BE ngre shqetësime për pluralizmin në Rusi

Një zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, thotë se moslejimi i politikanit opozitar, Aleksei Navalny, që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale ruse në mars të vitit 2018, “ka hedhur dyshime serioze në sistemin e pluralizmit politik në Rusi” dhe perspektivën për zgjedhje demokratike në këtë vend.
Zëdhënësja, Maja Koçijançiq, tha sot se për Navalnyn, “Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kishte marrë vendim se ai ishte privuar nga e drejta për proces korrekt në çështjen e tij gjyqësore në vitin 2013”.
Sipas saj, “akuzat e motivuara politikisht nuk duhet të përdoren kundër pjesëmarrjes politike”.
Këto komente u bënë një ditë, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi, mori vendim për moslejim të kandidaturës së Navalnyt në zgjedhjet presidenciale, ku pritej se do të ishte rival kundër Presidentit aktual, Vladimir Putin.
Komisioni, në vendimin e djeshëm, tha se Aleksei Navalny nuk mund të garojë, për shkak të dënimit penal nga e kaluara lidhur me akuza për keqpërdorim.
Navalny ishte dënuar me kusht, ndërsa këtë veprim të autoriteteve ai e ka përshkruar shumë herë si të motivuar politikisht.
Zëdhënësja, Maja Kocijançiq, tha se Bashkimi Evropian pret që Rusia t’i ftojë monitoruesit zgjedhorë nga Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR).
“Bashkimi Evropian do t’i mbështesë vlerësimet e veta për procesin zgjedhor në gjetjet e tyre, siç kemi vepruar në të kaluarën”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Aleksei Navalny, pas vendimit të komisionit për moslejimin e kandidaturës së tij, i ka ftuar mbështetësit e vet që t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale ruse.
“Dalja në vendvotime tash është votim për gënjeshtra dhe korrupsion”, tha Navalny.

 

Navalny bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale
Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin për ta ndaluar atë të kandidojë.
Komisioni votoi të hënën kundër kandidimit të tij në zgjedhjet e marsit 2018 për shkak të dënimit të tij për akuza kriminale, të cilat blogeri anti-korrupsion dhe pasuesit e tij i cilësojnë si të motivuara politikisht.
Vendimi i komisionit erdhi një ditë, pasi zoti Navalny deklaroi se kishte mbledhur numrin e kërkuar të mbështetësve në mbarë vendin për të kandiduar për president.
Pas vendimit të KQZ-së të hënën, Alexei Navalny publikoi një video ku u bënte thirrje mbështetësve të tij që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.
“E kuptuam që vendimi i KQZ-së ishte i mundur, por kemi një plan të qartë dhe të saktë…Deklarojmë një “grevë të votuesve” për aq kohë sa procedura në të cilën na kërkohet të marrim pjesë, nuk është proces zgjedhor”, tha ai.
Zoti Navalny tha se, tani ekipi i tij do të bëjë fushatë kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale, duke shtuar se pjesëmarrja do të ishte “një votë pro mashtrimit dhe korrupsionit”.
Presidenti Vladimir Putin ka njoftuar kandidimin e tij në zgjedhjet e 18 marsit dhe besohet gjerësisht se ai do të fitojë një mandat të katërt si kryetar i shtetit rus.

Artikulli paraprakMaqedoni: Zgjidhet me vështirësi Prokurori i ri i Përgjithshëm
Artikulli tjetërA do ta arrijë Kosova liberalizimin e vizave?