Qindra student janë mbledhur përpara Kryeministrisë duke pritur zgjidhjen e kërkesave të tyre nga qeveria. Ndërkohë, numri tyre po shtohet.
Deklaratës së kryeministrit për dialog, studentët i janë përgjigjur se nuk do të ketë asnjë bisedim por veç plotësim të kërkesave të tyre. “Nuk ka konsensus, plotësoni kërkesat tona. S’ka dialog, s’ka negociata. Është vetëm një firmë. Mjafton të plotësohen 8 kërkesat, është shumë e thjeshtë”, tha një prej studentëve.
Një tjetër studente para kryeministrisë deklaroi se ata nuk duan dorëheqjen e ministres së Arsimit por të plotësohen kushtet. “Nuk duam dorëheqjen e ministres. Kushdo që të vijë do bëjë të njëjtën gjë. Ne duam të plotësohen kërkesat tona”, tha ajo.
Në ditën e nëntë të protestës së tyre, studentët kanë ndryshuar strategjinë e betejës që ata nisur për të fituar të drejtat e tyre.
Ata sot do të protestojnë me heshtje, pa folur, vetëm duke mbajtur libra në duar, përpara Ministrisë së Arsimit.
Po ashtu, sot nuk ka pankarta, por vetëm fleta të bardha. Mesazhi është i qartë: Nuk do të ketë dialog. Kemi folur mjaft. Nesër duhet të heshtim dhe të presim ata të flasin!’
Në Tiranë, një grup studentët janë mbledhur tek Korpusi universitar, ndërkohë që disa studentë kanë qëndruar gjatë gjithë natës para Kryeministrisë. Studentët e mjekësisë dhe shkencave kanë shkuar drejt Kryeministrisë, ndërsa Gjeologjiku, Filologjiku dhe Artet tek Ministria e Arsimit.
Tek fakulteti i Mjekësisë gjithashtu janë mbledhur studentë. Nga gjimnazi “Harry Fults” nxënësit, kryesisht maturantët kanë braktisur mësimin për t’iu bashkuar studentëve. Ata kanë shkuar para kryeministrisë ashtu si edhe studentët e Bujqësorit dhe një pjesë e Inxhinierisë.