Nga muaji nëntor, pronarët e apartamenteve në vend që i lëshojnë ato me qira kryesisht për turistët do të paguajnë 20 për qind tatim mbi vlerën e shtuar nëse nuk pajisen me NIPT. Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, platforma ku reklamohen pronat “Booking”, ka lajmëruar edhe zotëruesit e apartamenteve.
“Ka ardhur koha sidomos me rritjen e këtij biznesi që prej vitit 2013 të paguhen në mënyrë të drejtë diçka nga fitimet që ne marrim”, u shpreh Dorentina Krraba, sipërmarrëse në dhënien me qira të apartamenteve.
Ndryshimet e reja për aktorë nga ky treg janë pozitive pasi deklarimi i të ardhurave, do t’i japë mundësi asaj që të zgjerojë edhe më tej biznesin.
“Në komentin që biznesi im figuron si një biznes i padeklaruar unë automatikisht jam një person i papunësuar dhe në momentin që unë kam shkuar në bankë dhe kam treguar invoicet që unë paguaj në Booking dhe Airbnb nuk më janë marrë parasysh, pasi ajo është marërdhënia që unë kam me kompanitë e tjera dhe sidomos banka shqiptare nuk i merr parasysh fare këto lloj të ardhurash apo deklarimesh”, theksoi ajo.
Por nisma e re e “Booking” për sipërmarrësen Krraba do të shoqërohet me rritje të çmimeve për apartamentet që jepen me qira.
“Nuk e kemi vendosur ende, por mendoj se do të rritet minimalisht me 500 lekë dhënia me qira e apartamenteve për çdo ditë”, vijoi Krraba.
Zyrtarisht në Shqipëri në fund të vitit të shkuar pati 1 mijë e 457 struktura akomoduese. Por referuar të dhënave nga platformat e tjera AirBNB dhe Booking janë edhe mbi 20 mijë apartamente të tjera që jepen me qira, por që nuk janë të deklaruar zyrtarisht.