Disa shkolla në rrethe të vendit kanë pasur probleme në ditën e parë të shkollës ku qindra nxënës kanë mbetur pa mësim. Shkak është infrastruktura e papërshtatshme për të zhvilluar procesin mësimor. Tavolina nuk ka, as karrige, madje dhe baza materiale didaktike mungon. Në këto kushte ka qenë e pamundur të bëhet mësim për 270 nxënës të Shkollës së Bashkuar të fshatit Rrëmbec.
Megjithëse rikonstruksioni i shkollës ka përfunduar në afat, Ministria e Arsimit, pohon drejtori i shkollës, prej 7 muajsh po zvarrit miratimin e fondit për pajisjen e saj me infrastrukturën e nevojshme.
Në pamundësi për të vijuar procesin mësimor në shkollën e re, Drejtoria Arsimore ka gjetur si zgjidhje të përkohshme vijimin e procesit mësimor të nxënësve të Rrëmbecit në shkollën e fshatit Plasë. Bashkia e Maliqit ka marrë përsipër koston e transportit të nxënësve, derisa shkolla e Rrëmbecit të bëhet funksionale.
Në shkollat e Fierit ka filluar normalisht mësimi për rreth 22 mijë e 500 nxënës. Ndërsa shkollat në disa fshatra të Mallakastrës nuk e patën këtë fat. Edhe këtu nxënësit u përballën me mungesën e kushteve. “Mallakastra nuk ka vetëm këtë problem. Emigracioni ka ulur ndjeshëm numrin e nxënësve”, thotë për “ABC News” kryetari i bashkisë, Agron Kapllanaj.
Jo vetëm emigracioni, por edhe zhvendosja e popullsisë në qytete të tjera ka bërë që në Fier numri i nxënësve që i drejtohen sistemit parauniversitar është 11.900 më pak se sa viti i kaluar, ndërsa në Mallakastër rezultojnë 313 nxënës më pak.
Në bankat e shkollës janë ulur rreth 700 mijë nxënës më pak se gati tri dekada më parë. Arsimi ynë është në gjendje të vështirë. Nëse Shqipëria nuk arrin të sigurojë kushtet elementare të jetesës së shtetasve të saj, shumë shpejt ajo do të mbetet pa fëmijë, pa shkolla dhe pa arsim.
Rama dhe “Rilindja” pasi e ka zhytur vendin në mjerim, depresion e korrupsion, është duke e zbrazur plotësisht nga nxënësit, fëmijët, mësuesit, profesorët, ekspertët, shkencëtarët e specialistët dhe nga forcat e afta e aktive për punë.
Mashtrimi i Veliajt për shkollën “Vasil Shanto”
Tek shkolla “Vasil Shanto” në Tiranë, në vend të nxënësve, në këtë ditë të parë të shkollës ka punëtorë me llaç e tulla. Nxënësit janë transferuar te shkolla “Sabaudin Gabrani”, për të zhvilluar procesin mësimor pas orës 13.30. Edhe pse kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi para disa ditësh se shkolla “Vasil Shanto” do të jetë gati në shtator për procesin mësimor, ajo nuk është gati.
Rikonstruksioni i saj filloi vonë, më 8 gusht, pasi kjo shkollë, gjatë qershorit shërbeu si qendër votimi për Njësinë 5 dhe u desh një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve derisa të niste rikonstruksioni nga Bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për një rikonstruksion të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, ku mësojnë rreth 1300 nxënës. Në nisje të punimeve Veliaj i siguroi banorët e mësuesit “se në shtator shkolla do të jetë gati për të pritur nxënësit”. Por siguria e tij nuk vlejti dje, pasi nxënësit janë pa shkollë. Rikonstruksioni i shkollës “Vasil Shanto” do të vijojë deri në fund të muajit nëntor, ndërsa nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë mësimin pasdite në shkollën “Sabaudin Gabrani”.