Nis epoka Spaleti

Pasditen e të premtes përfundoi me një fund të lumtur telenovela e trajnerit të ri të Interit. I përzgjedhuri dihej që më herët dhe ai është Luçiano Spaleti. Ish-trajneri i Romës pasi u njoh nga afër me ambientet stërvitore të klubit zikaltër në Appiano Gentile u zyrtarizua si timonieri i ri i Interit. Do të nisë pikërisht nga Luçiano Spaleti revolucioni i klubit milanez për t’u rikthyer në majat më të larta të Serisë A. 58-vjeçari firmosi një kontratë 2-vjeçare me Interin nga e cila do të përfitojë 4 milionë euro në sezon plus bonuset.
Pasi u njoh me qendrën stërvitore të skuadrës zikaltër që do të jetë tashmë vendi i tij i ri i punës, Spaleti foli për herë të parë për mediat italiane si tekniku i ri i Interit. Pas takimit me drejtuesit në Nanjing, ish-trajneri i Romës u shpreh me superlativa për projektin që Zhang Jindong dhe bashkëpunëtorët e tij kanë për të rikthyer Interin në maja.
“Në Nanjing pashë dëshirën e pronarit të ri për të rishkruar historinë e klubit tonë me rezultate. Jam i lumtur që jam bërë pjesë e Interit, gjithmonë kam dashur të jem këtu, të bëhem pjesë e këtij klubi me histori të madhe. Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit me Interin është një incident që ka zgjatur pak si shumë”, deklaroi fillimisht Spaleti.  Për diferencat që ka aktualisht Interi me rivalët trajneri italian shtoi: “Kemi biseduar me drejtuesit edhe për të ardhmen, janë disa skuadra që ndodhen përpara nesh. Do të punojmë fort që nga dita e parë e stërvitjes për të minimizuar diferencat. Nuk është vetëm Juventusi kundërshtari ynë, kam respekt për bardhezinjtë, por nuk i kam frikë”.
Spaleti foli edhe për futbollistët që janë aktualisht pjesë e Interit dhe për merkaton duke i bërë të qarta disa gjëra: “Dua të shikoj në fushë futbollistë me dëshirë për të ndriçuar ngjyrat e kësaj fanelle, por kush mendon se nuk është në lartësinë e Interit si skuadër duhet ta thotë që në fillim sepse ka shumë gjëra që duhen ndryshuar. Nëse nuk stërvitesh në 100% të mundësive të tua është e pamundur të fitosh”. Për të kuptuar sesa e rëndësishme është të jesh pjesë e Interit, Spaleti kishte një mesazh edhe për Ivan Perisiç, i cili kërkon të largohet nga zikaltërit për t’u transferuar te Manchester United. “Nuk duhet të bindim askënd, Interi është maksimumi dhe duhet të jenë futbollistët që të më bindin mua që meritojnë të mbajnë veshur këtë fanellë”, shtoi në fund 58-vjeçari nga Certaldo.

Exit mobile version