Tensioni ka mbizotëruar orët e fundit në kampin e Idomenisë në Greqi, ku ka nisur me ritme të ngadalta zbatimi i planit të evakuimit të refugjatëve në qendra të tjera pritjeje në vend. Mediat greke shkruajnë se gjatë ditës djeshme qarkulluan fjalë se kufiri me Maqedoninë do të hapet, duke krijuar tek refugjatët shpresën se ata mund të vazhdonin udhëtimin e tyre në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Qindra refugjatë u mblodhën nëpër linjat hekurudhore, duke pritur me vendosmëri për të kaluar kufirin.
“Përballë” tyre ishin refugjatë të tjerë që nuk besojnë se kufiri do të hapet. Ndërkaq forca të shumta policie janë të pranishme në zonë dhe pasdite shumë refugjatë hipën nëpër autobusë për t’u transportuar nga zona e Idomenisë drejt kampeve të tjera. Autoritetet mbeten të shqetësuar se dëshpërimi i mbi 11 000 njerëzve në Idomeni, shumë lehtë mund të kthehet në zemërim dhe mund të marrë përmasa të paparashikueshme.
Gazeta gjermane Die Welt, duke cituar një raport konfidencial nga Policia Federale Gjermane, paralajmëroi shpërthimin e dhunës në Idomeni me kufij të mbyllur. “Refugjatë të dëshpëruar do të përpiqen të kalojnë kufirin përsëri për të vazhduar udhëtimin e tyre në Evropë dhe ka të ngjarë që të ketë konflikte serioze”, shkruan gazeta.
Ndërkaq Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka shtuar masat e sigurisë për shkak të krizës së refugjatëve.