Ngjyrat e Shqipërisë

Nga Dr. Oltsen Gripshi, 

Historian arti & kurator i ekspozitës

Në këtë fillim shekulli XXI spikasin përparimet shumëplanëshe shkencor dhe teknologjike të cilat kanë revolucionarizuar mënyrën e udhëtimit dhe të vëzhgimit të natyrës në bashkëkohësinë që jetojmë. Një revolucion përballë të cilit qëndron piktori krijues. Ai, që e ka jetike marrëdhënien e ngushtë me natyrën. Zhvillimi i teknologjive ka ndryshuar padyshim botëkuptimin e kësaj marrëdhënie të pashmangshme dhe të pandashme midis piktorit dhe natyrës, apo peizazhit si përmasa e lirisë shpirtërore në pikturë.

Kjo metamorfozë e marrëdhënies së piktorit në raport me natyrën është e hershme. Ajo nisi me zbulimin e fotografisë në vitin 1826 nga francezi J. N. Niépce. Një zbulim, i cili do t’i mundësonte piktorëve të përjetonin emocione të reja dhe ta shikonin natyrën përmes këndvështrimeve të ndryshme. Proces ky që shënoi kalimin themelor nga kontakti i drejtpërdrejt me natyrën, duke përftuar të gjitha ndjesitë e atij çasti, në atë të një natyre të ruajtur brenda hapësirës së një imazhi të fotografuar e më pas të pikturuar në atelierin e piktorit.

Kur flasim për këtë marrëdhënie kemi parasysh pikturën e Bajram Matos, i cili kërkon të ripozicionoj rregullat e mirënjohura të perspektivës, format dhe gjuhën e pikturës së peizazhit. Kjo, sepse ai në dallim nga piktorët e tjerë të en plein air-it nuk është plotësisht i tillë, por nuk është as plotësisht një piktor atelieri.

Bajram Mato padyshim shkëndinë e parë e përfton nga kontakti i drejtpërdrejt që ka me natyrën, por ai nuk asimilohet nga ajo, përkundrazi merr nektarin e saj dhe më pas e përpunon atë sipas ndjeshmërisë së tij psikoshpirtërore në atelier. Ndaj fotografia është mjeti i domosdoshëm për vijueshmërinë e procesit të tij krijues, sepse piktori Mato nuk rendet për ta përfunduar vrullshëm peizazhin e nisur në natyrë. Ai është një piktor që nuk ecën paralel me kohën si përmasë e ekzistencës njerëzore, përkundrazi ai ka trajektoren e tij për të mbërritur atë që dëshiron të shpërfaqë nga vetja.

ee516370 5ddc 44d1 a9c5 81b2b26aa873

Ritmi i tij i të pikturuarit është i ngadaltë, por i mbështetur mirë në atë çfarë mendon dhe kërkon të “rrëmbej” nga natyra. Ky ritëm ka bërë që piktori Bajram Mato të kapërcej kohën, duke i mbivendosur peizazheve që pikturon kohën e tij, atë fiziologjike si qenie njerëzore.

Ekspozita është konceptuar si një udhëtim nëpër Shqipëri, në kohë dhe hapësirë, që rizgjon tek publiku ndjesi, përjetime dhe kureshtjen për t’i njohur e soditur territoret e pikturuara nga Bajram Mato. Zhanri i peizazhit është ai që ka shpërfaqur më së miri botën e brendshme të piktorit nga Fieri. Një zhanër, i cili ka bërë që piktori të udhëtoi skajeve të Shqipërisë, duke përjetësuar mbi kanavacë peizazhe nga bregdeti i kristaltë i ujrave të Jonit në Vlorë, nga Alpet hijerënda të Veriut mbuluar nga bardhësia verbuese e dëborës gjatë dimrit, nga rajoni piktoresk i Korçës në stinën e vjeshtës shumëngjyrëshe dhe deri tek pikturimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore. Në çdo stinë të vitit piktori Mato gjendet në gjirin e natyrës, ashtu si një murg vetmitar që jetën ia ka kushtuar perëndisë, ndërsa ai pikturës së peizazhit.

Piktori Bajram Mato peizazhet e tij i ngjiz në mesin e natyrës, për t’i përsosur më pas ato në atelier, atje ku ai shkëputet tërësisht nga realiteti që kishte përballë, duke rikrijuar një realitet tjetër, atë të një pikture dekorative. Një pikturë e shtrirë me njolla të mëdha ngjyrash të pastra, pa shumë përzierje, e cila kërkon të kllapisë gjendjen atmosferike dhe efektet e dritës së atij çasti. Një pikturë e krahasueshme midis impresionistëve dhe makiaiolistëve, por piktori Mato ka formësuar një identitet tërësisht vetjak për sa i përket mënyrës se si ai e trajton peizazhin dhe zhanret e tjera mbi kanavacë.

Kur shohim pikturën e Bajram Matos kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me një piktor në kërkim të përsosmërisë ideale për të imituar natyrën, sesa shpërfaqja e asaj që ai përjeton brenda vetes, duke na ftuar të sodisim shtigjeve të “peizazheve të shpirtit”, me një tendencë simboliste.

Ajo që tërheq menjëherë vëmendjen e vëzhguesit kur gjendet përballë pikturës së tij është një sekuencë sugjestive e peizazheve reale, por që mbi kanavacë ato shndërrohen në imazhe imagjinare të mbështjella nën petkun ëndërrues të mënyrës se si piktori e shikon natyrën. – Vendpeizazhe emocionale, ku territori shndërrohet në imazh simbolik të së padukshmes, ndaj së cilës intuita bëhet thelbi i përvojës sonë për të perceptuar të paperceptueshmen, kjo falë interpretimit që Bajram Mato i bën natyrës.

Piktori Mato i dorëzohet ndjeshmërisë së tij në përfaqësimin e të vërtetës reale, duke u magjepsur nga ndriçimi i dritës, i ajrit dhe i ngjyrave, që ai gjen në mesin e natyrës shqiptare, por në atelier kësaj natyre ai i mbivendos shpirtëroren. Nën trashësinë e penelatave të bojës së vajit në peizazhet që ai realizon fshihet dhe zbulohet njëkohësisht misteri i gjërave ekzistuese dhe rilindja e tyre e përditshme në dritën dhe në ngjyrën e një materiali të ripërtërirë piktoresk.

Ndaj kjo ekspozitë përshkruan konceptin zhvillimor të “pamjes”, të mënyrës se si piktori i qaset natyrës dhe se si natyra shndërrohet në poezi pamore mbi kanavacë. Peizazhi në këtë rast nuk është shëmbëllimi me besnikëri i natyrës apo i territoreve të shkelura nga piktori Mato, por një “ndërmjetës” per antonomasia në ngritjen e një dialogu midis piktorit dhe vëzhguesit të veprës së tij. Jemi përballë një pikture aspak të zakontë. Një pikturë, estetika e të cilës e shndërron vend peizazhin e përzgjedhur nga piktori në një “skenë” dritash dhe hijesh absolutisht magjepsëse.

Bajram Mato në krijimtarinë e tij artistike trajton edhe zhanre të tjera artistike si: portretin, natyrën e qetë dhe brendinë, por gjinia që e përfaqëson atë më mirë dhe që ka shpërfaqur hijshëm individualitetin e tij artistik është peizazhi. Këtu, artisti e gjen veten në soditjen e së pafundmes; mali është shtëpia e shpirtit, është oazi i qetë i mendjes, është vendi ku ngjizen bashkë të gjitha elementet, ngjyrat dhe format e universit. Shumëllojshmëria e kënd planeve që Mato na sjell nëpërmjet tablove të tij është veçanërisht ndjellëse me peizazhet nga pishat shtatlarta të Llogarasë, shkëmbinjtë e Vlorës dhe kanioneve të Osumit e deri tek fushëpamjet nga lart plot ajër e ngjyra vezulluese që shkrihen magjishëm në horizonte të largëta mbi fashtani Lin, Ulqin, Liqenas, Ksamil etj. Në këto tablo, ashtu siç ndjehet shushurima e erës aromë pishash plot zhurmë e furi, ashtu njëherazi ndjehet qetësia shpirtërore që të dhurojnë kishat e pikturuara me aq përkushtim deri në hollësira dhe liria që të japin pllajat e livadheve që shtrihen thellë në horizont aq sa syri shikon.

Pikërisht në metamorfozën e peizazhit, mes qetësisë së lagunës dhe forcës së detit, shpaloset impresionizmi dekorativ dhe poetika e emocioneve më intime të piktori Bajram Mato. Një tablon “Areco” vërjemë një botë sa të vogël e të mbyllur nëpër rrugicat e qytetit italian, aq edhe të madhe për nga mënyra se si piktori e ka trajtuar artistikisht. Një peizazh urban, që në pavetëdijen e piktorit përmbledh disa shkolla artistike, duke filluar me atë neoklasike në pikturimin e kishës, romantike për evidentimin e jetës reale ashtu siç në të vërtetë piktori e ka parë në atë çast kur e ka pikturuar, realiste, pasi peizazhi është real dhe subjekti i trajtuar është i perceptueshëm nga të gjithë, si dhe impresioniste nga mënyra e hedhjes së penelatave të shkathëta për të ngërthyer dritën dhe ngjyrën e atij çasti. Ky peizazh përpos kësaj përzierje stilesh duket më shumë si një skenë teatrale e shkretuar, pa aktorë, pa jetë, pa frymëmarrje, brenda së cilës gjallon vetëm heshtja metafizike me lojën grafike të dritëhijeve therëse.

Impresionizmi dekorativ, gati surreal i artistit Mato shtrihet me peizazhe nga qyteti, fshati, deti, liqeni, mali dhe trashëgimia kulturore, duke iu mbivendosur atyre situata të ndryshme emocionale. Por, në pikturimin e këtyre peizazheve ai gjen qëndrueshmërinë e shenjës dhe shumëllojshmërinë kromatike të pikturës të së tashmes tonë, atë të dritës dhe ngjyrave të Shqipërisë.

Ndaj kjo ekspozitë e piktorit Bajram Mato është një zbulim i shqisave, një udhëtim kujtese dhe soditjeje, në të cilin natyra dhe vetë piktori kanë bashkëjetuar gjithmonë në një ekuilibër të përsosur harmonik, për largpamësinë sublime në formësimin e një estetike të peizazhit krejtësisht vetjake.

Exit mobile version