Nga prozhektorët mbi det, te shtyllat me fill elektrik, “mbrojtja” e kufirit në diktaturë! Çdo shqiptar, që orvatej të largohej nga vendi, merrte dënimin që…

NGA PROF.DR.ELMAZ LECI

Talonin në racionimin e ushqime në vendin tonë pak e kujtojnë, pasi ai i përket një periudhe të kaluar tashmë më se gjysmë shekullore , por që ka ndodhur vërtet dhe atë e shkaktoi politika socialiste e komunizmit në fshat. Kujtojmë se në vitin 1967 përfundoi me forcë në Shqipëri i gjithë kolektivizimi dhe si rezultat më në fshat nuk kishte prona bujqësore private. Propaganda e kohës e paraqiti atë si një hop cilësor, pasi kooperativizmi ishte kryer edhe në zonat më të thella të vendit, ku gjoja fshatarët sipas asaj propagande e pritën me entuziazëm kolektivizimin.

Gjendja e keqe në fshat arriti deri aty sa në se në qytet të jepnin me talon 1 kg djathë në muaj, në fshat që ai e prodhonte djathin, nuk merrnin asnjë gram. Kur në qytet, po të zgjoheshe në orën 2 të mëngjesit edhe mund të merrje një litër qumësht, në fshat jo, nuk e kishin këtë të drejtë, sepse ishin fshatarë e ata duhej t’i furnizonte kooperativa bujqësore, ndërsa kooperativa nuk kishte prodhim. Këto ishin të gjitha rezultat i shkatërrimit të pronës private në fshat. Ndaj qeverisja socialiste vendosi talonin për prodhimet bujqësore.

Kjo lloj politike e socializmit “fitimtar” rezultoi se ishte një aspekt i zi, që i parapriu vendosjes se racionimit të plotë të ushqimeve e pse jo edhe të persekucionit, sepse në flisje se në dyqanin e kooperativës “nuk ka” djathë, qumësht etj. etj. e pësoje keq me ligjin e agjitacion propagandës.

Simbolikisht “taloni” i socializmit në Shqipëri, në fakt, erdhi nga mali së bashku me pushtetin e “çlirimtarëve”, d.m.th. erdhi me pushkët e atyre që populli sikur e besoi fillimisht, sepse ishte ne ekstazën e çlirimit të vendit, por edhe të efektit të propagandës të “lugës së florinjtë”. E shtuan atë lloj “entuziazmi” rindërtimet që nisën e ndodhin zakonisht pas çdo lufte dhe në vijim edhe parulla e shumëdëshiruar e mashtruese për shqiptarët, ajo për rindërtimin e “Shqipërisë demokratike”.

Kjo e fundit, si gënjeshtër e madhe e si propagandë “boshe” nuk vijoi shumë sepse nisi “dajaku” i mbledhjes me grabitje të prodhimeve, sekuestrimet e mallrave, arrestimet e dënimet e të pasurve, të cilët duhet thënë se bënë fitoren e luftës sepse ata kishin e furnizuan luftëtarët antifashistë me ushqime etj. Por ndodhi ajo që nuk duhej të bëhej, nisi menjëherë boshatisja e atyre pak hambarëve të të varfërve për të mbushur me prodhimet shqiptare tregun e jugosllavëve. Nisi dhe aplikoi “pushteti popullor” taksat e shumta e tatimet e renda me moton se “ ka nevojë shteti” e nga ana tjetër vijoi të “hajë djalli”. Dhe fshatari, klasa mbisunduese në Shqipëri, edhe kur nuk kishte pula tagrambledhësi donte me patjetër rreth 600 kokrra vezë për çdo krerë pule. Taksa dhe vetëm taksa kërkonte e grabiste shteti e pushteti si për arën edhe për livadhin, si për lopën edhe për delen, por edhe për dashin e dhinë, për çdo pemë e për çdo dru pylli, deri taksë për beqarinë. Dhe fshatari, se pothuajse gjithë popullsi fshatare qe Shqipëria, u bë si i shushatur. Ku ti gjente fshatari i shkretë, që rrënohej përditë tërë ato taksa e tatime pa fund?! Delte pyetja, të cilën nuk mund ta thoshte e nuk mund ta shprehte: A për një regjim të tillë despotik luftuan e u sakrifikuan?! A po për atë lloj qeverisje zhvatanike votoi populli “me dëshirë”?! Nejse. Në atë periudhën e largqoftit, asnjëherë nuk u bënë zgjedhje, por që gjithnjë shpallej se njerëzit votonin me 99.99 për qind. E mos të votoje po deshe?!

Fshati dhe fshatari në përgjithësi te ne nga para çlirimit trashëgoi pasuri jo të pakt si blegtori e prodhime por pas nëntorit të vitit 1944, mbi fshatarin shqiptar u vendosën gradualisht vargonjtë e regjimit, u vendosën mbi të taksa e tatime të shumta, që ja rrëmbenin prodhimet pa pikën e mëshirës, ku shpesh herë i linin edhe kalamajtë pa ushqime.

Egoizmi i Enver Hoxhës për sundimin e tij dhe të klanit, “punoi” shkallë-shkallë e vit pas viti, deri sa e çojë vendin në një varfërim të plotë. Vendi u izolua jo vetëm politikisht por edhe teknikisht. Nga një anë fshatari shqiptar varfërohej në sajë të masave të kolektivizimit e shkatërrimit të pronës, nga ana tjetër mbi të rëndonte edhe “politika e madhe” e taksave dhe tatimeve të tmerrshme. Në se para kolektivizimit i merrte direkt taksat e tatimet në natyrë, pas kolektivizimit ato o merrte te “thesi i kooperativës” pa pyetur fare e pa asnjë lloj fature transparente për fshatarin.

Pas prishjes edhe me Kinën, niveli i jetesës veçanërisht në fshat shkoi keq e më keq. Aq e padurueshme u bë jetesa, sa që njerëzit nuk po duronin më dhe tentativat apo arratisje u bënë shqetësim i madh për regjimin. Këtë e tregojnë edhe rrethimet e vendit me “zona kufitare”, me “breza të butë” e “klone”. Kjo ishte “periudha e lavdishme” që partia komuniste, e punës apo socialiste (njëlloj është), i caktonte popullit shqiptar detyrën e vështirë por të “pa kundërshtueshme” që të “ndërtonte socializmin me forcat e veta”.

T’i shmangeshe këtij misioni ishte e konsiderohej një dezertim i dyfishtë: Çdo shqiptar që orvatej të largohej nga vendi, tradhtonte idealet e socializmit dhe për këtë merrte një dënim që shkonte nga dhjetë vjet kamp pune, deri në vdekje. Tekstet e ligjeve të kohës e quanin këtë lloj shkelje, “arratisje”, megjithatë çdo vit disa shqiptarët e ndërmerrnin një veprim të tillë. Më 1966, në liqenin e Shkodrës u vendos me shtylla një fill metalik. që materializonte “zonën kufitare”…Të tilla përçudnime kishte kudo rreth e rrotull vendit. Në buzë të detit Jon, në Sarandë, përballë Korfuzit, me të rënë nata hynin në veprim dy prozhektorë të mëdhenj, për të zbuluar më mirë ndonjë arratisje të mundshme.

Parulla “vigjilencë” e kudondodhur, nxiste këdo që të parandalonte sabotimet e mundshme të “armikut të brendshëm”. Atmosfera e luftës mbahej gjallë nga ndërtimi i qindra bunkerëve të vegjël e të mëdhenj, ndërsa propaganda antijugosllave e antiimperialiste e revizioniste, krijonte në popull një tension të madh. Sigurimi i shtetit, policia sekrete dhe një rrjet i pafund spiunësh vullnetarë, punonin pareshtur në shërbim të vetizolimit, duke i shërbyer kështu plot servilizëm ustallarëve të tyre të nomenklaturave të larta. Mbyllja nga çdo anë e trajtimi çnjerëzor, u bëhej njerëzve në vijimësi. Ky lloj trajtimi, shtetëzimi i pronës, i mjeteve, detyrimi i punës sipas përcaktimit të politikës, e të tjera masa penalizuese, ishin ata që e ulën këmbëkryq varfërinë në Shqipëri e posaçërisht në fshat.

Te ai, rezultat i masave kufizuese e humbja e interesit për pronën, bënë të mundur që prodhimi ra dhe vjedhjet e abuzimet u bënë gati masive. Vjedhja u kthye në modë, nga një akt i urryer para vitit 1945, ajo u kthye në një veprim të rëndomtë, pasi me forma të ndryshme vidhnin pothuajse të gjithë, edhe kryetari i kooperativës, edhe brigadieri, edhe agronomi e aq më shumë komunisti dhe edhe-të…nuk kishin të sosur, sepse pasuria ishte e të gjithëve dhe e askujt.

Një gazetar i huaj në atë kohë kishte vëzhguar dhe publikoi se ishte “shteti ai që ndaloi edhe bluarjen e drithërave të bukës në mullinjtë e kooperativës. Fshatarët u kthyen 100 vjet pas, duke e bluar drithin me mokër dhe prej saj në fshat u shtuan shumë rastet e shpërdorimit të stomakut. Egoizmi i Enver Hoxhës për pushtet, nën maskën e barazisë, bëri kthimin e pronës private në pronë të të gjithëve, që në fakt duhet konceptuar si pronë në mëshirën e fatit”. Më 1945, prona private u ruajt disa kohë në caqet e 40 hektarëve dhe ishte e parashikuar që familjet fshatare pa tokë do të merrnin 5 hektarë. Në fakt, morën shumë më pak ose aspak. Nga ana e varfërisë pas kolektivizimit Shqipëria e mori të tatëpjetën e pakthyeshme. Qysh në vitin 1945, në pronat e mëdha të shfrytëzuara më përpara nga italianët u krijuan fermat e para të shtetit. Pastaj nën shembullin e Jugosllavisë e të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1946, disa familje u bashkuan në shtatë kooperativat e para. Ata duhej t’ia shisnin prodhimin e tyre shtetit, duke iu bindur vendimeve të planit. Ata duhej të deklaronin gjithçka që prodhonin dhe grumbullonin, përndryshe dënoheshin nga gjykata ushtarake. Fshatarët e tjerë u ngarkuan me tatime të jashtëzakonshme.

Më 1956-n proces i kolektivizimit u përshpejtua dhe dy vjet më pas ishte kolektivizuar 63% e tokës fshatare. Krahas kësaj, u zvogëluan dhe ngastrat e tokës vetjake. Më 1949 toka e lejuar shkonte nga 1.2 hektarë në 3000 metra katrorë, pastaj më 1967 në 1000 metra dhe në fund u kufizua në 300 metra katrorë. Po kështu u zvogëlua edhe numri i krerëve të bagëtive vetjake. Sipas numrit të frymëve të familjes, në fillim u lejuan nga 1 deri në 4 lopë, më pas zbriti në 2 dhe në fund vetëm me 1 lopë e më pas në asnjë. Bariu që mund të mbante deri në 40 kokë dele, pas 1967 -ës u desh të kënaqej me dhjetë dhe më pas nuk mund të mbante asnjë sepse u ndalua me ligj.

Enver Hoxha e cilësoi atë lloj “përparimi” në prodhimin bujqësor si meritë të kolektivizimit! Nuk është pa bazë shprehja, madje tepër e goditur, ku thuhej se “punonin 3 milion skllevër” për byronë politike e sorollopin e tyre. Dhe punët shkuan keq e më keq, saqë në 25 janar të vitit 1987 e përditshmja “Zëri i popullit” e detyruar do të shkruante se në tre rrethe zarzavatet mungonin. Çdo familje, pavarësisht nga anëtarët, kishte të drejtë të blinte me talon një kilogram mish në javë, kocka e dhjamë bashkë sepse mishin nuk mund ta zgjidhje, pasi ishte i ambalazhuar qysh më parë nëpër pako dhe ishte mish gjelle. Herë pas here, një herë në pesëmbëdhjetë ditë, mund të blije një pulë. Qumështi ishte vazhdimisht një problem i madh. U racionuan edhe vezët, që u kufizuan me 5 kokrra në javë, për çdo familje.

Kjo ishte ajo lloj politike që i izoloi të gjitha fushat e prodhimit. Me kolektivizimin dhe me bërjen e gjithçkaje që shqiptari e kishte pronë të tijën dhe kthimin e saj me dhunë në pronë shtetërore, ai u kthye tamam si skllav sepse nuk kishte asnjë lloj prone, as tokë, as fabrikë, as shtëpi, madje as familjen nuk e kishte të tijën. Kudo dhe në çdo kohë kryetari i Frontit, operativi i Sigurimit, brigadieri e sekretari i partisë, ndërhynin deri në punët e brendshme të familjes. Jo vetëm ekonomikisht u izolua shqiptari, por edhe moralisht, sepse bindjet iu privuan, liria e besimit iu mohua, madje iu ndalua edhe me ligj.

Katandisja e fshatarit, pse jo edhe pjesa e popullsisë që banonte nëpër qytete në skamje e mjerim ishte forma kryesore e terrorit komunist në Shqipërinë londineze e mbi shqiptarët dhe ajo është aq e gjerë sa zor se ndonjëherë do të shkruhet e plotë. Dhe të gjitha, janë vetëm një grafi, janë vetëm një skopi, e veprimtarisë kriminale, janë vetëm një tablo se çfarë bëri Enver Hoxha me popullin, janë aktakuzë e rëndë që e akuzojnë atë ideatorin e tyre, i cili e zbriti varfërinë këmbë kryq në fshatin e dikurshëm të pasur shqiptar. Ishte koha kur regjimi komunist e “uli këmbëkryq” varfërinë në fshat./Gazeta Panorama

Exit mobile version