Rama, i pashpresë, beteja do fitohet

Një tjetër protestë po afron dhe do të jetë më madhështore se e 18 shkurtit

Kryetari i opozitës, Basha paralajmëroi mbrëmë se largimi i Ramës do të jetë vetëm një çështje kohe. Opozita ka hyrë në ditën e 12 të protestës dhe intelektualët e qytetarët po shtohen në Sheshin e Lirisë nga dita në ditë. Basha deklaroi se mbështetja ndërkombëtare është në rritje dhe se beteja për zgjedhje të lira me qeveri teknike do të fitohet. Kryetari i opozitës paralajmëroi një tjetër protestë madhështore të opozitës në ditët e ardhshme. “Do të jetë më e madhe se e 18 shkurtit”, u shpreh Basha. “Nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kauza e zgjedhjeve të lira. Populli nuk do të tërhiqet, unë nuk do të tërhiqen, ai që do të tërhiqet do të jetë Rama”, tha Basha.

Lulzim BASHA

Mirëse ju gjej të bashkuar në këtë mbrëmje të 11-të të protestës tonë, të lëvizjes tonë popullore, kombëtare e demokratike, për zgjedhje të lira dhe të ndershme të lëvizjes tonë pa kthim për themelimin e republikës së re, të demokracisë së vërtetë, të ligjit dhe drejtësisë së vërtetë. Dua t’u shpreh mirënjohen e vërtetë ju qindra e mijëra qytetarëve të Tiranës e mbarë Shqipërisë që jeni sonte të pranishëm dhe qindra e mijëra të tjerëve që vijnë e janë këtu pranë nesh çdo ditë e çdo natë, çdo mëngjes e çdo mbrëmje fizikisht këtu në këtë shesh të lirisë e me shpirt e me mendje na përcjellin nga shtëpitë e tyre, nga vendet e tyre të punës, po kështu nga emigracioni mijëra mesazhe. Jam i sigurtë që siç më vijnë mua ju vijnë edhe juve mesazhe mbështetje, mirënjohjeje.
Beteja e parë është fituar, frika është vrarë, kurajoja qytetare po ngrihet nga Jugu në Veri, nga Korça në Durrës, anembanë Shqipërisë. Falenderoj nga zemra të gjithë qytetarët, po në veçanti dua të falenderoj të reja dhe të rinjtë shqiptarë, studentët dhe gjimnazistët; jeni balli i nderit i kësaj proteste, jeni gëzimi dhe shpresa e të nesërmes që po lind nga ky shesh.
Sot na janë bashkuar dy zëra të spikatur të shoqërisë shqiptare. Dy individë, dy shpirtra të lirë, të cilët e kanë mbrojtur dhe e kanë paguar me çdo çmim dinjitetin dhe lirinë e tyre si qytetarë, si intelektualë si njerëz të fjalës së lirë. Ndaj dua t’i përshëndes dhe t’i falënderoj përzemërsisht për praninë e tyre në këtë shesh të lirisë dhe për mesazhet që ndanë në fjalët e tyre hapëse. Dua t’i bëj një thirrje medias, jo punonjësve të medias këtu që na mbulojnë 24 orë dhe për të cilët dua të shpreh mirënjohjen time të thellë, por regjive që nëse munden ta çajnë censurën e përditshme dhe të përnatshme dhe të transmetojnë drejtpërdrejtë në shtëpitë e shqiptarëve këtë që po ndodh sot këtu, fjalën e qytetarëve, fjalën e intelektualëve. Për të gjithë ata që nuk arrijnë dot të na ndjekin përmes ekranit kam një mesazh; hapni mediat sociale. Na ndiqni në Facebook, është i pacensurueshëm, është media e lirisë, është media e qytetarëve, është media e protestës, është media e republikës së re.
Në çdo fshat dhe qytet të Shqipërisë rilindësit së bashku me bandat kriminale kanë ngritur shtabet e tyre elektorale me komandantë të hurit dhe litarit, me trafikantë droge si Artur Bushi, me vrarës si Mark Frroku, me gjobvënës si Emiliano Shullazi, me trafikantë të grave dhe motrave shqiptare si Arben Ndoka etj. Këta njerëz janë vënë në krye të shtabeve elektorale për të pushtuar dhe kapur zgjedhjet e ardhshme të shqiptarëve. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në këtë vend. Ky vend ka njohur diktatorë, por nuk ka njohur kurrë shtetin të bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me shtetin. As Shqipëria nuk e ka njohur kurrë, as bota nuk e ka njohur kurrë këtë që po ndodh. Ky është rreziku më i madh që i kanoset lirisë së çdo shqiptari dhe të ardhmes tonë si shoqëri. Shteti i kriminalizuar deri në palcë, lidershipi i kriminalizuar sot kërcënoi sigurinë kombëtare dhe vetë ekzistencën tonë si shtet. Kjo është e vërteta. Për krimin është jetike që me çdo çmim të kapë zgjedhjet e ardhshme, sepse vetëm kështu do të vazhdojmë ta mbushin Europën me drogë, do të vazhdojnë të mbusin xhepat e tyre me paratë që vjen nga taksat e buxhetit të shqiptarëve. Vetëm kështu do të mund të ushtrojnë pushtetin që kanë anembanë Shqipërisë. Vetëm kështu do të mund t’i shpëtojnë burgut.

Nuk mund të ketë drejtësi me krimin në pushtet

Prandaj janë vërsulur cep më cep me shtabet e tyre kriminale. Njeriu që ka bërë këtë të mundur është hiç më pak e hiç më shumë se ai që i themi kryeministri i vendit, Edi Rama. Krimi i bërë njësh me pushtetin vë në rrezik zgjedhjet e ardhshme, vë në rrezik rendin demokratik dhe drejtësinë e vërtetë dhe të pakapur. Sepse interesi i krimit nuk është që të ballafaqohet me drejtësinë, por ta mundë, ta zbehë, ta zhdukë forcën e drejtësisë e pakapur. Sot, reforma kushtetuese e 22 korrikut në drejtësi është në rrezik nga krimi që kërcënon njësoj, zgjedhjet, rendin demokratik dhe drejtësinë e pakapur. Kush e beson se mund të ketë drejtësi të vërtetë kur kemi bandat në pushtet dhe një qeveri të kapur nga krimi, gabohet. Si mund të bëhet Vetingu i vërtetë, kur kriminelët janë në Parlament, janë në krye të bashkive dhe drejtojnë politikat qeveritare. Kjo është e pamundur. Drejtësia dhe demokracia shkojnë bashkë dhe janë të pazgjidhura nga njëra-tjetra. Nëse do zgjidhnim prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm, ata dhe familjarët e tyre do ishin në shënjestrën e mafies politike dhe të narkotrafikantëve që sot kanë gjithë pushtetin politik dhe ekonomik. Kjo nuk është drejtësi, por padrejtësi.

Sheshi i lirisë, shpresa e vetme e shqiptarëve

Por sot nga ky shesh i lirisë, nga ky shesh i protestës, anembanë Shqipërisë nga sheshet e protestës tonë, lëvizja jonë popullore, kombëtare dhe demokratike është shpresa e vetme, forca reale që mund të përballet dhe fitojë mbi këtë kërcënim ekzistencial për Shqipërinë, për demokracinë, për zgjedhjet dhe për drejtësinë. Ne së bashku mund dhe do ta ndalim këtë të keqe. Do tia dalim, sepse të bashkuar ia dolëm të diktojmë ligjin për dekriminalizimin. Së bashku ia dolëm me ndihmën e Uashingtonit dhe Brukselit t’ia heqim nga dora ministrisë së drogës Byronë Kombëtare të Hetimit dhe të përcaktojmë parimet europiane të drejtësisë së pakapur. Dhe së bashku do tia dalim t’i japim shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe drejtësi të vërtetë e të pakapur. Veting me kriminelët në pushtet nuk ka veting me narkotrafikantët në pushtet nuk ka. Vetingu i vërtetë do të vijë vetëm kur të jetë hapur rruga për zgjedhje vërtetë të lira dhe të ndershme, për demokraci të vërtetë.
Kush ka guximin t’u thotë shqiptarëve se mund të ketë veting nga një qeveri e bërë njësh me bandat, se mund të ketë veting kur nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, është ose naiv, ose nuk ia do të mirën Shqipërisë. Por miqtë tanë që duan ashtu si ne një Shqipëri perëndimore, të vlerave euroatlantike, pra të vlerave europiane dhe të vlerave amerikane, janë me ne, mbështesin kauzën tonë. Vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vetëm përmes demokracisë së vërtetë, mund të arrihet stacioni përfundimtar i asaj që ne nisëm më 22 korrik; drejtësi e vërtetë, e pakapur dhe e pandikuar nga krimi dhe korrupsioni.
Liria e medias vazhdon të mbetet problem kryesor në betejën tonë. Dhe unë jam i bindur se ne ditë për ditë zgjerojmë hapësirën e lirisë për të gjithë duke përfshirë edhe median shqiptare.

Fati i kësaj beteje vendoset nga kurajo

Kjo betejë, njësoj si beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme, njësoj si beteja për drejtësi të pakapur nga krimi dhe korrupsioni qeveritar, është në fillimet e saj. Një grusht oligarkësh, një pakicë pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh të pasuruar mbi kurrizin e shqiptarëve të varfëruar dhe kriminelësh me damkë po bëjnë dhe do bëjnë gjithçka për të na ndalur. Kjo pakicë është përballë shumicës. Ata do bëjnë gjithçka për të na lodhur, shkurajuar, trembur dhe goditur. Fati i kësaj beteje vendoset nga kurajo, nga përgjegjësia dhe vendosmëria e gjithsecilit prej jush dhe gjithsecilit prej qytetarëve shqiptarë që kanë vendosur për të mos e lënë fatin e tyre dhe të familjeve të tyre në duart e krimit të lidhur me pushtetin. Ndaj është kaq e rëndësishme të mblidhemi këtu në këtë shesh të lirisë ditë për ditë e natë për natë, deri së bashku me forcën e bashkimit t’ia kemi bërë të qartë çdo shqiptari dhe botës mbarë se fitorja e sheshit të lirisë është fitorja e Shqipërisë demokratike, e Shqipërisë së drejtësië së vërtetë dhe republikës së re të vlerave që po lindin.
Republika e re nuk do të ketë vend për kultin e individit. Republika e re është në zemrat e gjithsecilit prej jush dhe nuk është as shpikje dhe as pronë e Lulzim Bashës. E kam thënë dhe e përsëris; republika e re nuk është gjë tjetër, por veçse republika e standardeve europiane dhe amerikane që shqiptarët kaq shumë e duan dhe kaq shumë e ëndërrojnë.
Kur vjen puna tek pushteti politik, republika e re nuk është garanci për kryeministrin, por është garanci për qytetarët. Nuk është garanci për pushtetin, por garanci për balancën, për kundërbalancën e pushtetit. Ja pse republika e duhet dhe do të ketë mekanizma që asnjë kryeministër dhe asnjë pushtetar të mos t’i shkojë në mendje të abuzojë me pushtetin. Disa prej këtyre mekanizmave do të përcaktojnë që në fillim rolin e opozitës së re në këtë republikë të re. Opozita e re në këtë republikë të re do të ketë në dorë mekanizma të vërtetë të kontrollit ndaj pushtetit. Në këtë republikë të re, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria, Avokati i Popullit, komisionet hetimore parlamentare do të jenë të gjitha ekskluzivisht nën kontrollin e opozitës. Vetëm duke dorëzuar kontrollin tek kundërshtari politik mund të arrijmë balancën e pushteteve që është themeli, është formula e artë, sepse demokracia e vërtetë funksionon në Itali, në Greqi, Gjermani, Britani apo Amerikë. Sekreti është balanca dhe kontrolli i pushteteve dhe jo i gjithë pushtetit për vete. Republika e vjetër e do të gjithë pushtetin për vete. E ka marrë të gjithë pushtetin për vete e i do edhe të gjitha pasuritë e shqiptarëve për vete, e do edhe të gjithë drogën për vete dhe e ka bërë zullumin kala dhe i ka ardhur koha të rrëzohet në analet e historisë tonë kombëtare.

Qeveria teknike, garante për zgjedhjet

Prandaj duhet një qeveri e cila garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një qeveri që i pret lidhjet që sot gjenden kudo mes krimit dhe qeverisë, mes krimit dhe institucioneve, mes krimit dhe kryeministrit e vartësve të tij. Pa prerë këto lidhje nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa prerë këto lidhje nuk mund të garantohet vota e shqiptarëve. Nuk ka rrugë tjetër për t’i prerë këto lidhje kriminale përveçse largimit të qeverisë së korrupsionit, krimit e drogës para zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie që garanton zgjedhjet. Dhe kjo do të jetë investimi më i madh në themelet e republikës së re. Kush është garancia në republikën e re?! Ne, populli. Ne qytetarët. Ju jeni garancia. Gjithsecili prej jush dhe gjithë shqiptarët bashkë. Askush të mos u thotë ndryshe. Shpëtimtari i vetëm i kombit shqiptar dhe i demokracisë shqiptare, krijuesi i vërtetë i republikës së re të demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë është vetëm qytetari shqiptar, populli shqiptar.
I ftoj mediat të mos censurojë pjesën tjetër të këtij bashkëbisedimi siç censuruan kontributin e dy miqve tanë të nderuar dhe ftoj studentët, pedagogët e pranishëm, intelektualët, qytetarët ta vazhdojnë këtë sesion me pyetje ndaj dy personaliteteve të shquara që kanë ardhur në këtë shesh të lirisë, profesorëve Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj.

Gjekmarkaj: Kryeministria, si burg i shpresave të shoqërisë

Pasditen e së martës në Sheshin e Lirisë të ftuar për një bashkëbisedim të hapur me qytetarët ishin analistët Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët artikuluan mbështetjen e tyre për kauzën e protestës.
Mark Marku u shpreh se protestuesit po i japin një leksion demokracie gjithë Shqipërisë mbarë.
“Kjo protestë e ka nxjerrë Shqipërinë nga një pikë stanjacioni dhe protesta juaj ka thyer kodin e heshtjes. Kur flas për kodin e heshtjes kam parasysh atë 50-vjeçar në Itali ku qytetarët ishin të frikësuar për të treguar apo vendosur për fatet e tyre. Edhe ne për shkak të presionit qeveritar, përmes dhunës, kërcënimeve, blerjes kishim arritur në një pikë ku shoqërisë shqiptare po i shteronin fuqitë kritike. U mbyllën zërat kritik në vend”.
Për të ilustruar situatën, Mark Marku iu referua çadrës së qeverisë për mbledhjen e firmave për Vettingun.
“Se sa rëndë është gjendja e tregon nisma e 50 shoqatave kundër protestës së opozitës. Imagjinoni në çfarë niveli ka arritur shoqëria shqiptare, ku shoqëria civile bën protestë kundër protestës së opozitës. Ka disa sfera autonome që nuk cënohen në një shoqëri demokratike dhe kjo qeveri i ka goditur këto sfera. Nuk është shoqëria që shkon tek një parti, por është partia që shkon tek njerëzit dhe ideja e zotit Basha për krijimin e kësaj agore ku diskutohen problemet e Shqipërisë është një ide jashtëzakonisht emancipuese për shoqërinë shqiptare”.
Ndihmën Mark Marku e sheh edhe në planin personal.
“Kemi ardhur për të shprehur solidaritetin tonë dhe për t’i dhënë zë edhe zërit tonë, sepse ndiheshim të vetmuar në një botë shqiptare të përunjur. E shohim këtë çadër edhe si ndihmë për zërin tonë kritik. Që në nisje kjo protestë ka dhënë gjysmën e rezultatit: ka vrarë frikën”.
Për Agron Gjekmarkajn pallati kryeministror ka shumë kohë që duket si burgu që ka marrë së brendshmi shpresat e shqiptarëve.
“Pallati madhështor që kemi përballë (Kryeministria) ka shumë kohë që duket si burgu që ka marrë së brendshmi shpresat e shqiptarëve. Jetojmë në një terren të gënjeshtër ku nga zgjedhjet e vjedhura kemi pseudo qeveri me pseudo liri. Nuk e meritojmë të jemi në një vend ku dallkauku bëhet kryebashkiak, dudumi ministër dhe i pashkolli kryeministër. Është e domosdoshme të vij diçka e re”.
Për Gjekmarkajn njerëzit e pranishëm në Sheshin e Lirisë po dëshmojnë fuqi të madhe emancipuese.
“Trysni pozitive edhe ndaj shoqërisë së gazetarëve apo mediave. Ju i keni çliruar të gjithë ata duke manifestuar faktin e panegociueshëm që rrëfehet këtu. Qytetari në këtë shesh investon dhe hipotekon shpresën e vet”.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se, në republikën e re, presioni dhe trysnia do të jenë jo më ndaj qytetarit, por ndaj qeverisë, përmes sistemit checks and balances.
“Drejtësia dhe demokracia shkojnë bashkë dhe janë të pazgjidhura. Vetëm zgjedhjet e lira do të sjellin drejtësi të vërtetë, të pakapur nga krimi dhe korrupsioni. Shteti i kriminalizuar deri në palcë është sot rrezik për vet ekzistencën tonë. Për krimin është jetike të kapë zgjedhjet e ardhshme, sepse vetëm kështu mund të ushtrojnë pushtetin që kanë anë e mbanë Shqipërisë dhe vetëm kështu mund t’i shpëtojnë burgut. Por ne do ta ndalim të keqen. Të bashkuar ja dolëm të impononim ligjin e dekriminalizimit, të shkëpusnim Byronë e Hetimit nga Ministria e Drogës dhe të bashkuar do të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme”.

Artikulli paraprakProjekti Basha: Jo më pensione nën 250 mijë lekë
Artikulli tjetërBanorët e Himarës në çadrën e lirisë paralajmërojnë Ramën