Në një reagim në profilin e tij në rrjetin social facabook, anëtari i Kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, Myzafer Elezi, shprehet se ngjarjet kriminale të tipit mafjoz janë shtuar në mënyrë shqetësuese, ndërsa besimi i qytetarëve të Policia e Shtetit ka rënë ndjeshëm.
“Ne, Demokratët Euroatlantikë, kërkojmë nga qeveria të marrë përgjegjësinë për paaftësinë e saj për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të përforcuar strukturat e rendit dhe sigurisë publike. Populli shqiptar meriton një qeveri që i mbron dhe jo një administratë që toleron krimin dhe pasigurinë.” – shkruan ai më tej.
Më poshtë postimi i plotë:
Të nderuar miq,
Shkodra është tronditur nga një tjetër ngjarje e rëndë kriminale. Persona të armatosur kanë shtënë me armë zjarri, duke shkaktuar katër viktima, nga të cilët tre të vrarë dhe një tjetër i plagosur rëndë. Ky është një akt që trondit jo vetëm qytetin e Shkodrës, por gjithë Shqipërinë, duke dëshmuar dështimin e vazhdueshëm të qeverisë për përmbushjen e detyrimeve të saj për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në të gjithë territorin e vendit.
Ngjarjet kriminale të tipit mafioz janë shtuar në mënyrë shqetësuese, ndërsa besimi i qytetarëve tek Policia e Shtetit ka rënë ndjeshëm, për shkak të lidhjeve kriminale brenda radhëve të saj. Deklaratat e kreut të SPAK, që nënvizojnë bashkëpunimin e krimit me eksponentë të policisë, janë një thirrje urgjente për veprim dhe për një pastrim të thellë të strukturave të rendit.
Ne, Demokratët Euroatlantikë, kërkojmë nga qeveria të marrë përgjegjësinë për paaftësinë e saj për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të përforcuar strukturat e rendit dhe sigurisë publike.
Populli shqiptar meriton një qeveri që i mbron dhe jo një administratë që toleron krimin dhe pasigurinë.
Qytetarët shqiptarë meritojnë të jetojnë të sigurt dhe të mbrojtur në vendin e tyre. Kjo është një e drejtë themelore dhe një detyrë e qeverisë dhe institucioneve ligjzbatuese për të cilën nuk mund dhe nuk duhet të ketë më asnjë justifikim.
Ju faleminderit.