Ekonomisë i kanë munguar në tetë muajt e parë të këtij viti rreth 3.2 miliardë lekë, apo 23 milionë euro, që nuk kanë arritur të hidhen në qarkullim për ndërtimin e rrugëve, spitaleve, shkollave etj. Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale për 8-mujorin ishin 28.8 miliardë lekë, nga 32 miliardë lekë që ishte plani fillestar i vitit, duke qenë rreth 10% më të ulëta. Megjithatë, në gusht, realizimi i shpenzimeve kapitale ka qenë më i larti, jo vetëm i të gjithë muajve të 2016-ës, por edhe të gushtit të pesë viteve të fundit.
Në tre vitet e fundit (2014-2016), niveli i shpenzimeve kapitale për 8-mujorin ka mbetur në nivelin e 27-29 miliardë lekëve, duke qenë shumë më i ulët se në 2012-2013. Nga grafiku, shihet se në 2013-ën, që ka qenë një vit elektoral, ka pasur një shfazim të realizimit të shpenzimeve kapitale, sipas muajve, teksa ato kërcyen në prill, përpara zgjedhjeve të qershorit, për t’u reduktuar pas periudhës tranzitore të ndryshimit të qeverisë.
Por, edhe pas formatimit të kabinetit të ri qeveritar, niveli i shpenzimeve kapitale mbeti i ulët. Në 2014-2015, investimet kapitale kaluan nga Ministria e Financave në atë të Ekonomisë dhe ky tranzicion çoi në një ngërç të realizimit të tyre. Në 2016-ën, investimet u rikthyen në Ministrinë e Financave. Mosrealizimin më të madh të shpenzimeve kapitale e kanë përgjithësisht ato me financim të jashtëm, për shkak të vonesave në disbursimin e fondeve.
Sa u përket investimeve në vitin 2016, sipas zërave, 21 mld lekë janë planifikuar për ndërtim dhe rikonstruktim rrugësh, 5 mld lekë për investime në energji (përtej investimeve të vetë kompanisë) dhe për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve rreth 10,5 mld lekë. Me gjithë fondet në ulje vit pas viti, edhe ato nuk po mund të realizohen. Qeveria e ka shndërruar në traditë shkurtimin e fondeve të investimeve në mes të vitit. Edhe këtë vit, plani i investimeve publike shkurtoi fondet për këtë zë. Por gjithashtu nuk ka edhe një përdorim eficient të tyre. 10% e investimeve publike të këtij viti, qeveria i ka parashikuar për administratën, në blerje pajisjesh, mobilime zyrash si dhe kompjuterë.