Ngritja e regjistrit të territorit, USAID dhe bashkia Kamëz trajnojnë grupet e punës

Në sallën e Këshillit të Bashkisë Kamëz, u zhvillua një trajnim nga USAID-i për ndërtimin e regjistrit të territorit në këtë njësi vendore. I pranishëm ishte kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, dhe nga USAID-i Genc Radovicka, ekspert i teknologjisë së informacionit. Në fjalën e hapjes, kryebashkiaku Mziu vlerësoi fillimisht bashkëpunimin e Bashkisë Kamëz me USAID-in. “USAID është një partner i cili jo vetëm ka ofruar bashkëpunimin, duke na mbështetur financiarisht, por edhe është ndër institucionet më të certifikuara dhe më të besueshme”, u shpreh z. Mziu, duke shtuar më tej se Bashkia Kamëz ka një eksperiencë për sa i përket zbatimit të teknologjisë së informacionit.
“Ne kemi një eksperiencë për sa i përket sistemit të adresave, që e kemi para disa vitesh, por ndërtimi i regjistrit të territorit është në një stad pak më lart, më i sofistikuar, çfarë do të thotë që do të shkojmë drejt sistemit GIS për të qenë më të kompletuar në informacione ose, më saktë, është fjala e fundit e një baze të dhënash”, pohoi kreu i Bashkisë, i cili kërkoi një angazhim maksimal të të gjithë pjesëtarëve të grupeve të punës që janë ngritur për ndërtimin e regjistrit të territorit. “Ky proces kërkon një angazhim maksimal. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të krijuar infrastrukturën. Së pari, në mjetet, duke filluar tek serverët, tek kompjuterat, pastaj te realizimi i tij nëpërmjet burimeve njerëzore.
Duhen të dhëna paraprake, të cilat duhet të jenë sa më të shumta, siç janë marrja e informacioneve nga OSHEE-ja, marrja e informacionit dhe ndarja e kontratave të Ujësjellësit Kamëz me UKT-në, me atë të Paskuqanit dhe ndarja e tyre sipas qendrave të votimit; të gjitha lejet e ndërtimit që janë dhënë që nga vitit `90 e deri më sot, për t’u ndarë po prapë sipas qendrave të votimit; legalizimet e konfirmuara deri në këto momente; sistemi i rrugëve; kodifikimi i banesave deri në këto momente etj. Pra, duhet të kemi një pasqyrë të kompletuar të të gjithë këtij informacioni që ne kërkojmë”, vijoi kryebashkiaku Mziu, duke shtuar: “Janë ngritur 16 grupe pune me persona të cilët mendojmë se plotësojnë kriteret e fillimit të këtij procesi, pra që kanë aftësi profesionale. Pjesë e grupeve të punës do të jenë edhe drejtorët, nënkryetarët, deri tek unë. Puna do të fillojë nëpër qendra votimi, duke marrë kufijtë e ndarjes sipas qendrave të votimit, që janë 12 në zonën e Paskuqanit dhe 36 në zonën e Kamzës.
Jam i sigurt që jo vetëm do të trajnoheni ju, por përvojën tuaj do ta transmetoni pastaj edhe te punonjës të tjerë, të cilët do të angazhohen në këtë proces mjaft të rëndësishëm. Grupeve të punës do t’u ofrohet bashkëpunim nga USAID-i. I gjithë ky proces do të mbyllet në këta dy muaj. Me anë të këtij procesi do të synohet jo vetëm evidentimi, por edhe zhdukja e informalitetit në kompleks, për sa u përket pasaportizimeve, bizneseve, kontratave të ujit, matjeve topografike etj.
Duhen shfrytëzuar të gjitha hapësirat, oraret, për të bërë të mundur përmbylljen e këtij procesi. Jam i bindur që secili prej jush do të luajë në maksimum rolin e tij, për ta mbyllur në një kohë rekord këtë proces, sepse është një projekt dhe financim mjaft i rëndësishëm nga USAID-i, por edhe nga institucioni i Bashkisë. Jam i sigurt që Radovicka, USAID-i do të bëjnë maksimumin për të na krijuar infrastrukturën dhe ne maksimumin për ta mbyllur këtë proces në një kohë sa më të shpejtë, por ajo që është më e rëndësishmja për të qenë i certifikuar në të gjithë parametrat të cilët na kërkohet”, është shprehur ndër të tjera kryebashkiaku Mziu. Më tej, Radovicka ka vijuar me prezantimin e procesit të ndërtimit të regjistrit të territorit dhe me trajnimin e punonjësve të administratës, pjesë e grupeve të punës.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërLojtarët e trishtuar për humbjen