Historiani grek Herodot e quajti Egjiptin si «një dhuratë të Nilit». Në distancën e 25 shekujve, pohimi i “babait të historisë ” është ende e vërtetë. Në masën mbi 90% Egjipti varet nga lumi i madh për të plotësuar nevojat e 100 milion banorëve, të përqëndruar përgjatë brigjeve të tij, në zonën e deltës dhe, pjesërisht, në bregun mesdhetar. Ja pse Kajro është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj aktiviteteve të 10 shteteve të tjera të basenit hidrografik (edhe pse rrjedha në kuptimin e vërtetë të fjalës kalon në 7 të tillë), sidomos kur ato mendohet se e reduktojnë në mënyrë të konsiderueshme prurjen e lumit të madh: Egjipti e bën një çështje të sigurisë kombëtare.
Kështu që nuk habit fakti që gjatë këtyre muajve marrëdhëniet e Egjiptit me Etiopinë janë shumë të tendosura. Adis Abeba është gati të kompletojë Digën e Madhe e Rilindjes Etiopiane (sipas akronimit anglisht, GERD). Infrastruktura në ndërtim në Nilin e Kaltërt është e destinuar që të ketë një impakt të thellë ndaj ekuilibrave gjeopolitikë e të gjithë Afrikës Veri – Lindore, duke gjeneruar përplasje për momentin ende të pazgjidhura.
Uji, një resurs me vlerë në rritje
Me 6852 kilometrat e tij, Nili konkurron me Rion e Amazonave primatin e lumit më të gjatë të botës. Baseni ujor i tij zë 1/10 e sipërfaqes e të gjithë Afrikës. Pavarësisht kësaj, prurja mesatare vjetore, baraz me 85 milion metra kub ujë, është shumë inferiore ndaj lumenjve të tjerë të mëdhenj të kontinentit, si Nigeri dhe Kongo, që e kanë respektivisht 180 dhe 1250 milion metra kub. Nili transformohet në një rrjedhë uji unike vetëm në luginën e Khartumit, kryeqytetin sudanez, ku bashkohen dy rrjedhat e Nilit të Bardhë dhe Nilit të Kaltër. I pari lind nga Liqeni Viktoria, por ujërat e tij zhduken në moçalet e pafundme dhe të ndenjura në Sudanin e Jugut apo avullojnë nën veprimin e pandalshëm e diellit ekuatorial. Vetëm 15% e ujit që shkon në digën e madhe të Assuan vjen nga kjo pjesë e lumit. Dega kryesore është kështu ajo që fillon nga Liqeni Tana, në Etiopi, dhe rrjedh për disa qindra kilometra në një lartësi më të madhe se 1000 metra, përpara se të lëshohet në ultësirat sudaneze. Pikërisht prurja relativisht e ulët e Nilit i bën ujërat e tij mjaft të çmuara. Këto janë vendimtare për t’ju përgjigjur nevojës së aglomerateve urbane, të industrisë e të bujqësisë, por edhe për prodhimin e energjisë elektrike, falë edhe pengesave të shumta të ndërtuara gjatë dekadave.
Presioni ndaj resurseve ujore është në rritje në Egjipt e në Sudan për shkak të rritjes së shpejtë demografike dhe të klimës së thatë. Gërmimi i puseve të thella për nxjerrjen e ujit fosil të fshehur nën Sahara e zbut pjesërisht problemin, edhe pse bëhet fjalë për një resurs jo të rinovueshëm. Dhe projektet për të ndërtuar impante shkripëzimi përgjatë brigjeve të Detit të Kuq dhe të Mesdheut kërkojnë investime konsistente dhe sasira të mëdha energjie, që për momentin nuk janë të disponueshëm. Rëndimit të situatës i shtohen edhe politikat e zhvillimit bujqësor që synojnë terrenet e kultivueshme përreth oazeve kryesore të shkretëtirës perëndimore egjiptiane, nëpërmjet rrugësh që marrin ujin e Nilit nga Liqeni Nasser, i krijuar nga diga e Assuan. Objektivi është ai i shmangies së braktisjes së tokave dhe i kontrollimit të ikjes nga fshatrat e miliona njerëzve, të destinuar që të rrisin nënproletariatin e qyteteve të mëdha. Sektori parësor zë akoma 1/3 e krahut të punës dhe përfaqëson 15% e PBB egjiptiane.
Uji i Nilit është i çmuar edhe për Etiopinë. Në harkun e 30 viteve, vendi ka kaluar nga 48 milion në rreth 120 milion banorë. Megjithëse duke mbetur ndër shtetet më të varfër të planetit për të ardhurat për fryymë, ekonomia e saj regjistron përqindje rritjeje ndër më të lartat në botë dhe kërkon sasira energjie gjithnjë e më të mëdha. Edhe bujqësia lokale, që në përgjithësi nuk vuan thatësirën e fqinjëve veriorë, është në ekspansion. Përdorimi i makinave për shfrytëzimin intensiv të tokave bujqësore dhe punimi i tokave të pambjella kanë nevojë për sasira uji në rritje, ashtu si industria kombëtare.
E gjitha kjo e ka shtyrë Adis Abebën që t’i jap rëndësi më të madhe rezervave ujore jo vetëm si mall konsumi, por edhe si burim energjie. Zgjedhja për të synuar në rritjen e prodhimit hidroelektrik i përket vitit 2009. Dy vite më vonë, qeveria ja cakton ndërtimin e Grand Ethiopian Renaissance Dam (GERD) grupit italian Salini – Impregilo, sot Webuild, me një kosto prej 5 miliard dollarësh. Fondet janë marrë edhe falë emetimit të titujve publikë të blerë nga qytetarët, duke i dhënë kështu një vlerë simbolike dhe një domethënie kombëtare dhe popullore infrastrukturës. Baseni i digës, në gjendje të mbajë 70 miliard metra kub ujë, konsiderohet si kërcënim ekzistencial nga Khartumi dhe nga Kajro, të dëshiruara që të ruajnë të drejtat tradicionale e gëzuara mbi Nilin.
Privilegjet e lashta dhe rreziqet e reja për Egjiptin
Marrëveshja e parë për disiplinimin e përdorimit të ujërave të lumit i takon vitit 1891. Atë vit, Italia dhe Britania e Madhe nënshkruan një protokoll me të cilin Roma impenjohej të mos ndërtonte impiante hidroelektrike në koloninë e saj eritrease, në gjendje që të bënte ndryshimin në prurjen e degëve të Atbara, me veriorin e ushqyyesve kryesorë të Nilit. Më pas, anglezët hartuan një projekt të quajtur Century Storage Scheme për të favorizuar ndërtimin e një sistemi unik infrastrukturor për prodhimin energjisë dhe ruajtjen e resurseve ujore. Plani mund të ishte i realizueshëm qysh nga fillimi i viteve Pesëdhjetë të shekullit të kaluar, kur Londra ishte akoma fuqi koloniale në Sudan, influenconte monarkinë egjiptiane dhe kishte rivënë në fronin abisinas Hailé Selassié, që ishte i përzënë nga agresioni fashist i 1935 – 1936.
Xhelozitë kombëtare e shfaqura me delokonizimin penguan që të përkufizoheshin mirëkuptime pët menaxhimin e përbashkët e lumit të madh. Në vitin 1959, në atë kohë i bashkuar me Sirinë në Republikën Arabe të Bashkuar, Egjipti i Nasser dhe Sudani, prej pak kohësh i pavarur, rinegociiuan një traktat të nënshkruar 30 vite më parë midis Londrës dhe Kajros. Në fuqi akoma sot, marrëveshja pohon të drejtën historike dhe natyrale e të dy vendeve ndaj shfrytëzimit të ujërave të Nilit, sipas një kuote respektive prej 75% dhe 25%. Palët rezervonin për vetëveten të drejtën e vetos ndaj realizimit të projekteve, në gjendje të kufizonin prurjen ujore, edhe pse të realizuar nga shtete të tretë. Etiopia nuk e ka pranuar asnjëherë vlefshmërinë e kësaj klauzole dhe, për të nënvizuar legjitimitetin e prerogativave të saj, pak kohë pas mfirmosjes së marrëveshjes, ngarkoi Shtetet e Bashkuara që të bënin një studim fizibiliteti për ndërtimin e digave dhe të pendave në Nilin e Kaltër. Për shumë dekada, pavarësisht tensioneve bilaterale të buruara nga grindje kufitare, Egjipti dhe Sudani janë bashkuar në afirmimin e të drejtave të tyre. As kanë hasur rezistenca të veçanta nga ana e Etiopisë dhe e vendeve të tjera të basenit hidrografik, të shtrënguara thuajse gjithmonë në darën e konflikteve politike dhe të zhvillimit të ulët.
Në fillimin e këtij shekulli, me fillimin e rritjes ekonomike të Etiopisë dhe më pas me pranverat arabe, gjërat kanë ndryshuar. Revoltat që në fillimin e 2011 tronditën shumë shtete prekën edhe Egjiptin. Brenda pak javësh, regjimi i Hosni Mubarak u rrëzua nën peshën e paaftësive dhe të protestave nëpër rrugë. Në Kajro fillonte një fazë paqartësie politike, që do të thithte për një kohë të gjatë energjitë e vendit, duke u lënë më pak hapësirë çështjeve ndërkombëtare. Bëhej fjalë për një mundësi që Etiopia ka kërkuar ta shfrytëzojë maksimalisht. Ndërtimi i GERD, 500 km në veriperëndim të kryeqytetit dhe më pak se 20 km nga kufiri me Sudanin, filloi pikërisht në këto muaj dhe duhej të kompletohej brenda fundit të vitit të ardhshëm: do të jetë diga më e madhe e kontinentit afrikan.
Basti etiopian dhe konflikti i interesave
Etiopia synon që të nxjerrë nga varfëria miliona njerëz dhe t’u garantojë atyre infrastruktura dhe shërbime bazë. Për të arritur objektiva të tilla, është e nevojshme të procedohet me elektrifikimin e zonave të mëdha të vendit, të ngecura prej dekadash në prapambetjen e tyre. Veç kësaj, qeveria kombëtare e drejtuar nga Abiy Ahmad Ali, të cilit i është dhënë Nobeli për Paqen në vitin 2019 prej impenjimit të tij në favor të pajtimit me Eritrenë, ka fiksuar objektiva shumë ambiciozë. Adis Abeba stimulon energjinë e siguruar nga burime të rinovueshme dhe synon që të jetë carbon neutral brenda 2025 dhe të shmangë emetimin në atmosferë e 2 milion tonëve gaz karbonik çdo vit. Një zgjedhje e tillë, e prirur që të reduktojë shpenzimet për importin e produkteve petrolifere, kalon nëpër dy centrale hidroelektrike të bashkangjitura GERD, të pajisura me 16 turbina në gjendje të gjenerojnë 15000 GWh në vit. Me një rritje të prodhimit të rrymës elektrike të vlerësuar me 270%, Etiopia do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat kombëtare dhe të eksportojë sasinë e mbetur ne vendet fqinje.
Funksionimi konstant i impianteve kërkon një basen që mund të përmbajë deri në 75 miliard metra kub ujë. Pikërisht akumulimi i rezervave është në themelin e grindjes midis Adis Abebës, Khartumit dhe Kajros. Dy kryeqytetet e fundit duan që operacionet e rimbushjes të jenë shumë të ngadalta, duke i kaluar edhe 10 vitet për t’u kompletuar. Deri më tani, Adis Abeba nuk ka treguar ndjeshmëri ndaj preokupimeve të shteteve të luginës dhe, verën e kaluar, e ka shfrytëzuar sezonin e shirave për të nisur mbushjen e basenit. Pas disa javësh duhet të fillojë faza e dytë e programit.
Veë kësaj, Etiopia akuzohet se dëshiron ta mbajë ujin edhe për përdorim bujqësor e industrial, duke dëmtuar ekonomitë e fqinjëve veriorë dhe duke e rritur pasigurinë e tyre ushqimore. Praktikisht, me 125 miliard metra kub në vit, Etiopia ka një prej konsumeve ujore më të ulëta në botë dhe duhet të përballojë nevojat e një popullsie në rritje të shpejtë dhe gjithnjë e më të prirur për të adoptuar stile jetese që implikojnë përdorimin e sasive në rritje të ujit. Për më tepër, GERD njall preokupime në Sudan edhe prej afërsisë së saj me kufirin: Khartumi frikësohet se mos një hapje e rastësishme e portave të saj mund të shkaktojë përmbytje katastrofike, duke vënë në rrezik 20 milion njerëz, baraz me më shumë se gjysmën e popullsisë sudaneze.
Neggociatat për të arrittur një marrëveshje zgjasin prej disa vitesh dhe janë ndërprerë shumë herë për shkak të intransigjencës së palëve. Bisedimet e fundit i përkasin majit të 2020 dhe janë organizuar me zyrat e mira e Bashkimit Afrikan. Por pozicionet mbesin të largëta. Egjipti dhe Sudani vazhdojnë ta akuzojnë Etiopinë se ndjek plane zhvillimi në dëm të tyre dhe nuk e kanë përjashtuar përdorimin e opsionit ushtarak, në rast se Adis Abeba do ta realizonte projektin e saj për ta mbushur basenin e GERD në më pak se 5 vjett. Propozimi i kohëve të fundit i presidentit egjiptian Abdel Fatah al-Sisi për t’i rifilluar negociatat nëpëmjet ndërmjetësimit të Bashkimit Europian dhe të Bashkimit Afrikan është refuzuar nga kryeministri Abiy, që nuk synon të lejojë hyjren në ndeshjen me fuqitë joafrikane.
Etiopia e di se nuk mund ta zvogëlojë etjen e Egjiptit dhe ttë Sudanit pa rrezikuar një konflikt të armatosur. Ama vendi nuk mund ta përballojë një luftë, pasi qeveria qendrore është ende e impenjuar në shtypjen e revoltës në rajonin verior të Tigray, e filluar nëntorin e kaluar me rebelimin e autoriteteve lokale, të akuzuara për bashkëjetesë me separatistët e Frontit Popullor Çlirimtar të Tigray. Veç kësaj, komuniteti ndërkombëtar do të rreshtohet në shumicë të madhe me kundërshtarët e Adis Abebës, pari si e ushqyer nga qëndrim grabitqar.
Kështu, ka të ngjarë që Etiopia të kërkojë t’i përshpejtojë sa më shumë të jetë e mundur operacionet e mbushjes ssë basenit të GERD, duke shfrytëzuar sezonin e ardhshëm të shirave, domethënë periudhën verore. Më tej, Abiy do të tentojë të sigurojë një marrëveshje me fqinjët e tij që të jetë sa më avantazhues që të jetë e mundur për vendin e tij, ndoshta duke ju premtuar të ndajë një pjesë të përfitimeve që burojnë nga diga. Por ndërkohë helmi i mosdakordësisë rrjedh bollshëm duke u përzier me ujërat e Nilit.
(nga Aspenia)
Përgatiti
ARMIN TIRANA