Ulja e TVSH, 400 euro në vit për çdo familje

Lulzim Basha foli për programin ekonomik me qytetarët e Beratit, program për të hapur vende pune e për të rritur mirëqenien e shqiptarëve. Basha tha se, ai ka plan konkret dhe jo premtime, një plan që po zbatohet sot në SHBA dhe në Gjermani. Ulja e taksave si ajo e TVSh-së do sjellë 400 euro mesatarisht më shumë për çdo familje në vit, taksa e sheshtë do sjellë investitorë të huaj. Do të ketë 10 mijë stazhe për të rinjtë e sapodiplomuar, para në dorë për fermerët si dhe mbështetje për familjet në nevojë. Biznesi i vogël do ketë taksë vetëm 1.5% të xhiros dhe asgjë tjetër. Çmimi i naftës dhe i energjisë do të ulen. “Pata nderin dhe privilegjin e madh të takoj Presidentin Trump e t’i them që është një burim frymëzimi për lëvizjen tonë qytetare për t’i kthyer Shqipërinë shqiptarëve, dhe së bashku, për të ndërtuar një vend ku demokracia, ekonomia, bujqësia, arsimi, shëndetësia, nuk janë vetëm në dispozicion të 5 apo 10 politikanëve, por funksionojnë e japin fryte, vende pune e shërbime për gjithë qytetarët e ndershëm. Unë nuk kam premtime. Unë kam një program ekonomik, i cili funksionon në tërësinë e tij. Merreni dhe shfletojeni. Ajo që ka funksionuar në Europë aty ku kam studiuar, ajo që funksionon në Gjermani, ajo që funksionon për amerikanët, ku pika në këtë program janë sot në zbatim siç është ulja e taksave, çka m’u komunikua gjatë kohës së vizitës time aty, ajo do funksionojë edhe për Shqipërinë. Edhe Shqipëria, të njëjtat mundësi ka dhe shqiptarët kërkojnë të njëjtën gjë, jo lëmoshë. Që ta bëjmë këtë, duhet të aplikojmë këtë model ekonomik që funksionon anëmbanë botës. Së pari, taksa të ulëta. Ulja e TVSH-së do të kthejë në xhepat e shqiptarëve 400 milionë euro në vit dhe mesatarisht 400 euro për familje vit për vit. Do rrisim konsumin, i cili është çelësi i rritjes ekonomike, sepse rrit prodhimin, rrit kërkesën për vende pune, që ringjall kërkesën për kreditim të ekonomisë dhe në këtë mënyrë do të vihet në lëvizje zinxhiri pozitiv i rritjes ekonomike, i krijimit të vendeve të punës”, tha Basha. Kryedemokrati foli në Berat edhe për nisjen e projektit të madh rrugor, boshti qendror i jugut që do të lidhë Beratin me Tiranën. “U takuam tek pika që ju i thoni, y, por nuk do të ketë më as x as y dhe as të panjohura. Ajo është një pikë vendimtare ku do lidhet boshti qendror jugor që do bashkojë Tiranën me Beratin. E kam parë dhe e kam ëndërruar këtë projekt, që kur kam qenë deputet në Elbasan, ku shikon kodrat e Dumresë dhe përtej tyre shtrihej Kuçova e më tej Berati. Me sytë e mendjes kam ëndërruar se si do të duket boshti qendror jugor që do ta bëjë Beratin 1 orë distancë nga Tirana”, tha Basha. Ai u prezantoi qytetarëve programin që parashikon rimëkëmbjen e ekonomisë për gjithë shqiptarët. Një plani i mbështetur nga ekspertët më të mirë europianë të kancelares Merkel, i cili ka funksionuar në Europë dhe do të funksionojë në Shqipëri. Basha nuk vjen në këto zgjedhje me premtime, por ai ka një plan konkret që është provuar se do të rrisë ekonominë, vendet e punës, përmes uljes së taksave, 10 mijë stazheve për të rinjtë, rritjen e pensioneve me minimalin 250 mijë lekë në muaj, ndihmë direkte për fermerët me 100 milionë euro në vit, si dhe pagesën e ujit dhe dritave për familjet në ndihmë ekonomike.

Asnjë pazar me Rama-Metën

Basha tha se, në 25 qershor nuk do të bëjë asnjë koalicion për pazare. Ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që mos dëgjojnë zërat se PD mund të bëjë koalicion me PS. Kreu i opozitës deklaroi se Republika e vjetër po i kërkon dorën Republikës se re, por si shpërblim do të marrë grushtin në 25 qershor. “Ndaj dua sot tju kërkoj që kështu siç keni besuar në këto 110 ditë që nga fillimi i lëvizjes popullore të 18 shkurtit, mos dëgjoni sirenat që ju flasin për pazare, për koalicione. Jo do e bëj koalicionin me këtë, jo do e bëj me atë. Tani, Republika e vjetër e di si është bërë apo jo? Nuk kanë pikë turpi kanë mbetur në derë të Republikës së re, duke kërkuar dorën.  Si thoni t’ia japim apo jo? Këtë, brrylin në 25 qershor se grushtin e morën. Republika e re nuk ka nevojë për pazare. Është e qytetarëve kjo lëvizje dhe unë nuk e tradhëtoj kurrë siç ju dhashë fjalën në 18 shkurt. Le të dalim masivisht, sepse kjo betejë nuk bëhet as për të bërë Pazar me Ramën dhe Metën, kjo betejë bëhet për shqiptarët”. Kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë takimit elektoral me banorët e Beratit, premtoi se me ardhjen e PD-së në pushtet do të bëjë realitet ëndrrën e çdo qytetari për një autostradë Tiranë-Berat, për të afruar çdo qytetar të kësaj zone me kryeqytetin. Ai tha se, ky do të jetë një nga projektet më të mëdha të qeverisë së tij në 4 vitet e ardhshme. ‘Ky është projekti im. Boshti qendror jugor që do të Bashkojë Tiranën me Beratin. E kam ëndërruar që kur isha deputet në Elbasan. Pengesa më e madhe ishte Krraba, por e mposhtëm. Unë do e mbaroj këtë rrugë. Premtimi im i madh është që do të ndërtojmë boshtin Elbasan-Tiranë-Berat’, deklaroi Basha. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim elektoral me banorë të Beratit. Basha komentoi edhe takimin me Presidentin amerikan Donald Trump pak ditë më parë. Ai tha se, Presidenti amerikan është burim frymëzimi për kauzën e PD. “Edhe ky burrë (tregon foton me Trump) e nisi rrugën e tij kundër establishmentit politik. Trump është burim frymëzimi për ne. Takimi me Trump ishte një nder dhe privilegj. Rama refuzon debatin, pasi ndryshe nga unë që vij me një plan ekonomik me ekspertët më të mirë, ai nuk ka program. Rama premtoi 300 mijë vende pune, por i çoi refugjatë”, tha Basha. Ndër të tjera, Lulzim Basha tha se, ekonomia shqiptare është në kolaps dhe se rinia ka papunësinë më të lartë. Basha u shpreh se, PD do shpenzojë 24 milionë euro në vit për të financuar 10 mijë stazhe 1-vjeçare.  “Do ta bëj Shqipërinë me taksën më të ulët në Ballkan që do të sjellë investim të huaj dhe të brendshëm. Pjesë e planit ekonomik timit që konstatova edhe në Amerikë si shtyllë të tyre, janë stazhet për të rinjtë. Ekonomia shqiptare është në kolaps. Rinia ka papunësinë më të lartë. Ka ardhur koha të bëjmë gjithçka për punësimin e rinisë së Beratit dhe Shqipërisë. Republika e Re do shpenzojë 24 milionë euro në vit për të financuar 10 mijë stazhe 1-vjeçare me pagesë 200 mijë lekë në muaj për bijtë dhe bijat e Shqipërisë që të ndërtojnë një urë nga bankat e shkollës në tregun e punës”, tha Basha.

Boshti qendror jugor do të Bashkojë Tiranën me Beratin

Kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë takimit elektoral me banorët e Beratit, premtoi se me ardhjen e PD-së në pushtet do të bëjë realitet ëndrrën e çdo qytetari për një autostradë Tiranë-Berat, për të afruar çdo qytetar të kësaj zone me kryeqytetin. Ai tha se ky do të jetë një nga projektet më të mëdha të qeverisë së tij në 4 vitet e ardhshme. ‘Ky është projekti im. Boshti qendror jugor që do të bashkojë Tiranën me Beratin. E kam ëndërruar që kur isha deputet në Elbasan. Pengesa më e madhe ishte Krraba, por e mposhtëm. Unë do e mbaroj këtë rrugë. Premtimi im i madh është që do të ndërtojmë boshtin Elbasan-Tiranë-Berat’, deklaroi Basha.

Rimëkëmbje ekonomike, ulje taksash, punësim

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim elektoral me qytetarët në Kuçovë, ku ndër të tjera tha se nuk do të bëjë aleancë me Ramën dhe Metën. “Republika e vjetër është bërë si rreckë dhe kanë mbetur në derë të Republikës së re, duke kërkuar dorën. Po çfarë t’u japim në 25 qershor? T’u japim bërrylin, sepse ne nuk i tradhtojmë qytetarët. Kjo betejë nuk është për pazar me Ramën dhe Metën, por për qytetarët”, tha Basha. Gjatë ecjes dhe takimeve me banorë të Kuçovës, Basha ka diskutuar me një pronare fast food-i, e cila ishte e shqetësuar që dreka që do të paguajë shteti për fëmijët e shkollave, me Bashën kryeministër, mund ta lërë atë pa punë. Mirëpo, Lulzim Basha e ka sqaruar se i gjithë plani i tij ekonomik është integral dhe i kombinuar dhe do të sjellë rritje të konsumit, pra dhe rritje të xhiros së saj. Plani ekonomik po pritet mirë nga qytetarët sidomos nga pensionistët. Një i pamundur i tha dje Lulzim Bashës që merrte vetëm 23 mijë lekë të vjetra në muaj. As për bukë e ujë nuk më del, tha qytetari. Basha i sqaroi banorët e Kuçovës që paratë e shqiptarëve nuk do të shkojnë për pllaka e palma. Ulja e taksave do të jetë oksigjen për ndërmarrjet e vogla që do u mundësojë rritjen e krijimin e vendeve të reja të punës. Në shumë prej dyqaneve ku u ndal Basha, tregtarët thanë se sot s’kishin shitur asgjë. Ndaj, tha Basha, plani im rrit konsumin, sjell paranë në qarkullim, ndez motorrin e ekonomisë.

Exit mobile version