46-vjeçari Arjanit Dino, lindur në Ballsh dhe banues atje u ekstradua dje nga Milano drejt vendit tonë. Dino është një emër i njohur i Policisë, pasi në zgjedhjet e 2013 ai plagosi një person, pasi nuk i kishte mbështetur të motrën, të cilën e kishte kandidate për deputete të një partie të koalicionit të majtë. Pas plagosjes, ai u arratis dhe më pas u kap në Itali një vit më pas, teksa merrej me trafik ndërkombëtar droge dhe shfrytëzim prostitucioni, përkatësisht në Abruco.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se më datë 10 qershor 2013 rreth orës 10:30, i pandehuri Arjanit Dino, ka plagosur në këmbë me pistoletë bashkëqytetarin Bilal Lamaj.
Ky i fundit është transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit të Ballshit dhe më pas në Fier duke mos pasur rrezik për jetën.
Organi i akuzës ka arritur të zbardhë gjithë ngjarjen nga ku ka rezultuar se shkak i sherrit mes dy shokëve kanë qenë angazhimet në zgjedhjet parlamentare. Kështu, nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Arjanit Dino së bashku me të dëmtuarin Bilal Lamaj, rreth orës 10:30 të 10 qershorit kanë shkuar te një lokal loto-sporti në qytetin e Ballshit. I pandehuri Dino dhe Lamaj janë ulur në një tavolinë në afërsi të banakut të këtij lokali.
Gjatë bisedës, Arjanit Dino i ka kërkuar Bilal Lamajt që të ndihmonte të motrën e tij, E. D., gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, pasi ajo kandidonte nën siglën e Partisë së Emigrantëve.
Gjatë bisedës mësohet se Bilali i ka kujtuar Arjanitit një borxh prej 4000 eurosh që i pandehuri i detyrohej prej kohësh të dëmtuarit. Gjithashtu, Bilali i ka thënë Arjanitit se nuk mund ta përkrahte motrën e tij, pasi ishte pozicionuar në një krah tjetër politik, kurse paratë i kërkonte sa më parë, pasi kishin qenë shokë me njëri-tjetrin dhe kjo gjë nuk i dukej e hijshme.
Në këto rrethana, i pandehuri është nervozuar dhe pasi është ngritur në këmbë në moment ka nxjerrë nga çanta një pistoletë dhe me të ka qëlluar një herë në drejtim të këmbës së Bilalit, i cili edhe ky instinktivisht është ngritur në këmbë. Pas këtij momenti, Arjanit Dino është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke iu fshehur hetimit.
Një vit pas plagosjes për fushatën zgjedhore, Dino shkon në Itali, ku bie në kontakt me një grup të strukturuar kriminal në zonën e Abrucos. Atje ai nis të merret me prostitucion dhe trafik droge. Dino u arrestua disa muaj më pas, bashkë me dy vëllezër shqiptar dhe një rumun. Këta ishin martuar me shtetase moldave dhe i shfrytëzonin për prostitucion. Dinos iu gjet edhe një sasi e konsiderueshme droge.