Sekretari i Përgjithshëm i PD Enkelejd Alibeaj i ftuar në “Studio Live” në Report Tv ka analizuar arsyet që sipas tij bashkuan PS-në dhe Rithemelimin drejt një dakordësie që riktheu në normalitet jetën parlamentare. Një prej tyre sipas Alibeajt ishte për të “sakrifikuar” Reformën Zgjedhore.
“Muaj më parë kemi bërë disa propozime jo se janë risi nga përmbajtja e tyre, por duke ndjekur vazhdimin e ndryshimeve kushtetuese ishte e kuptueshme që nevoja më e madhe që procesi zgjedhor për publikun janë pak gjëra lehtësisht të konceptueshme: Llogaridhënia para tyre. Kasta politike është jo llogaridhënëse para tyre. Deputeti të zgjidhet nga qytetari dhe t’ja ketë frikën qytetarit. Thënë ndryshe listat e hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, votat e diasporës… e shndërron deputetin përfaqësuesin politik në rob të interesit të qytetarëve. Sa kohë i depozituam në parlament si propozime pati lëvizje si nga mazhoranca dhe nga opozita”, tha Alibeaj në një intervistë me Arbër Hitajn.
Rithemelimi dhe PS, shtoi Alibeaj zgjodhën të mbajnë paktin e 2008, pasi është në interesin e tyre për ttë ruajtur karrigen.
“Nëse ka një zgjidhje që akomodon interesin pragmatist të deputetëve janë listat e mbyllura. Mjafton të jesh një lëpirës, një servile i kryetarit të partisë dhe garanton karrigen tënde dhe për katër vite të tjera. Këtë bën ky sistem. Çështja e listave të hapura s’ka të bëjë fare me partitë e vogla. Ka të bëjë me atë që sistemi i jep shqiptarëve. Ata kanë mbajtur patin anti-demokratik të 2008. Shqipëria një zonë nuk është thjesht barazia e votës, por ka diçka tjetër akoma më të rëndësishme. Frika më e madhe i ka mbledhur këta njerëz pas karrigeve të errëta dhe fjalë tjetër përveç pazarit nuk meritojnë”.
Ndonëse nuk është kundër rikthimit të koalicioneve parazgjedhore, Alibeaj shton se janë në dëm të partive të vogla. Ai i mëshoi propozimeve të PD Shqipëria 1 zonë zgjedhore dhe lista të hapura, me argumentin që ti jepet qytetarit e drejta për të zgjedhur kandidatin.
“Për ne nëse rikthehen koalicionet parazgjedhore nuk kemi asnjë kundërshtim. Sugjerimi nga ana jonë i Shqipërisë një zonë synonte të eliminonte gjithçka që Ps fitoi në mënyrë parazitare me ndryshimet kushtetuese të 2008. Te kjo historia e koalicioneve parazgjedhore suksesi varej nga një fakt i thjeshtë sesa një parti arrinte të bënte koalicione me parti të tjera. Ndërkohë ajo që themi ne është se demokracia nuk duhet të jetë një çështje dëshirash shijesh apo lojërash. Pra midis një alternative që nuk dihet sa e suksesshme mund të jetë koalicionet parazgjedhore, dhe një alternative tjetër lista të hapura.
Me një koalicion parazgjedhor partitë e vogla përthithen nga partitë e mëdha. Për ne është e rëndësishme Shqipëria një zonë dhe lista të hapura. Shqiptarët të votojnë individin. Këtu flas edhe për të djathtën. E djathta ka ardhur në qeverisje sa herë ka garuar me figura individuale. E majta, PS, një parti me një historik 100 vjeçar është parti e rreshtit. Një sistem që i vendos individët në përballje të drejtpërdrejtë kjo është garancia, arma plus që e djathta ka.”
Qetësimi i Rithemelimit pas dakordësisë me PS, me ngritjen e 2 komisioneve hetimore parlamentare nga 8 që kërkuan, për Alibeajn tregon se kriza gati 6 mujore ka qenë artificiale.
“Ishte një krizë artificiale. Kjo shihet nga kërkesat që pozohen dhe pastaj sa u qëndron kërkesave në një moment të dytë. Gjatë krizës artificiale rezultoi se mazhoranca e Ramës ka lojë sistematike. Sot që flasim për asnjë nga çështjet e rëndësishme, buxhetin, ligjin për komisionet hetimore dhe rregulloren. Së dyti u sakrifikua reforma zgjedhore”.
Krahas “sakrifikimit” të Reformës Zgjedhore, Alibeaj tha se pas marrëveshjes fshihet dhe frika që të dyja palët kanë ndaj SPAK. Për këtë arsye sekretari i PD shton se palët sipas tij po bëjnë një tjetër përpjekje për të “kapur SPAK”. Sinjal të parë ndaj prokurorisë së posaçme, Alibeaj interpreton votimin e amnistisë penale.
“Kushdo e mendon se cila është arsyeja që bën bashkë Berishën dhe Ramën. Njëri thoshte në një miting që bëri para dy vitesh të kam armik, e mbani mend ulërimën e Berishës. Edi Rama të kam armik. Ndërsa Rama i thoshte je kufomë, nuk merrem me ty. Sot bëjnë këtë marrëveshje. Teatër i hidhur në kurriz të shqiptarëve. Arsyeje tjetër është SPAK. Ramës ministra e drejtorë i shkojnë përditë në derë të SPAK. Me miratimin e amnistisë i çuan një sinjal SPAK. Krijuan atmosferën se spak nuk është i paprekshëm. Nuk është vetëm simbolikë ishte provë me ngarkesë që kalo tashmë dhe me sa duket plani do vazhdojë. Një përfaqësues i mazhorancës ka thënë se do krijojmë një komision në parlament për të kontrolluar shkeljen e të drejtave të njeriut nga SPAK. Politika të mbajë duart larg drejtësisë. Po marr dhe një shembull tjetër për atë se çfarë është arsye që i bën bashkë. Frika nga drejtësia i bën bashkë”.
Një koment pati edhe për tentativën e Gazment Bardhit, për të futur zyrtarisht në grupin parlamentar të PD Sali Berishën dhe deputetët e tjerë që janë përjashtuar.
“Të enjten e kaluar Lindita Nikolla jashtë funksionit të vetë e merr Berishën dhe e sjell brenda grupit parlamentar. Unë dëgjova atë që Nikolla tha: të gjithë deputetët e përjashtuar do rifuten në grupin parlamentar të PD. Pezullimi i Berishës nuk ishte vetëm një sherr i vogël brenda PD, nuk janë sherre të vogla, qëndrime zyrtare të PD, e cila e ka detyrim dhe për nevojë të saj, që të distancohet nga të gjitha praktikat individët dhe personazhët që mbartin ngarkesë politike dhe që nuk kanë çfarë të ofrojnë më në tregun politik.
Nuk duhet ta harrojmë 8 janarin Arbër. Ne reaguam. Nikolla, në fakt Rama, se Nikolla nuk ka autonominë e saj, në kundërshtim me vendimet autonome të PD, me qëndrimin zyrtar të saj dhe në kundërshtim me SHBA dhe raportin e Freedom house, e merr dhe ta sjell pilaf në shtëpi.
Ky është fundi i moralit politik të mazhorancës. Ajo që nuk ka kuptuar Rama është fakti se ajo çfarë i ndodhi PS që është detyruar të ndërmerrte këto akte është pikërisht që duhet të jetë një politikë kombëtare. Halli i bën bashkë.”