Në shkolla jo vetëm që mungon ngrohja, por në Veri ato kanë ngrirë nga akulli dhe si pasojë nxënësit nuk mund të futen dot brenda. Ish-Kryeministri Berisha, ka publikuar në Facebook, disa foto që i kanë dërguar qytetarët nga zonat e Pukës dhe Bulqizës, ku shihet gjendja e mjerueshme në të cilën janë të detyruar të zhvillojnë mësim nxënësit. “Përshëndetje zoti Berisha. Kjo foto që po të dërgoj është fotografuar dje në shkollën e Pukës në qytet. Nxënësit nuk futen dot brenda nga akulli”, shkruan një prind.
Në këto shkolla jo vetëm që nuk ka asnjë sistem ngrohjeje, por i acarti dhe akulli janë pjesë e ambienteve të klasave dhe korridoreve, ku nxënësve ju duhet të qëndrojnë për orë të tëra.
“Fotot tregojnë gjendjen e djeshme të shkollave në qytetet Pukë dhe Bulqizë!”, shkruan ish-kryeministri Berisha.
Shkollat në kryeqytet shkurtojnë orët e mësimit
Temperaturat e ulëta dhe mungesa e energjisë elektrike kanë detyruar shkollat 9-vjeçare në kryeqytet të shkurtojnë orët e mësimit, ndërsa vetë nxënësit dhe prindërit pranojnë se, sistemi i ngrohjes nuk funksionon. Vetë drejtuesit e disa shkollave në Tiranë kanë bërë të ditur dje se, kanë shkurtuar orët e mësimit si pasojë e mungesës së energjisë elektrike dhe mosfunksionimit të sistemit të ngrohjes. Sipas Drejtorisë Arsimore të Tiranës në kushte të tilla të të ftohtit është parë e arsyeshme të shkurtohen orët e mësimit. Vetë nxënësit pohojnë se, nuk funksionojnë sistemet e ngrohjes dhe se janë detyruar të qëndrojnë me xhupa në klasë.
Pavarësisht sigurisë që jep kreu i Bashkisë së Tiranës për ngrohjen në shkolla, komentet në rrjetet sociale tregojnë se, prindërit kanë ankesa për një numër të lartë të shkollave në të cilat mungon sistemi i ngrohjes ose ai nuk funksionon. Sipas prindërve nuk mungojnë edhe rastet, kur mësuesit u kërkojnë nxënësve të kontribuojnë për të blerë mjete ngrohëse. Askush nuk përgjigjet zyrtarisht nga Bashkia e Veliajt, se pse mungon sistemi i ngrohjes në shkolla, kur qytetarët kanë paguar rregullisht një supertaksë të vendosur nga Veliaj për “infrastrukturën mësimore”.