Ngjarja e rëndë pranë shkollës “Fan Noli”/ Mirela Karabina: Tragjedi e paralajmëruar që ka terren të përsëritet

Nga Mirela Karabina
Ngjarja e rëndë pranë shkollës “ Fan Noli” ku një fëmijë 14 vjeҫar vrau bashkëmoshatarin e tij, Martinin e bukur vetëm 14 vjeҫ, ka tronditur nxënës, mësues, prindër dhe mbarë opinionin publik.
Nuk gjendet fjalë ngushëlluese për prindërit e Martinit që humbën djalin e tyre të vogël, për bashkëmoshatarët që përjetojnë në këtë moshë një ndarje të tillë nga jeta të shokut të tyre, njëkohësisht dhe keqardhje për një tjetër fëmijë, i cili kreu aktin më të rëndë në jetë, atë të vrasjes së shokut.
Kjo tragjedi nuk ndodhi nga askundi, dhe jo vetëm që ka qenë e paralajmëruar,  por ka terrenin e duhur për të ndodhur përsëri.
Pasi shqoqëria shqiptare është në një krizë të thellë shoqërore në mungesë morali dhe karakteri, ku e keqja ia ka zënë vendin të mirës, ku anormalja paraqitet si normale, ku institucionet kanë humbur rolin dhe ia kanë lënë spontanitetit.
Dhe promotorë të kësaj gjendje janë vendimarrësit politikanë dhe kjo qeveri aktuale 12 vjeҫare me veprimet e tyre të mbrapshta të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.
Familja në krizë shihet në shifrat e divorceve në rritje nga shkaqe ekonomike, emigracioni apo dhunës në familje. Figura e mësuesit është shpërfillur duke e lënë në kushte të vështira pune dhe jo të vlerësuar e respektuar. Shkolla ka humbur rolin edukues dhe ofron standarte të ulta me klasa të mbipopulluara pa ajër e oksigjen; pa mjete e kushte mësimore bashkëkohore; mësimi i cunguar me turne duke mos lënë hapsirën e nevojshme për arsimim e edukim të nxënësve; fiktivitet në vlerësime, kopjimi zyrtarizohet nga vetë institucione arsimore, paguhet lëkë për provime e diploma në shkolla e univeristete e shumë të tjera dhe të gjitha këto reflektojnë në ndërtimin e karakterit të fëmijët.
Pra, dy institucionet më të rëndësishme të edukimit janë tronditur duke humbur rolin edukues të vlerave morale, familja që  është e para në edukim dhe shkolla, e cila i mundëson nxënësit të mësojnë për etikën, vlerat morale, kompetencat dhe zbatimi i tyre përmes aftësive të fituara.
Mirëpo këto dy institucione janë goditur shumë, atëherë rolin parësor në edukim e ka marrë shoqëria dhe media.
Njëra, shoqëria është në krizë të thellë vetë, e dhunuar dhe prodhon dhunë, jo mirë e edukuar, jo e civilizuar, e frustruar, e frikësuar, indiferente, i është vrarë shpresa dhe me mungesë të thellë të empatisë dhe vetëdijes për ndryshim.
Ndërsa media, në interesa ekonomikë dhe nën trysninë e pushtetit, fatkeqësisht promovon modelin e gabuar të arritjeve të të rinjve përmes standarteve të gënjeshtra, të bukurisë false që vret, të dhunës verbale psikologjike të politikanëve përmes fyerjeve e sharjeve dhe kërcënimeve, jo dialog konstruktiv ku të mbizotërojë deduksioni logjik, të pasurimit të shpejtë e të tjera e të tjera.
Sot në media lajtmotivi i emisioneve të ditës duhet të kishte qenë Martin Cani, vetëm ai, djali 14 vjeҫ që nuk jeton më për shkak të indiferencës së të gjithëve, shkollës, shoqërisë, medias, qeverisë dhe shtetit që reagojnë vetëm kur e keqja ndodh, e më pas, asgjë…
Fatkeqësisht, problemi ynë është shumë më tepër se thjesht ekonomik dhe arsimor. Problemi ynë ka të bëj me të mangësitë në moralin apo në karakterin tonë për të ndërmarrë veprimin e duhur.
Sikur secili nga ne të bëjë më të mirën si prind e profesionist i fushës dhe politikanët mos korruptohen e të mashtrojnë por të ndërmarrin politika që adresojnë problemet e qytetarëve dhe zgjidhjen e tyre, sigurisht që gjërat do shkonin mirë dhe jeta jonë do të ishte më e sigurtë.
Por nuk po ndodh kështu, jëtojmë në një terren ku të gjithë jemi të rrezikuar…
Exit mobile version