Shqipëria u solidarizua me tragjedinë e rëndë të ndodhur në Francë për shkak të një sulmi terrorist. Kreu i shtetit shqiptar i shprehu ngushëllimet Presidentit francez, Hollande për aktin terrorist në Nisë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Presidentit të Republikës franceze, François Hollande. “I nderuar zoti President, Akti i mbrëmshëm terrorist në Nisë, që përgjaku Ditën Kombëtare të Francës dhe gëzimin e francezëve, më tronditi dhe më revoltoi pa masë. E dënoj me forcën më të madhe këtë akt çnjerëzor dhe në këto momente dhembjeje dhe zemërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me ju dhe popullin francez. Me trishtim të thellë u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe të afërme të viktimave, juve dhe qeverisë suaj, ndërsa të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë. Zoti ju dhëntë juve dhe popullit francez, qetësi, kurajë dhe forcë për përballimin dhe kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate!”, theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani. Kryetari i PD, Basha tha se: “Ngjarja shokuese në Nisë të Francës, ku nga një sulm shtazarak kanë mbetur mbi 80 të vdekur, ka sjellë trishtim e zemërim kudo në mbarë botën dhe në Shqipëri. Dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të uroj nga zemra shërim të shpejtë të të plagosurve. Akti i pabesë terrorist, në orën që të rinj, fëmijë, burra e gra po festonin ditën kombëtare, ka lënduar gjithkënd, por jam i bindur se Franca do të ringrihet më e fortë. Ne jemi më të bashkuar se kurrë në luftën pa kompromis kundër çdo lloj ekstremizmi që merr jetë të pafajshme”. Edhe ish kryeministri në një reagim të tij shprehu ngushëllimet ndaj tragjedisë që tronditi Francën. “Një akt terrorist i shëmtuar në Nisë! Franca në zi! Të dashur miq, mbrëmë, ditën e Festës Kombëtare të Francës terroristët kryen në qytetin e Nisës një akt barbar, vranë duke shtypur me një kamion të madh mbi 84 qytetarë që festonin, si dhe plagosën mbi 100 të tjerë! Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt terrorist mizor, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave, autoriteteve franceze dhe kombit mik francez, uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Me këtë rast shpreh gjithashtu bindjen e thellë se terroristët dhe terrorizmi do të marrin nga Franca dhe aleatët e saj ndëshkimin më të merituar” u shpreh Berisha në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Kryesore
Continue to the categoryBasha shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit:...
Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit.
Basha e vlerëson Repishtin si një mbrojtës të...