Portret i mbretit të Spotify, miliarderit të parë europian që ka bërë para me internetin dhe tani dëshiron të blejë Arsenalin.
Nëse je ndonjë miliarder europian, kinez apo rus, është e vështirë t’i rezistosh tundimit të blerjes të një skuadre futbolli. Kolegët amerikanë blejnë skuadrat e NBA apo ato të NFL, por për të tjerët ambicia është një klub futbolli, mundësisht anglez: kanë rënë të gjithë, nga oligarkët ruse tek emirët e Gjirit Persik. Kështu, fakti që suedezi Daniel Ek, themelues dhe CEO i Spotify, ka ndërmend që të blejë Arsenalin bashkë me një grup ish futbollistësh të famshëm si Thierry Henry, Dennis Bergkamp e Patrick Vieira, nuk është kushedi se çfarë i bujshëm: miliarder europian që blen një ekip futbolli, lëre më çfarë surprize.
Megjithatë, pak befasues lajmi është: sikur gjithçka të përfundonte me sukses, Daniel Ek ka mundësi që do të ishte miliarderi i parë europian që blen një ekip futbolli pasi i ka bërë paratë me internetin. Dhe Europa miliarderë interneti thuajse nuk ka asnjë, jo në kuptimin që nuk ka miliarderë të tjerë si Ek, por në kuptimin që vetëm ai ka arritur të bëjë si amerikanët: ka krijuar një shërbim online të përdorur nga qindra milion njerëz, ka revolucionarizuar një treg të tërë, ka sjellë jetë në një industri që që po jepte shpirt, është bërë një titan i teknologjisë dhe është martuar në Liqenin e Como. Por edhe pse Ek e Spotify janë suedezë, krenaria është europiane: Spotify është Facebook dhe Google ynë dhe Daniel Ek është Zuckerberg dhe Brin&Page ynë.
Spotify, shërbimi muzikor në streaming më famshëm dhe më i përhapur në botë, ka ndryshuar përgjithmonë industrinë e muzikës dhe, sipas shumë njerëzve, e ka shpëtuar nga katastrofa e piraterisë. Ka 356 milion përdorues aktivë, prej të cilëve 158 milion paguajnë një abonim; ka të ardhura prej mbi 2 miliard dollarësh dhe anipse deri më tani praktikisht nuk ka realizuar fitime, analistët bien dakord kur parashikojnë një të ardhme me suksese. Përveçse është një biznesmen teknologjik me sukses të madh në Europë, në vitin 2017 Daniel Ek është emëruar si personi më i fuqishëm i të gjithë industrisë muzikore nga revista “Billboard”. Si të gjithë CEO teknologjikë që respektohen, edhe Daniel Ek ka një biografia publike të mirëhartuar, të pasur me anekdota që të çojnë në një trajektore gjenialiteti të parakohshëm, pengesa dukshëm të pakalueshme, sakrifice personale dhe këmbënguljeje biznesore, në një kreshendo që çon me kënaqësi tek fama dhe suksesi final.
Biografia e Ek fillon në Ragsced, një rrethinë e Stokholmit. Biri i një mekaniku që prej pak kohësh kishte gjetur punë si programues informatik dhe i një baby sitter shumë e pasionuar pas muzikës (gjyshi ishte këngëtar opere), Daniel Ek e pati kitarën e tij të parë në moshën 4 vjeçare dhe pak më vonë kompjuterin e tij të parë – kjo anekdotë, shumë e përmendur të gjithë artikujt e gazetave për Ek, është e rëndësishme sepse qysh nga fillimi lexuesi e kupton cilët janë dy pasionet kryesore të djaloshit. Siç do ta tregonte vetë ai në një intervistë për Sarah Lacy e uebsajtit Pando (dhe në dhjetëra të tjera), qysh në moshën 14 vjeçare Ek ishte një programues shumë i zoti: ishte fundi i viteve Nëntëdhjetë, të gjithë donin një uebfaqe dhe ai filloi t’i projektojë e t’i shesë, fillimisht 100 dollarë secilën, më pas me çmime më të larta dora dorës që rriteshin kërkesat, deri në 5000 dollarë.
Punët i ecnin aq mirë sa që Ek organizoi një biznes të vogël shkollor. U mësoi shokëve të tij më të rritut të klasës si të programonin dhe të përdornin Photoshop për grafikën e uebsajteve dhe pagesat ua bënte jo me para, por me objekte: videolojëra, iPod, celularë. Dhe përderisa biznesi nuk i lejonte kohë për asgjë tjetër, me të njëjtën metodë Ek pagi shokë të tjerë që të bënin detyrat dhe provimet shkollore në vendin e tij. Prindërit filluan të dyshonin kur nisën të shikonin televizorë, kompjuterl dhe objekte të tjera të kushtueshme të silleshin nëpër shtëpi, por në fund e kuptuan se shpirti sipërmarrës i Ek ishte i pamposhtur dhe u përshtatën. Ek i bindi që të transferoheshin në një shtëpi të re, kështu që ai të mund ta përdorte banesën e familjes si zyrë dhe si laborator. Në moshën 18 vjeçare menaxhonte një ekip prej 25 njerëzish. Me mbarimin e shkollës, Ek filloi të hapë aktivitete të ndryshme biznesore, si një kompani Seo (domethënë arti për t’u gjetur në Google) dhe marketingu online të quajtur Advertigo.
Kërkoi të punësohej edhe në Google, por nuk arriti pasi nuk kishte ndonjë diplomë. Në vitin 2005, falë një interesi të rinovuar investitorësh ndërkombëtarë për skenën teknologjike europiane dhe pjesërisht për shkak të ndonjë problemi me tatimet suedeze, Ek i shiti të gjitha bizneset e tij, midis të cilëve Advertigo, që u ble nga kompania e marketingut dixhital Trade-Double. Ek bëri disa miliona dollarë, ishte 22 vjeç dhe vendosi të dalë në pension. Bleu një apartament të madh në qendër të Stokholm, një Ferrari të kuq dhe për disa muaj frekuentoi “festat më cool” ku mund të kishte të gjitha vajzat që donte, siç ka thënë vetë në një intervistë për “Financial Times”. Ra në depresion.
Ky është momenti i kthesës i historisë. Ek shiti apartamentin, Ferrari dhe u tërhoq në një shtëpi të vogël në lagjen e vjetër të tij, afër banesës së prindërve, që të meditonte lidhur me të ardhmen. “Fillova të mendoja se çfarë kishte rëndësi vërtet për mua dhe kuptova se qenë dy gjëra në jetën time që më kanë qenë vërtet të rëndësishme: muzika dhe teknologjia”, i ka thënë Pando. Ishte viti 2006 dhe ishte momenti i duhur për të menduar për muzikën dhe teknologjinë. Faktikisht, tregu muzikor ishte në vlim: Napster, programi për të shkarkuar muzikë në mënyrë të paligjshme, ishte themeluar pak vite më parë, më 1999, dhe brenda pak kohësh kishte shkatërruar industrinë diskografike. Bota kishte zbuluar piraterinë, kishte kuptuar se nuk ishte më e nevojshme të paguante që të mund të dëgjonte muzikë dhe nuk qe më e mundur të kthehej prapa. Shtëpitë diskografike hynë në krizë njëra pas tjetrës. Në vitin 2001 Steve Jobs i Apple paraqiti iTunes, një shërbim i ri për të blerë muzikë dixhitale: fillimisht dha pak shpresë, por më pas gjërat rifilluan të përkeqësohen. Faktikisht, iTunes mundosnte të bliheshin këngë veçanërisht, duke e eliminuar burimin kryesor e fitimit të shtëpive diskografike dhe të artistëve: shitjen e albumeve. Në 2006, teksa Ek meditonte në shtëpinë e tij, industria diskografike me një goditje bishti e kishte mbyllur Napster, por gjërat nuk qenë përmirësuar: u shfaqën dhjetëra klone, të tillë si Kazaa dhe Limewire, që vazhduan ta shkatërrojnë tregun.
Në këtë periudhë Ek pati një takim të rëndësishëm me Martin Lorentzon, themeluesin e TradeDouble, kompanisë që kishte blerë Advertigo: gjatë traktativave të blerjes, të dy u bënë miq. Lorentzon kishte shitur TradeDouble dhe gjendej në të njëjtën situatë si Ek: shumë i pasur, i mërzitur dhe në kërkim të një projekti të ri. Duke folur, të dy vazhdonin të ktheheshin tek industria musikore dhe pas shumë meditimi vendosën se dë të provonin të krijonin Napster e ri, më të mirë, në streaming dhe të ligjshëm. Takuan Ludvig Strigeus, një programues të talentuar që kishte krijuar uTorrent, i cili në atë moment ishte një prej programeve më të famshme për të shkarkuar ilegalisht muzikë dhe video. Të tre nisën të punojnë për Spotify dhe ndërkohë Ek u bë për disa muaj CEO i uTorrent (më pas e la: nuk është maksimumi të pretendosh të shpëtosh industrinë diskografike nëse je në krye të një produkti të përdorur nga piratët).
Nga pikëpamja teknike, krijimi i Spotify qe i ndërlikuar, por jo i pamundur. Ek kuptoi se një prej metodave më të mira për të bindur përdoruesit të përdornin Spotify do të ishte një përvojë përdorimi e shpejtë, pa “fërkime”, siç thuhet në mjedis, dhe i kërkoi Strigeus që të bënte në mënyrë që, pasi të klikohej në një këngë, muzika të fillonte në harkun e 200 milisekondave, që është pakashumë kohëzgjatja e një rrahje qepallash. Në harkun e 4 muajve prototipi i parë i Spotify ishte gati. Problemi i vërtetë që më shumë bindja e shtëpive diskografike që të jepnin të drejtat për transmetimin ligjërisht të muzikës në streaming.
Në atë periudhë industria diskografike ishte e traumatizuar: po përjetonte një krizë të egër, praktikisht pa rrugëdalje dhe, kur erdhi Ek me idenë e një uebsajti që mundësonte të dëgjohej muzikë online, pa kufizime dhe në disa raste edhe falas (me kusht që të suportonte pak publicitet), nuk u prit tamam krahapur. Por, për një herë, fakti që ndodhej në Stokholm dhe jo në San Francisco qe shumë i dobishëm. Suedia qe një prej vendeve të para të botës që kishte internet të shpejt: të shkarkoje një kënbë ilegalisht ishte e lehtë dhe e shpejtë, si edhe nënkupton që pirateria ishte shumë e fortë dhe shtëpitë diskografike të dëshpëruara e të të gatshme që të dëgjonin këdo që u sillte pak shpresë. Veç kësaj, tregu suedez është i vogël dhe pak ndikues: të tentoje një eksperiment aty do të kishte qenë më pak katastrofik në rast dështimi. Pavarësisht kësaj, Ek ju deshën 2 vjet për të bindur shtëpitë diskografike që t’i jepnin të drejtat e streaming në Suedi e në disa vende europiane dhe, për të mbajtur në këmbë Spotify, ai dhe Lorentzon u detyruan që përdornin pjesë të madhe të pasurive të tyre personale. Kur më së fundi Spotify doli në tregun europian, në vitin 2008, me 20 milion këngë, qe një sukses mjaft i shpejtë.
Industria diskografike suedeze filloi ta rimarrë veten falë të ardhurave të streaming dhe Spotify siguroi financime nga investitorë të ndryshëm. Tërhoqi vëmendjen edhe të biznesmenëve të famshëm si Sean Parker, themeluesi i Napster, që pasi ka qenë mentori i Mark Zuckerberg vendos ta ndihmojë Ek që të futet në tregun amerikan, më të rëndësishmin e votës. Pasi kishte kontraktuar tashmë me versionin europian e shtëpive diskografike, Ek ishte i bindur se do të ishte e vështirë të zgjerohej kontrata edhe në Shtetet e Bashkuara. Në pjesën më të madhe kompanitë kryesore qenë të njëjtat: Emi, Sony, Warner dhe Universal. Gabohej: qenë të nevojshëm 2 vite e gjysmë të tjera për të siguruar të drejtat për tregun amerikan, ku Spotify hyri më 2011. Qe sukses edhe atje.
Ajo që ka ndodhur më pas është pakashumë histori e ditëve tona. Spotify është aktiv në mbi 80 vende dhe të gjithë – me të drejtë – mendojnë se e ka shpëtuar industrinë diskografike, bilancet e së cilës janë bërë më të lulëzuara siç ishte jo më përpara piraterisë. Streaming është bërë metoda dominuese kryesore e dëgjimit të muzikës në të gjithë botën. Ama jo të gjithë nuk janë të sigurtë se Spotify, përtej industrisë diskografike, ka shpëtuar edhe muzikën. Sistemi i shpërndarjes së të ardhurave është në fakt i disfavorshëm për artistët, sidomos ata emergjentë. Shumë eksponentë të rëndësishëm të botës muzikore e konsiderojnë të dëmshëm modelin Spotify, që u ka mundësuar kompanive dixhitale dhe shtëpive diskografike që të lidhin një aleancë ekonomike e cila shpesh shkon kundër muzikantëve.
Thom Yorke, këngëtari i famshëm i rrokgrupit Radiohead, shumë i dashur nga Ek, në vitin 2013 tha se Spotify ishte “pordha e fundit e dëshpëruar e një trupi që po vdes”. Por pavarësisht protestave, modeli Spotify ka fituar. Jo vetëm që është përhapur jashtëzakonisht, por edhe i është përshtatur konkurrencës: sot Apple, Amazon dhe jashtëzakonisht shumë kompani të tjera kanë shërbimet e tyre e streaming muzikor, në demonstrim të faktit që biznesi funksionon. Në vitin 2018 Spotify është kuotuar në bursë dhe sot vlen rreth 50 miliard dollarë. Ndërkohë, Ek ka revolucionarizuar dhe shpëtuar industrinë dhe ishte bërë tashmë kampioni më i madh teknologjik europian. Vazhdon të punojë në Suedi, por ka blerë shtëpi edhe në New York dhe ka zyra në të gjithë botën. Nëse si milioner 20 vjeçar ka blerë një Ferrari, si miliarder mbi 30 vjeçar të blejë një ekip futbolli është thuajse një hap logjik.
(nga Il Foglio)
Përgatiti
ARMIN TIRANA