Nga prodhues në konsumatorë! Ekspertët: Si po cënon dyndja drejt Tiranës në garantimin e furnizimit me ushqime

Nga prodhues në konsumatorë… Migrimi nga rrethet drejt Tiranës po cenon garantimin e furnizimit me produkte ushqimore të shqiptarëve. Çrregullimet demografike të cilat po rrisin varësinë nga importi vlerësohen si një nga kërcënimet më të mëdha për Shqipërinë në pesë vitet e ardhshme.

Imigrimi i brendshëm, veç krizës demografike po prodhon më pak fermerë e më shumë qytetarë duke realizuar kështu për fatin e keq ciklin “nga prodhues në konsumatorë”. Kjo situatë ka ardhur sa nga politikat neglizhente të qeverisë, aq edhe nga korrupsioni endemik që ka përfshirë vendin“, thotë Edison Zaçaj, pedagog në fushën e financë-kontabilitetit.

Vetë qeveria pranon në strategjinë e re të sigurisë se emigracioni, veçanërisht te të rinjtë nuk po ka të ndalur. Sipas institucioneve që kanë hartuar dokumentin kjo situatë ka prodhuar “krizë për punonjës” dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.

Largimi i të rinjve nga njëra anë ul konsumin e nga tjetra zhyt në krizë prodhimin. “Brain drain” është një fenomen që na ka përfshirë prej vitesh. Tani është koha të ndërtojmë politika”, shprehet ai.

Qeveria ka identifikuar të paktën  shtatë “pika të dobëta”, përfshirë atë nga vendet jo-miqësore që mund ta përdorin ekonominë për presion politik.

Të dish nga se vuan, ky është një hap më pranë shërimit. Po sa vlen kjo shprehje e zakonshme për fushën  e mjekësinë edhe për ekonominë shqiptare?

Fazën e parandalimit e kemi kaluar. Tani jemi te ndalimi. Disa prej tyre si emigracioni mund të frenohen. Korrupsioni duket gati si sëmundje e pashërueshme”, thotë Zaçaj.

Për të parandaluar emigracionin, krizën demografike korrupsionin, ministria e Financave dhe Ekonomisë,  ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale, bashkë me institucionet e tjera të linjës do të duhet që brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të hartojnë panë për adresimin e këtyre sfidave. (Marjo Brakaj)

Exit mobile version