NGA EVARIST BEQIRI
Me rastin e 8 marsit Ditës Ndërkombëtare të Gruas, po përkujtojmë me anë të këtij shkrimi një grua që historia jonë e ka harruar krejtësisht. Ajo është gruaja që i qëndroi në krah themeluesit të Shqipërisë moderne Ismail Qemal Vlorës, për plotë pesëdhjetë e një vite, si në ditët e bukura ashtu edhe në ato të vështirat.
Më 1864, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Pas vdekjes së bashkëshortes së parë, Ismail Qemali u martua sërish në vitin 1867, me Kleoniqi Surmeli, vajzën e Antonit, një fisniku grek nga krahina e Edërnesë, i cili banonte në Rusçuk, Bullgari. Gruaja, me të cilën u dashurua Ismail Qemali, rridhte nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-’95). Kleoniqi Surmeli u lind në qytetin Rusçuk (Ruse), Bullgari, më 15 gusht 1850.
Ismail Qemali, ishte vetëm 23 vjeç, kur u dashurua me këtë zonjushë të re. Ai shërbente asokohe në Rusi, si zyrtar i Perandorisë Osmane. Ndryshimi në besimin fetar ishte bërë pengesë për realizimin e kësaj martese. Ismail Qemal Vlora ishte një djalë i ri tepër i hijshëm asokohe. Ai vinte nga dera e madhe shqiptare e Vlorajve. Natyrshëm joshet nga një vajzë e bukur, që e ka parë në pazar. Por, njerka e vajzës e kundërshtonte me ngulm këtë bashkim. Prandaj, një natë, Ismail Qemali me mirëkuptimin e vajzës dhe pëlqimin e heshtur të të atit të saj, e rrëmbeu vajzën.
Në vijim, Ismail Qemali thirri dëshmitarët në shtëpinë e tij dhe nënshkroi “kontratën e martesës” në prani të dëshmitarëve, njëri prej të cilëve konsulli belg. Akti i martesës ishte hartuar në mënyrë të tillë që e përjashtonte përgjithmonë çdo mundësi për një martesë të dytë nga ana e bashkëshortit. Ky akt fisnik i Ismail Qemal Vlorës, ishte prova më sublime e dashurisë së tij të vërtetë.
Martesa e Ismail Qemalit me gjithë bujën që kishte shkaktuar, i dha atij prova simpatie nga ana e miqve të tij. Martesa me Kleoniqi Surmelin i dha Ismail Qemalit qetësinë dhe lumturinë e duhur. Nga kjo martesë ai pati 10 fëmijë, gjashtë djem: Mahmud bej Vlora (1871 – 1920), Tahir bej Vlora (1875 – 1932), Et’hem bej Vlora (1885 – 1937), Xhevdet bej Vlora (1888 – 1910), Qazim bej Vlora (1893 – 1953), Qamil bej Vlora (1895 – 1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873 – 1954), Alije (xx – 1955), Ylvije (xx – 1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.
Beqir Velo Kanina sjell një dëshmi origjinale pak pas Shpalljes së Pavarësisë: “Kur u kthyem në Vlorë, më thirri Smail beu një mbrëmje me Ali Dautin e më tha, të shoqëroja zonjën e tij Kleoniqi dhe gruan e Pashko Vasës me dy djemtë e saj, për të pjekur në Kaninë Isa Boletinin. Hera e parë dhe e fundit që u poqa me znj. Kleoniqi. Në bisedë me të në Kaninë mësova se ishte e mbesa e Kapedan Siqeca nga arvanitasit e Sulit. Ajo qëndroi veç pak muaj në Vlorë. Ajo fliste një shqipe të kulluar, që e kishte edhe gjuhën e nënës.”
Me krijimin e familjes dhe martesën me një femër të një kombësie dhe feje tjetër, Ismail Qemali shfaq sërish konceptet e tij përparimtare. Për Ismail Qemalin, në themel të institucionit të martesës qëndronte dashuria e çiltër dhe e dëlirë midis bashkëshortëve. Ai e sfidoi mjedisin e prapambetur, i cili e kundërshtonte martesën midis të krishterëve dhe myslimanëve. Ky veprim i Ismail Qemalit ishte shumë i guximshëm për kohën. Ai tregon se, Ismail Qemali ishte zhveshur nga çfarëdolloj paragjykimi, fanatizmi dhe mungesa e tolerancës. Historia e martesës së tij të pazakontë, shumë kohë përpara se ai të bëhej i njohur, u shfrytëzua më pas prej shtypit të kohës për të hedhur baltë mbi atë vetë, e natyrisht mbi shtetin e porsathemeluar.
Zgjedhja e bashkëshortes është një moment i rëndësishëm për jetën e çdo njeriu dhe në veçanti të një lideri. Ajo është zgjedhje intime, personale dhe private, por që ka shumë ndikim në jetën publike, pasi, siç thuhet shpesh, “pas çdo burri të madh, qëndron një grua madhështore” dhe “madhështia e një burri matet me madhësinë e bibliotekës dhe vlerat e gruas së tij.” Kjo përzgjedhje është vendimtare për ecurinë e karrierës së mëtejshme të liderit.
Nënvleftësimi i këtij momenti mund të ketë pasoja shumë negative për të ardhmen tuaj si lider, ashtu si edhe vlerësimi dhe përzgjedhja e duhur mund t’ju sjellë shumë avantazhe.
Historia ka plot shembuj grash, të cilat jo vetëm e kanë kryer me sukses rolin e bashkëshortes, por kanë shërbyer edhe si këshilltaret më të mira të liderëve. Vlen të përmendim këtu rastet e bashkëshorteve të Uinston Çurçillit, Xhon F. Kenedit, Bill Klintonit, Barak Obamës, Volodymyr Zelensky etj.
Martesa mund të rrisë ndjeshëm efektivitetin e një lideri duke ofruar mbështetje, vizion të përbashkët dhe një ekuilibër të shëndetshëm midis jetës personale dhe profesionale. Një partneritet i fortë mund të kontribuojë në suksesin e një lideri dhe në përmbushjen e misionit të tij. Martesa e Ismail Qemalit dhe Kleoniqi Surmelit ndikoi si në jetën e tij personale ashtu edhe në udhëtimin e tij politik, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare në udhëheqësi. Partneriteti i tyre mishëroi angazhimin e përbashkët ndaj idealeve të pavarësisë dhe unitetit kombëtar. Më 5 mars 1918, në moshën 68-vjeçare, pas një jete me plotë sakrifica në krah të bashkëshortit të saj, Kleoniqi Surmeli do t’i mbyllte sytë njëherë e përgjithmonë në Rue Tonduti de l’Escarene 26, Nicë, Francë, ku edhe prehet. Sot, po publikojmë për herë të parë edhe dokumentin zyrtar të vdekjes së saj në Nicë.
* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). Falënderojmë Darling Ismail Vlorën dhe Qamil Ismail Vlorën (stërnipat e Ismail Qemal Vlorës) për vendosjen në dispozicion të materialit.
/Gazeta Panorama