Nishani-Ader: Shqipëria duhet të përmbushë kushtet e BE

Presidenti Bujar Nishani priti dje  Presidentit të Republikës së Hungarisë, János Áder, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore dy ditore në vendin tonë me ftesë të Kreut të Shtetit shqiptar. Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të të dy shteteve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Áder, të shoqëruar nga delegacionet përkatëse, zhvilluan bisedimet zyrtare, ku vlerësuan marrëdhëniet historike e të shkëlqyera mes dy vendeve si në nivel dypalësh ashtu edhe në nivel rajonal e shumëpalësh. Një vëmendje e veçantë në këto bisedime iu kushtua procesit të integrimit evropian të Shqipërisë si dhe forcimit e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik. Presidenti Áder ritheksoi vijimin e mbështetjes së plotë të Hungarisë ndaj integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ndërsa përsa i përket thellimit të marrëdhënieve, Kreu hungarez i Shtetit bëri me dije vendosjen së shpejti një linje ajrore direkte fluturimi mes Budapestit dhe Tiranës. Po ashtu, në kuadër të protokollit dyvjeçar të arsimit, Hungaria do të ofrojë 20 bursa studimi për të rinjtë shqiptarë. Në prani të dy Presidentëve, u nënshkrua Programi i Bashkëpunimit në Fushën e Shkencës dhe Arsimit ndërmjet Ministrisë së Burimeve Kombëtare të Hungarisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë nga Ambasadori Antal Heizer si dhe për palën shqiptare, nga Ministrja Lindita Nikolla. Pas bisedimeve dypalëshe në krye të dy delegacioneve zyrtare respektive, Presidenti Nishani dhe Presidenti hungarez Áder dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, duke iu përgjigjur edhe interesimit të përfaqësuesve të medieve të pranishme. “E sigurova Presidentin Áder se procesi i integrimit evropian mbetet objektivi më madhor i shqiptare dhe alternativa e vetme për të ardhmen e tyre evropiane. Gjithashtu, e informova mikun hungarez se Shqipëria është e fokusuar në përmbushjen e reformave të nevojshme dhe të pesë prioriteteve të përcaktuara qartë nga Bashkimi Evropian. Jemi të ndërgjegjësimin se hapi tjetër i hapjes së negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian është i lidhur ngushtë me përmbushjen e të gjitha këtyre prioriteteve, bazuar në standardet më të mira evropiane” tha Nishani. Ai u shpreh se gjatë bisedimeve të djeshme palët u fokusuan edhe në bashkëpunimin dypalësh dhe atë shumëpalësh, por edhe në zhvillimet dhe sfidat me të cilat po përballet Evropa sot. “Sigurisht, që nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar zuri një vend të rëndësishëm në bisedat tona, pasi vlerësojmë se përtej marrëdhënieve shumë të mira diplomatike e politike, ato ekonomike janë ende larg pritshmërisë dhe mundësive të të dy vendeve. Konstatuam me kënaqësi se kuadri i përbashkët ligjor në fuqi i krijon të gjitha hapësirat e nevojshme për nxitjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve. Marrëveshjet dhe konventat kryesore për eliminimin e taksimit të dyfishtë dhe të mbrojtjes dhe nxitjet së investimeve reciproke janë nënshkruar dhe janë në fuqi që në vitet e para pas ndryshimeve demokratike, kështu që mbetet vetëm të punohet më shumë për të nxitur strukturat e të dy vendeve për krijimin e lehtësirave të nevojshme” tha Nishani. Gjithashtu ai theksoi se sesioni i mbajtur në muajin maj të vitit të shkuar i Komisionit të Përbashkët Ekonomik ka identifikuar qartë mundësitë e bashkëpunimit dhe për këtë arsye mbetet të nxiten institucionet përgjegjëse për t’i përkthyer ato në veprime e agjenda konkrete bashkëpunimin. “Përshëndeta interesin e Hungarisë për të hapur Dhomën Kombëtare Hungareze të Tregtisë në Tiranë dhe besoj se shumë shpejt kjo do të realizohet, duke kontribuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Falë potencialeve tona, interesi i bashkëpunimit mund të shtrihet edhe në fushat e energjisë, turizmit, infrastrukturës, transportit, bujqësisë, etj. Siç e patët mundësi ta ndiqni edhe pak më parë, bashkëpunimit ynë dypalësh u pasurua sot edhe me një angazhim tjetër. Në kuadrin e vizitës së mikut hungarez, u bë i mundur nënshkrimi i programit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e shkencës dhe arsimit për periudhën 2016-2018, duke iu shtuar kështu kuadrit shumë të mirë ligjor që ekziston mes dy vendeve. Pritet që ky program do t’i japë një nxitje të re bashkëpunimit në këtë kuadër, përmes mbështetjes së studentëve dhe punonjësve shkencorë të të dy vendeve për të studiuar në vendet respektive” vijoi Nishani.  Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, Nishani vlerësoi modelin e Grupit të Vishegradit, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Hungaria luan një rol të rëndësishëm, si dhe e njohu Presidentin Áder, për vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me politikën e saj të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit. Ndërsa për çështje e krizës së refugjatëve Nishani theksoi edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë, për gatishmërinë për të qenë pjesë e një zgjidhje të përbashkët evropiane, sipas mundësive dhe kapaciteteve të saj reale.

Artikulli paraprakRama, peng i vrasësit Prenga, nuk e largon nga Kuvendi
Artikulli tjetërCNN: Skandali me “Panama Papers” do rrëzojë qeveritë e korruptuara