Nika në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Vlorë: “Nuk janë marrë parasysh propozimet tona për terminal autbuzësh, rritjen e fondeve për personat me aftësi të kufizuara, familjet dhe të moshuarit”

Kryetari i këshilltarëve të Demokratëve Euroatlantikë në Bashkinë Vlorë, Gjergji Nika, shprehu pakënaqësinë e tij në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, duke theksuar se propozimet e tij për rialokimin e fondeve në Buxhetin e vitit 2025 nuk u morën parasysh.

Nika kërkoi që fondet për investime të hiqeshin nga projekti i kopshtit dhe të redirektoheshin për krijimin e një terminali autobuzësh urban, një nevojë të theksuar për qytetin. Po ashtu, ai kërkoi rritjen e fondeve për personat me aftësi të kufizuara, familjet dhe të moshuarit, duke e cilësuar këtë si një nevojë reale dhe sociale.

“Përveç pjesës së investimeve, ne kemi pasur dhe debate në komision përsa i përketë pjesës së turizmit dhe shumë pjesë të tjera. Më thatë që keni marrë parasysh çfarë kanë diskutuar këshilltarët, ose thjesht çfarë kemi kërkuar ne. Në pjesën e paketës fiskale, unë kam bërë një kërkesë për disa ulje taksash që preknin në realitet. Nuk janë ulur sepse në atë që kishte paraqitur zonja nuk ishte ulje. Ideja është këtu që unë kam bërë disa amendime përsa i përketë projekbuxhetit, rialokim fondesh. Nuk kam vënë asnjë cent, asnjë lekë shtesë, kam bërë rialokim fondesh. Dhe në dy ndryshimet që unë kam bërë në amendimet e mia përsa i përketë dy zërave të buxhetit që zënë pjesën më të madhe të investimeve që është kopshti, i cili në realitet ai duhej të ishte shprehur edhe çfarë vlere ka objekti aktual që do të prishet. Ai ka një vlerë financiare në buxhet. Vlera reale e atij projekti nuk është 2.7, por ke dhe nja 600, 700 mijë euro që prishet objekti ekzistues. Dhe objekti ekzistues ka një vlerë të kontabilizuar në zërin e aseteve në bilancin e 31.12.2023. Kështu që dhe ajo i shtohet vlerës. Atëhere unë kam kërkuar që këto dy projekte të hiqen dhe dy projekte që ju keni prioritet më poshtë, nuk kam vënë gjëra të reja, kam thënë pjesa e kopshtit të jetë në një moment të dytë sepse patjetër do bëjmë kopshte, por për momentin është luks për kapacitetet tona dhe kam kërkuar që për pjesën e transballkanikes, të ikin fondet nga transballkanikja dhe të bëhet një terminal autobuzësh urban. Sepse qyteti ka nevojë, në qoftë se diskutojmë një qytet të të ardhmes, nuk mund ta bëjmë me pllaka dhe lulishte. Kemi nevojë për terminal autobuzësh urban. Kjo është pjesa që i përketë zërit të investimeve. Dhe këto i janë referuar buxhetit. Gjithashtu kam prekur në amendamentet e mia, kam prekur ulje të zërit të shpenzimeve për aktivitete që ka një rritje diku tek 300% po t’i referohemi 2023-it, jo 2024-ës. Po t’i heqim 2024-ës zërin “Vlora qyteti Europian i Sportit”. Dhe 300 milionë që ka qenë në 2023-in, po t’i referohemi 2025-ës kemi një rritje 300% për aktivitete, ku në realitet rritja e vlerave nuk ka qenë në këtë nivel, dhe kam thënë ky shkurtim i këtij fondi të pjesës së artistike t’i shtohet zërit buxhetor të njerëzve të personave me aftësi të kufizuar, ta çoni zërin buxhetor nga 0.81 në buxhet që është e papërfillshme, është më mirë mos ta vini fare, ta çoni në 1.5% ose 2%. Dhe zërin buxhetor familje dhe të moshuar nga 1.8, ta çoni në 2.3. Kam kërkuar gjëra reale, alokim fondesh. Dhe kjo është më mirë që gjërat të shkojnë në gjëra sociale sesa të bëjmë këtë paraqitje të tillë. Në komision nuk është marr parasysh asnjë nga amendamentet që unë kam bërë si kryetar grupi. Kështu që le t’i heqim ato që thoni që i kemi marrë parasysh. Po na keni dëgjuar, gjithmonë na dëgjoni, por nuk merrni parasysh asgjë” – tha Nika.

Exit mobile version