Holandës i ka mjaftuar një fitore 3-1 ndaj Bullgarisë për të ngjallur përsëri shanset e saj për pjesëmarrjen në Botëror, edhe pse “Tulipanët” në fakt duken në garë për vendin e dytë në grup dhe jo për të parin. Skuadra e Advokat triumfoi dalë dygolëshit të Proper dhe atij të Roben në një ndeshje ku çdo rezultat tjetër do të kishte bërë thuajse të pamundur kualifikimin e tyre, qoftë edhe në play off. Fitorja e Suedisë me shifrat 4-0 në ndeshjen tjetër të luajtur pasdite në grup sigurisht që nuk e bën të lehtë kualifikimin, pasi skandinavët kanë tre pikë avantazh ndaj holandezëve. Por ata shpresojnë që të marrin pikë të plota në dy ndeshjet e fundit për të siguruar të paktën vendin e dytë, pasi Franca duket e qetë në vendin e parë.
Ndërkohë, Ishujt Faroe kanë marrë fitoren e dytë të eliminatoreve dhe janë ngjitur në kuotën e 8 pikëve, si asnjëherë më parë në historinë e tyre. Skuadra e drejtuar nga Lars Olsen, mundi Andorrën me shifrat 1-0.
Kombëtarja e Portugalisë ka fituar në udhëtim ndaj Hungarisë me rezultat minimal 1:0, duke mbajtur kështu gjallë shpresat për kualifikim direkt. Golin e vetëm dhe të fitores e shënoi Andre Silva, pas një asistimi të Cristiano Ronaldos në minutën e 48’. Pas kësaj fitoreje Portugalia mbetet në vendin e dytë në Grupin B me 21 pikë, 3 më pak se sa Zvicra në vendin e parë, por që kanë edhe një ndeshje për të zhvilluar kundër njëra-tjetrës.