Nga Sali Berisha, te Ilir Meta Metaj, Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj, kur SPAK të kap shah-mat

Nga Rigels Seliman

Në një skenë politike të rrënuar nga pazaret e fshehta, korrupsioni galopant dhe arroganca e pushtetarëve që sillen si të paprekshëm, Prokuroria e Posaçme (SPAK-u) ka dalë si një gur shahu që lëviz ndryshe nga skemat e zakonshme të tranzicionit shqiptar. Për dekada të tëra në këtë Shqipëri të vuajtur, emra si Sali Berisha, Ilir Meta (Metaj), Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj kanë lëvizur lirshëm në fushën e lojës politike, duke i shndërruar institucionet në vegla të interesave personale dhe klienteliste. Por ora ka ardhur. Loja nuk është më në duart e tyre.

Kreu i PD, Sali Berisha, simboli i një epoke ku pushteti trajtohej si pronë private, sot shfaqet si figura e mbetur në cepin e tabelës së shahut, duke u munduar të shmangë mat-in me lëvizje të vjetruara. Po ashtu, presidenti i PL, Ilir Meta, mjeshtri i manovrave politike dhe i marrëveshjeve në prapaskenë, e kupton se gjuha e shantazhit nuk vlen më përballë një drejtësie që ngrihet mbi prova e jo mbi pazare. Ndërkohë, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ish-arkitekti i kulisave financiare dhe aferave të errëta, po përjeton peshën e fakteve që i janë kthyer në barrë. Dhe në horizont del edhe figura e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili, pas fasadës së PR-it të zbukuruar, përballet me hije dyshimesh që nuk mund të mbulohen më me postera propagandistikë.

SPAK-u nuk është më thjesht një institucion, është pasqyra që po e vendos elitën politike ballë për ballë me pasojat e veprimeve të tyre. Ky institucion ka filluar të ndërtojë atë që Shqipëria kishte humbur prej kohësh: frikën e pushtetarëve nga ligji. Nuk mjaftojnë më fjalimet populiste, as lëvizjet taktike për të shpëtuar lëkurën. Kur drejtësia fillon të veprojë, nuk ka mburojë politike që të mbajë.

Shqiptarët janë lodhur duke parë politikanë që pasurohen në kurriz të vendit, duke përdorur sistemin si bankë private. Ndërkohë që SPAK po i kujton shoqërisë shqiptare një të vërtetë të thjeshtë, por të fuqishme, se askush nuk është mbi ligjin. Shah-mati nuk është më një metaforë, por një realitet që po shpaloset ngadalë, por me siguri.

Ky është momenti kur Shqipëria ka shansin të çlirohet nga kthetrat e pandëshkueshmërisë. Politikanët mund të kenë luajtur për vite me radhë në tavolinën e shahut të pushtetit, por tani është rradha e drejtësisë të vendosë rregullat e lojës. Dhe kur SPAK vendos shah-mat, nuk ka më kthim pas.

Artikulli paraprakAzgan Haklaj, kandidat i Koalcionit Euroatlanti në qarkun e Tiranës: Besoj në shpirtin e lirë të atdhetarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë
Artikulli tjetër“Përpjekje për presion ndaj SPAK-ut”- KLP: Qëndrojmë në mbështetje të Prokurorit Ols Dado