Ngërçi politik, Presidentja Osmani do të ftojë partitë politike në një takim për zhbllokimin e situatës

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë hapin e parë në lidhje me organizimin e një takimi gjithëpërfshirës për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik. Anëtarë të kabinetit të saj njoftuan se do të kontaktojnë partitë politike për t’u dakorduar për kohën e përshtatshme për organizim të takimit.

osmani

Presidentja Vjosa Osmani do t`i ftojë liderët e partive politike për t’u takuar, në funksion të zhbllokimit të situatës politike.

Njoftimi nga Zyra e Presidentes, u bë një ditë pas thirrjes së PDK-së adresuar Osmanit që ta organizojë një tryezë me qëllim që të gjendet zgjidhje për ngërçin në konstituimin e legjislaturës së re.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, tha këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

Të enjten, përfaqësues të Lidhjes Demokratike thanë se në parim janë pro një takimi që synon të zgjidhet ngërçi politik.

“Ne e kemi vendos këtë propozim në tavolinë. Jemi të hapur të jemi prezentë në takime të tilla për të nxjerrë vendin nga ngërçi institucional. Varet për çfarë ftohet takimi dhe çfarë qëllimi mund të ketë, s’mund të japë përgjigje në pyetje hipotetike, por ka qenë propozim i yni që të gjitha partitë parlamentare të mblidhen diku për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik”, tha Bajrami.

E, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje nuk treguan se si do të përgjigjeshin ndaj një ftese të mundshme të presidentes, për takim të tillë.

Kryetari i kësaj që ka dalë fituese e zgjedhjeve, Albin Kurti, ftoi javën e kaluar në takim kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në takimin që nuk prodhoi zgjidhje, i ka shkuar vetëm Krasniqi.

Exit mobile version