Nxënësit e gjimnazit “Aleksandër Moisiu” në Kavajë i kanë vënë drynin shkollës, duke u hedhur në protestë. Dera e shkollës është mbyllur me zinxhirë dhe të rinjtë kanë dalë me pankarta, ku në njërën prej tyre shkruhet: Ne nuk nënshtrohemi. Largohuni ju!”. Lajmin e ka bërë të ditur ish-kryeministri Berisha në një status në rrjetet sociale, duke publikuar disa fotografi me anë të të cilave njofton se mosbindja civile ka nisur.
“Gjimnazistët guximtarë të Kavajës i venë drynin gjimnazit “Aleksandër Moisiu”, bojkotojnë mësimin dhe protestojnë me moton: “Ne nuk nënshtrohemi! Largohuni Ju!”, shkruan Berisha.
Në të njëjtën shkollë, disa ditë më parë u filmua një mësuese që i kërkonte nxënësve të dilnin në mitingun e kryeministrit Rama. Në një video të publikuar në rrjetet sociale në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” të Kavajës dukej mësuesja që urdhëronte nxënësit të dilnin në mitingun e Ramës. Fillimisht, mësuesja Elona Bizhdili i bie bankës që të tërheqë vëmendjen e nxënësve dhe më pas u thotë që të shkojnë në aktivitetin që sot organizon Edi Rama në Kavajë.
Me zërin e lartë, ajo u drejtohet nxënësve: “Nesër në orën 16:30, zhvillohet një aktivitet i kryeministrit Edi Rama me të rinjtë, të gjithë shkollat do të përfaqësohen me mësuesit e vet dhe nxënësit e çdo klase, nesër në takimin që organizohet…”! Pas publikimit të videos, u pushua nga puna mësuesja, por për rastet e tjera kundër, nxënësit janë detyruar të shkojnë në mitingjet e Ramës nuk është marrë asnjë masë për drejtuesit e shkollave.
Bizhdili nuk është një militante e thjeshtë partie, që shfrytëzon ndikimin që ka si mësuese për të shtuar numrin në mitingjet e PS. Ajo është pjesë e një sistemi, të ngritur me dhjetëra mësues në Kavajë. Qindra të tjerë në të gjithë vendin detyrohen të bëjnë të njëjtën gjë.
Të dielën, në Kavajë zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për kryebashkiakun, pas shkarkimit të Elvis Rroshit, si pasojë e dekriminalizimit. Opozita nuk merr pjesë në këto zgjedhje dhe më 7 maj do të organizojë një protestë të fuqishme për të mos lejuar zgjedhjet farsë të Edi Ramës. Ndërkohë, Rama ka urdhëruar të gjithë funksionarët e lartë shtetërorë që të ushtrojnë presion tek zgjedhësit që të dalin në votime më 7 maj në Kavajë.