Zbulohet pronari i magazinës me 7 tonë droge në Rrëshen. Ai është Kastriot Preng Reçi, nipi i Zef Brozit, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë. Një qytetar nga Mirdita i ka shkruajtur një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku e informon e ish-pularia është e djalit të motrës së Zef Brozit.
“Mirditori dixhital informon: Kastiot Reçi që thonë çunat e krimit, nuk është pronari i pularisë së drogës në Rrëshen. Pronari i saj është një tjetër Kastriot Reçi dhe pikërisht djali i motrës së famozit Zef Brozi, pra nipi i Zefit dhe benjamin i kryetarit të Bashkisë, që është dhe kryepronari i 7 tonëve drogë të gjetur në fabrikën e ngritur në pularinë e nipit të Zef Broziti! sb”, shkruan Berisha në Facebook.
Më pas, ish-Kryeministri Berisha reagoi edhe në seancën parlamentare duke deklaruar se, droga prej 7 tonësh e kapur në Rrëshen është në pronësi të nipit të Zef Brozit, por ai nuk u arrestohet ashtu sikurse nuk arrestohen bosët e tjerë të drogës. Berisha tha se, droga mbrohej nga policia, pasi banda drejtohet nga kryetari i Bashkisë. “Ngjarja e madhe duhet të ishte fabrika e drogës në Rrëshen me 7 tonelatat e mbrojtur fuqishëm nga Policia e Mirditës, e drejtuar nga banda e kryetarit të Bashkisë, ish-ndihmësi i Edi Ramës për ndërtimet në Inspektorat, dhe i drejtuar nga mbështetësi i fuqishëm i Edi Ramës, njëfarë Kastriot Reçi (e theksoj ka 3 Kastriot Reçi), ky është djali i motrës së Zef Brozit, ju e keni qejf shumë. U arrestuan 20 gra dhe fëmijë, kurse Kastrioti si të gjithë banditët e tjerë nuk i hyri ferra në këmbë, paçka se merret me të gjitha llojet e trafiqeve. Paçka se vendin e ka mbuluar kanabisi nga thellësitë e Alpeve deri në Pogon. Kapen disa fëmijë dhe gra të mjera që shkojnë për të fituar 5 lekë. Sot dëgjova edhe gra shtatzëna”, u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se në këtë vend ku i gjithë territori kontrollohet nga trafikantët, Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk mund të ekzistojë për këtë bandë. “Më thoni ju mua sigurisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për këtë bandë që trajton Shqipërinë në këtë mënyrë nuk mund të ekzistojë. Nuk ka këtu siguri kombëtare ku çdo pëllëmbë e territorit kontrollohet nga banditë. Kjo është e vërteta. Një herë thotë fajin e ka opozita. Kush e pyet opozitën të mos jetë realitet? Ju jeni qeveri që keni frikë nga vetja juaj. Si do të fshihnit ju kanabisin që ka shpërthyer në të 4 anët e vendit? Kush në botë mund ta bënte një gjë të tillë? Cili bos është arrestuar? Ligji arreston të gjithë kryetarët e komunave që nuk kanë denoncuar. Cili prej tyre? Ata shpërndajnë paratë me Ramën. Kjo është situata dhe i keni bërë vendit shërbimin më të keq në historinë e tij”, përfundoi Berisha.
Si mbrohej fabrika e drogës nga Policia
Fabrika e drogës që funksiononte 24 orë ndodhej në mes të qytetit të Rrëshenit dhe në të ishin të punësuar rreth 200 punëtorë. Për një gjë të tillë fliste i gjithë qyteti, por policia nuk ndërhynte për shkak se droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda. Kompleksi i grumbullimit të kanabisit ishte fare afër komisariatit dhe Bashkisë dhe kryebashkiaku e kishte më të lehtë të kontrollonte përpunimin e kanabisit dhe bërjen e tij gati për t’u trafikuar.
Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi, ndërsa pjesë e këtij grupi të rëndësishëm përveç kryetarit të Bashkisë ishte edhe drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Lazder Beci, që ka ndërruar emrin në Iliaz Beci në Selitë. Fabrika monitorohej edhe nga policia vendore.
Operacioni për bllokimin e drogës në fabrikë u zhvillua të mërkurën nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA, pasi policia lokale e Rrëshenit ka refuzuar të marrë pjesë në aksion për shkak të pazareve të drogës me trafikantët.
Policia e Rrëshenit nuk ka pranuar të marrë pjesë në operacion dhe ka patur përplasje mes policisë së Rrëshenit dhe të Lezhës. Përplasja ka degjeneruar deri në sharje të ndërsjella dhe është dashur ndërhyrja nga lart që Policia e Lezhës dhe ajo e Mirditës të ulnin gjakrat dhe të nisnin operacionin antikanabis.
Në fabrikë janë gjetur pajisje për tharje dhe qethje të kanabisit. Gjatë operacionit të FNSH dhe RENEA në ambientet e magazinës së drogës në hyrje të qytetit të Rrëshenit janë gjetur 32 persona. Sipas burimeve të policisë, të paktën 15 prej tyre janë ndaluar, ndërsa pjesa tjetër ia doli të dalë nga zona e rrethuar e magazinës.
Policia e Lezhës ka konfirmuar se 31 persona janë proceduar në lidhje, ndërsa për 22 prej tyre janë prerë fletë arrestet. Mes personave të vënë në pranga ka edhe gra. Ndërkohë, policia bëri të ditur se ende nuk ka përfunduar peshimi i sasisë së drogës që u zbulua në magazinat e ish-Pularisë në Rrëshen, por flitet për rreth 7 tonë kanabis sativa, që ishte në proces tharje.
Kush është Kastriot Reçi, pronari i fabrikës së drogës në Rrëshen
Mediat fillimisht raportuan se pronari i 7 tonë droge që u sekuestrua në një magazinë në Rrëshen është pronari i “Media Plus” në qendër të Lezhës, Kastriot Reçi. Por pronari i “Media Plus” ka reaguar menjëherë dje duke deklaruar se ai nuk ishte në kërkim nga policia, por në ambientet e televizionit. Megjithatë pa asnjë verifikim zyrtar, shumë media bënë ngatërresë fatale vetëm pse i akuzuari si pronar i magazinës së drogës në Rrëshen kishte të njëjtin emër me pronarin e televizionit në Lezhë, Kastriot Reçi. Në një situatë të tillë, vetë Reçit iu desh të ndërhyjë për të treguar se ai që po kërkoni është tjetër person. Disa nga mediat dhe përdorësit e Facebook u tërhoqën duke kërkuar me raste edhe falje për ngatërresën.
Në të vërtetë i shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës për dyshime si pronar i magazinës ku u gjet droga, ishte person tjetër, i quajtur Kastriot Preng Reçi, një biznesmen i falimentuar. Në magazinat e tij më parë ka patur punishte zdrukthtarie.
Po kush është Kastriot Preng Reçi, biznesmeni, pronari i magazinave dhe që, sipas policisë është edhe pronari i drogës. Burime nga policia kanë thënë se, Reçi është një biznesmen që ka privatizuar këto magazina nga shteti dhe ka nisur biznesin e tij. Para se të falimentonte mësohet se ai merrej me mobilie.
Pikërisht magazinat e mbushura me hashash përdoreshin më parë për të stazhionuar dërrasat dhe mobiliet që bëheshin aty. Por para pak vitesh ai kishte falimentuar.
Këtë vit kishte vendosur që magazinat e mobilieve t’i kthente në magazina të drogës, të mbushura me kanabis. Deri më tani janë 22 persona të arrestuar, biznesmeni Kastriot Reçi në kërkim dhe disa persona të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë. Ndërsa rreth 20 persona të tjerë janë larguar nga magazinat e hashashit, pasi janë njoftuar për t’u larguar.
Policia peshon drogën në Rrëshen, nga 7 dalin 4.2 tonë
Policia bëri të ditur mbrëmë se ka përfunduar peshimin e kanabisit të gjetur në një magazinë në mes të qytetit të Rrëshenit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rezulton se janë sekuestruar 4238 kg kanabis apo 4.2 tonë. Ndërkohë, një oficer policie nga Rrësheni informoi më herët ish-Kryeministrin Berisha se në pularinë e Rrëshenit janë gjetur 7 tonë drogë dhe jo 2 tonë siç informoi fillimisht policia.
“Oficeri dixhital informon: Droga e gjetur në pularinë e Rrëshenit është 7 tonë dhe jo 2 tonë! sb”, shkruan Berisha në Facebook duke publikuar mesazhin e oficerit të policisë. “Përshëndetje z. Berisha, jam oficer policie. Marr pjesë në operacionin antidrogë në Rrëshen. Dua t’iu njoftoj se policia po mashtron me shifrën sasisë së drogës të gjetur në pularinë e këtij qyteti. Aty nuk janë gjetur 2, por mbi 7 tonë drogë. Me respekt të veçantë për ju”, shkruan oficeri i policisë.
Policia mashtron sërish për sasinë e drogës së bllokuar në magazinën e Rrëshenit. Kujtojmë se në operacionin e zhvilluar para disa ditësh në Vlorë nga Prokuroria, u sekuestruan 23 tonë drogë, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi dy ditë më pas se ishin sekuestruar 215 kg kanabis. Çako tha se, ishte një lapsus i mediave pasi nuk u sekuestruan 23 tonë kanabis, por 215 kg. Gjatë këtij aksioni u arrestuan 22 persona dhe procedohen në gjendje të lirë 9 persona, që janë gra e fëmijë punëtorë në këtë magazinë droge. Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
R.POLISI