Nga Sebastian Zonja
Më 9 maj të vitit 1950, ministri i jashtëm i Francës, Robert Schuman, do të mbante një fjalim për të hedhur bazën e ndërtimit të Evropës së bashkuar. “Evropa nuk do të bëhet e tëra përnjëherë, as sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, të cilat, fillimisht, krijojnë një solidaritet de facto.”, tha politikani vizionar francez.
Data nuk ishte e rastësishme, pasi përkujtohej 5 vjetori i fitores mbi nazifashizmin. Me ndihmën e paçmuar amerikane, gjakun e milionave ithtarëve të lirisë kundër nazifashizmit, Evropa i çoi në humnerat e thella të ferrit dy nga ideologjitë më kriminale të shekullit të XX.
Plani Marshall i SHBA-së dhe ndihma konkrete amerikane në terren për t’u rimëkëmbur nga lufta, i dhanë udhë njërit prej projekteve më të mëdha politike në historinë e njerëzimit – Evropës së Bashkuar. Liria, dinjiteti, solidariteti, barazia, qytetaria dhe drejtesia janë në thelb të këtij projekti marramendës politik.
Por pushtimi rus i Ukrainës e cënoi në thelb të tij këtë projekt kaq të madh politik. Duke shkelur çdo parim të së drejtës ndërkombëtare, çdo parim të qytetarisë, rusë u futën në Ukrainë për të pushtuar, vrarë dhe, më e keqja, për të rrëmbyer edhe fëmijët.
Medie të ndryshme ndërkombëtare flasin për rreth 16,000 fëmijë të rrëmbyer përdhunshëm nga familjet e tyre. Këta fëmijë më pas rusifikohen dhe trajnohen për të luftuar kundër ukrainasve, tha pak kohë më parë Ombudsmeni ukrainas për të Drejtat e Fëmijëve, Daria Herasymchuk.
“Rusët erdhën në Ukrainë me një plan të përgatitur në mënyrë perfekte. Ata e dinin se çfarë donin – të asgjësonin kombin ukrainas. Kjo është arsyeja pse ata vrasin fëmijë, i rrëmbejnë, i japin për birësim dhe ndryshojnë shtetësinë e tyre. Ky është gjenocid i planifikuar ndaj popullit ukrainas”, deklaroi Herasymchuk.
Sipas dokumentacionit zyrtar ukrainas, rusët kanë rrëmbyer 16,226 fëmijë nga Ukraina. Fëmijët ukrainas që përfundojnë në Rusi janë zakonisht fëmijë të marrë nga jetimoret. Fëmijë të tjerë janë edhe ata të marrë nga prindërit që janë ndaluar nga autoritetet ruse. Fëmijët që çohen në Rusi i nënshtrohen rusifikimit. E kanë të ndaluar të flasin ukrainisht dhe i ushqejnë me propagandë ruse. Shumë prej tyre janë vendosur në kampe ushtarake dhe po përgatiten për luftë kundër popullit të tyre. Disa që arrijnë të kthehen në familjet e tyre, shpesh kanë trauma të thella.
Kështu po e përkujton Evropa këtë 9 maj. “Të gjitha gjestet njerëzore ndihmojnë. Gjestet e mizorisë nuk ndihmojnë”, tha Papa Françesku pak ditë më parë, ndërsa apeloi për humanizëm dhe ceku temën e fëmijëve të rrëmbyer.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisionerin e fëmijëve të Rusisë, duke i akuzuar ata për krime lufte për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina. Rusia ka mohuar çdo keqbërje, duke pretenduar se fëmijët janë zhvendosur për sigurinë e tyre.
Peshën e gjenocidit, dy dekada më parë, e ndjenë shqiptarët mbi supet e tyre. Ne e dimë mirë se çdo të thotë të të rrëmbehet fëmija nga duart prej pushtuesit. Andaj, sot ne e përkujtojmë këtë 9 maj si ngadhnjim të dritës së syve të fëmijëve ndaj pushtuesit.