Nga Besart Logu
Qëndrimi i gjatë në pushtet të konsumon. Tre mandate, në një vend që i zgjatet tranzicioni mbi 30 vjet, konsumi është edhe më i madh. Duke llogaritur skandalet e korrupsionit dhe përfshirjes së politikës me krimin, konsumi nuk njeh frena. Në të tilla kushte ndodhet sot Partia Socialiste.
Në jo më pak se një vit, vendi shkon në zgjedhje parlamentare. Një opozitë në kolaps dhe që nuk mundet të rishpikë veten e të kthehet në alternativë, nuk e ndihmon aspak kryeministrin. As listat e mbyllura që shuajtën mundësinë e krijimit të polit të tretë, sepse të gjithë kryetarët e partive të vogla duan vendin e parë, nuk e favorizojnë. Kjo sepse ka një opozitë shumë më të fortë e reale se ajo politike, shoqërinë e lodhur nga establishmenti 30 vjeçar i Ramiz Alisë.
Prandaj, në këto zgjedhje, banditët e halabakët do të jenë në ballë të fushatës. Direktiva është shumë e qartë “Më mbani që t’ju mbaj”. Kështu që, tensionet e rritura janë krejt normale. Me kosto jetën? Padiskutim që po. Do i mbrojë pushteti? As që diskutohet!
Ngjarja në Pogradec është kambanë alarmi për këdo që ka probleme me dëgjimin; përcjell devizën majtiste të përsëritur nga Gramoz Ruçi në fushatën e 2021 se “pushteti merret me pushkë dhe mbahet me pushkë”!