistët për interpretimet e tyre mahnitëse, dirigjentet, producenten, qeverinë e Kosovës, Selinë e Shenjtë që bënë të mundur atë koncert në nderim të Nënë Terezës tani Shën Terezës.
Unë, në të vërtetë, me syrin e mjekut që nuk më ndahet kurrë, konstatova atë natë se Edvini ishte i sfazuar keq, aq sa rrinte sikur ishte ulur jo mbi karrige, por sikur të ishte ulur mbi gozhdë. Kaq shumë kishte humbur kontrollin ai atë natë saqë bëri në sy të të gjithëve, dhe para kamerave, një xhest arroganti ordiner.
Ai desh i theu kokën me mikrofon një gazetari të një televizioni të diasporës shqiptare në SHBA, i cili pasi më mori me shumë njerëzi një intervistë të shkurtër për eventin historik, vrapoi t’i merrte edhe atij një intervistë.
Mirëpo Rama, gazetarit, si përgjigje desh ja theu kokën me mikrofonin që ai i zgjati. Në një akt prej brigandi, që e panë që të gjithë, e pashë dhe unë, dhe e ka të filmuar edhe gazetari, Rama brutalisht i shtyu atij dorën bashkë me mikrofonin dhe për pak sa nuk e hëngri mikrofonin në kokë.
Natyrisht mendova se mediat do t’a denonconin këtë akt ndaj dhe e injorova në postimet e mia. Gjatë koncertit, piktori dështak ishte i vetmi aty që dukej sikur e kishin sjellë si të arrestuar, pra turfullonte dhe lëvizte trupin e duart pa kontroll, etj..
Nuk dyshoja aspak se shkaku i vuajtjes isha unë, i pranishëm në atë sallë. Por përsëri ju garantoj se nuk isha vetëm unë. Piktori dështak e vuante shumë jo vetëm praninë time, por po kaq edhe të dirigjentit virtuoz Bujar Llapaj, të cilin xhahili ministër Kulture e kishte detyruar të hynte në grevë urie dhe të braktiste në ekzil vendin e tij, dhe tani tek dirigjonte me virtuozitet koncertin më prestigjioz të jetës, shkopi i tij i dukej, si të thuash si bajonetë apo hosten që i ngulej në tule!
Tani të kthehem tek pyetja e gazetarit dixhital se çfarë komenti kam unë për retushimet që Rama i ka bërë fotos ku jam i ulur unë me Lilin.
Përgjigja ime është se ai, nga njëra anë u kthye në grixhën e të parëve, pra nipi kthehet te daj Koleka. Kështu që armiku as në foto nuk durohet. Por nga ana tjetër me këtë akt banal, Edvini thjesht kaloi nga piktor dështak në retushier diletant e qesharak.
Mirëpo pavarësisht nga këto, ky ishte një koncert kushtuar Nënë Terezës, Shenjtores së Mëshirës, kështu që në këtë kontekst nuk mund të kesh gjë tjetër veçse mëshirë për të.
Por pyetja ime është mirë se me foton e zgjidhe, vendose të shpëtosh me retush prej meje, po tmerreve, anktheve, koshmarit të tmerrshëm që unë të krijoj në ëndrra që zgjasin kilometra, dhe që sipas sugarit të tënd të dalë madje edhe shumë shpesh në to e zgjohesh, duke piskatur në kupë të qiellit Saliiiuuu, iuiuiuu Saliiiuuuu iuiuiu, si do t’ja bësh?
Problem pa zgjidhje! Aty nuk ka si të retushojë!! Amin!