Ngjarja e Pogradecit tregoi se Ata duan Partinë mbi Shqipërinë!

Nga Ermal Peçi

Ishte viti 2016 kur në Kongresin e Partisë Socialiste, të entuziasmuar dhe të dehur nga avujt e pushtetit, krerët më të lartë të Partisë Socialiste bënin deklaratat mediokre se mes Partisë dhe Shqipërisë ata zgjidhnin Partinë. Deklarata që dhe Enver Hoxha do t’j kishte zili për dellin e treguar se çfarë bëjnë pasardhësit e tij për nënën parti.
Saimir Tahiri, Taulant Balla dhe Elisa Spiropali ishin disa nga zërat, të cilët e thonin me krenari e duartrokiteshin nga pjesëmarrësit në atë kongres. Duket si një kohë e gjatë, por në fakt janë vetëm pak vite dhe mos të kishte ndodhur ngjarja tragjike në Pogradec mbase në këtë kohë sdo më kishte vajtur mendja të rikujtoja atë ngjarje aq të shpifur. Ngjarja tragjike e Pogradecit ku Egli Proga humbi jetën vetëm se nuk pranoi të paguante gjobën që u vendos nga Denis Meçe, i cili është nipi i një funksionari të lartë të Partisë Socialiate në qytetin e Pogradecit.
“Më jep xhiron ditore” një gjobë që u kthye në vdekje dhe la dy fëmijë jetim është fabula e qytetit të Pogradecit, por mbi të gjitha ajo çfarë po del në sipërfaqe është se pasi Denis Meçe e ka goditur me grusht të ndjerin Proga, policia e Pogradecit e ka vrarë për së dyti, të ndjerin me pasivitetin e saj dhe bashkëpunimin me botën e nëndheshme.
Ishin mediat online e qytetarët që kanë parë dhe që i dhanë zë një ngjarje tragjike që Policia e Pogradecit donte ta fshihte dhe ta fshinte përgjithmonë për mos të marr vesh kurrë të vërtetën.
Prandaj sot duhet të marrin përgjigjë për këto pyetje!
1-Pse Policia e Pogradecit veproi si organizatë kriminale për të fshehur ngjarjen?
2-Kush ishin politikanët që ndërhynë ?

3-Pse nuk ka regjistruar kamera e sigurisë në lokalin ku ndodhi ngjarja, pse pikërisht atë ditë nuk punonin kamerat?
4-Pse Policia e Shtetit nuk dha njoftim paraprak zyrtar për ngjarjen të shtunën kur ndodhi krimi? (Njoftimi u dha të nesërmen, 15 orë pas ngjarjes) Çfarë e pengoi Policinë?

Në të gjithë këto pyetje unë e di shumë mirë që askush nuk do t’i japë përgjigje, nuk do guxojë të flasë dhe as të përmendë më shumë detaje, por në të gjithë këtë ngjjarje po kuptoj që ata duan Partinë më shumë se Shqipërinë. Ata duan Partinë sepse veprojnë si një organizatë që askush nuk e tradhton njëri-tjetrin pavarësisht se vrasin njerëz të pafajshëm. Ata veprojnë si një organizatë, e cila nuk njeh drejtësi jashtë rrethit të tyre. Ata veprojnë si një organizatë ku ata vetëm duhet të pasurohen e ne të tjerët të varfërohemi. Ata veprojnë si një organizatë ku ne punojmë dhe ata kanë guxim të na vendosin gjoba. Ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre, që Partia Socialiste është mbi Shqipërinë, por mund ta lejojmë më ne këtë situatë. A mundet që këta që janë pakicë ta trajtonë Shqipërinë si çiflig të tyre? A mundet që këta ta mendojnë se mund të na vjedhin, të na varfërojnë, të na plaçkisin, të na tallin e në fund të ma marrin dhe jetën. Kjo situatë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë sepse askush nga ne nuk është mbi ligjin dhe askush nga ne nuk mund të lejojë që partitë politike të triumfojnë mbi Shqipërinë.

Artikulli paraprakProvat e shtetit mafioz janë kudo
Artikulli tjetërNdërron jetë rrugës për spital 55-vjeçari, ja cili dyshohet të jetë shkaku