Kryetarja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, pritet që të shpallet si përzgjedhje e presidentit të zgjedhur, Donald Trump për të shërbyer si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara.
E bija 44-vjeçare e një emigranti indian është duke shërbyer në mandatin e dytë si kryetare, por nuk ka përvojë në politikën e jashtme. Ajo do të jetë zgjedhja e parë në kabinetin e zotit Trump që nuk është burrë i bardhë.
Haley nuk e kishte mbështetur Trumpin gjatë procesit të gjatë që përfundoi me emërimin e tij si kandidat republikan për postin e presidentit. Ajo fillimisht kishte mbështetur senatorin nga Florida, Marco Rubio dhe kur ai doli nga konkurrenca, ajo mbështeti senatorin nga Teksasi, Ted Cruz.
Pak para zgjedhjeve të 8 nëntorit, ajo tha se nuk ishte shumë e entuziazmuar për përzgjedhjen që do të vendosej në Shtëpinë e Bardhë pas përfundimit të mandatit të presidentit Obama, por do të votojë për Trumpin.
Ajo kritikoi propozimin e tij për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe shfrytëzoi platformën kombëtare për t’ju përgjigjur fjalimit të presidentit Obama mbi gjendjen e kombit, që të qortojë stilin e Trumpit duke thënë se, “disa njerëz mendojnë që duhet të jenë të zëshëm në dhomë për të bërë ndryshimin”.
Trump e cilësoi atë “me dobësi për emigracionin” dhe në muajin mars shkroi në Twitter se, “banorët e Karolinës së Jugut janë të turpëruar nga Nikki Haley!”
Të dy u takuan javën e kaluar në New York, ku Trumpi po peshonte se kush do të jetë pjesë e administratës së tij. Deri tash ai ka publikuar se Reince Priebus do të jetë shef i kabinetit të tij, Steve Bannon këshilltar i lartë, senatori i Alabamas, Jeff Sessions si prokuror i Përgjithshëm dhe ligjvënësi Mike Pompeo udhëheqës i CIA-s.
Personalitete të tjera republikane ishin të “vakët” në mbështetje të kandidaturës së Trumpit para se ta përkrahnin atë përballë kandidates demokrate, Hillary Clinton. Në mesin e tyre ishte kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili kremtoi fitoren e Trumpit dhe mundësinë e republikanëve për të kontrolluar të dyja dhomat e Kongresit dhe Shtëpinë e Bardhë.
Të martën Trumpi tha në një takim me gazetarët dhe redaktorët në “New York Times”, se udhëheqësit e partisë janë “të dashuruar” me të.
Paul Ryan tani më do mua, (udhëheqësi i shumicës në Senat) Mitch McConnell më do mua, është e mahnitshme se si fitorja mund të ndryshojë gjërat.