Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në përgjigje të ftesës së një grupi qytetarësh të angazhuar vendosmërisht në denoncimin dhe kundërshtimin e ndërtimit në brendësi të hapësirës së gjelbër të Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, vizitoi dje vendin ku po zhvillohet projekti ndërtimor, duke u njohur nga afër dhe drejtpërdrejt me shqetësimet dhe kauzën e tyre. Me këtë rast, kreu i shtetit, i shoqëruar edhe nga anëtarë të kabinetit, pasi takoi qytetarët e angazhuar në protestë prej gati një muaji, u shpreh para mediave të pranishme, të cilat i falënderoi veçanërisht duke i nxitur që të vazhdojnë të pasqyrojnë të vërtetën dhe të trajtojnë çështje me ndjeshmëri të lartë për shoqërinë shqiptare.
“Solidarizohem me këtë lëvizje qytetare të këtyre banorëve të Tiranës, të këtyre të rinjve, djem edhe vajza të shkolluar, mendjehapur, me shpirt dhe zemër perëndimore. Kur vjen këtu, pa dyshim që reagimi i parë është i trishtë. Ky vandalizëm që po i bëhet Parkut të Liqenit të Tiranës, të vetmes pasuri publike dhe hapësirë qetësie dhe çlodhje që i ka mbetur, për fat të keq, Tiranës është i papranueshëm. T’u marrësh dhe t’u prishësh fëmijëve, qytetarëve të Tiranës parkun e vetëm, pronën e vetme publike të pushimit dhe çlodhjes është vandalizëm me të cilin nuk mund të pajtohet askush. Natyrisht që u takon në radhë të parë qytetarëve të Tiranës, u takon më shumë se kujtdo tjetër këtyre djemve dhe vajzave të arsimuar, shkolluar, të kulturuar, mendjehapur, për t’i rezistuar vandalizmit dhe vandalëve.
Kjo lëvizje qytetare shkon përtej kauzës të parkut të vetëm të qytetit të Tiranës. Tashmë po lind një lëvizje qytetare për emancipim, për civilizim dhe unë ju përgëzoj për këtë. Pa dyshim që beteja e emancipimit me vandalizmin nuk është e lehtë, beteja e civilizimit me dhunën qoftë verbale dhe fizike apo ambientaliste nuk është e lehtë. Gjithmonë ka një fillim. Gjithmonë progresi ka nisur nga njerëz mendjehapur, njerëz kurajozë, të cilët rezistojnë dhe ndoshta në fillim duket se janë një grup i vogël fizikisht, por jam i bindur që shpirtërisht dhe mendërisht me ju janë miliona shqiptarë që jetojnë në Tiranë apo jashtë Tiranës. Ju inkurajoj të mos lodheni! Lëvizja juaj nuk është lëvizje politike, partizane, militanteske. Lëvizja juaj është lëvizje qytetare, e stilit perëndimor, evropian aty ku identiteti, ADN-ja dhe shpirti i shqiptarëve kanë qenë dhe janë të adresuar”.
Në përgjigje të pyetjes “zoti President, dje pasi pritët një përfaqësi të protestuesve për këtë çështje pati një reagim të fortë dhe të ashpër kryetari i Bashkisë të Tiranës, a keni një përgjigje për këtë?”, kreu i shtetit theksoi: “Së pari, unë besoj se është detyra më normale e një Presidenti të presë jo një grup qytetarësh, por dhe një individ dhe një qytetar të vetëm, i cili kërkon të shprehë shqetësimin e tij publik, individual, familjar tek Presidenti i Republikës. Natyrisht që ata që shqetësohen nga kjo lloj kulture e sjelljes institucionale e kuptojnë ndryshe dhe i përkasin një kulture tjetër, atë të izolimit dhe mbylljes brenda mureve të zyrave, brenda bunkerëve të militantëve. Kultura ime institucionale dhe qytetare është e ndryshme: e të qenit i hapur me qytetarët, kjo është sjellje dinjitoze, e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë, të cilën duhet ta implementojë çdo pushtetar.
Për sa u takon akuzave ndaj Presidentit të Republikës, me keqardhje më duhet të them se nuk është hera e parë që sulme me fjalor prej rrugaçësh adresohen ndaj Presidentit të Republikës. Nuk është normale të ndodhin në një shoqëri, por fatkeqësisht pikërisht misioni i këtyre lëvizjeve emancipuese do t’i korrigjojë dhe këto modele. Akuzat kur vijnë nga njerëz, të cilët nuk e njohin shtetin, individë të cilët nuk kanë kontribuar as edhe një minutë të vetme dhe nuk kanë dhënë asnjë kontribut për shqiptarët, popullin, atdheun, por vetëm kanë marrë prej tyre, prandaj lëvizja që ka nisur këtu tek Parku i Liqenit është një lëvizje për emancipim, civilizim. Le t’i lëmë ata, që akuzojnë dhe shantazhojnë verbalisht qytetarët e pambrojtur të Tiranës, në botën e tyre të banalitetit. Ne kemi zgjedhur një model tjetër, këta qytetarë këtu kanë zgjidhur një model tjetër, kanë zgjedhur modelin e të qenit civil, të emancipimit. Prandaj, unë jam me ta jo vetëm si President i Republikës, por në radhë të parë si qytetar, si njeri, si prind. Pa dyshim që spekulanti recidivist, besoj e mbani mend për shumë spekulime të stilit të tij, e akuzon Presidentin për vilë në mes të parkut. Rezidenca qeveritare presidenciale është ndërtuar 60 vite më parë së pari, nuk është brenda parkut, nuk është e Bujar Nishanit, është e shtetit shqiptar, është e popullit shqiptar. Këta që kanë kulturën e makutit dhe me kulturën e makutërisë e konsiderojnë që prona e shtetit dhe e popullit është personale. Prandaj jo vetëm unë, por ju në radhë të parë që jeni duke rezistuar të mos bëheni pre e kësaj dhune verbale, por ju garantoj se të gjithë qytetarët do të jenë bashkë me ju dhe për të ecur përpara në këtë lëvizje të rëndësishme që nis Parku i Liqenit të Tiranës për civilizimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. Ecni përpara!”.
Pyetjes lidhur se cilat kompetenca do të ushtrojë si President i Republikës lidhur me çështjen e parkut, kreu i shtetit u shpreh: “Ne duhet të vëmë në funksionim shtetin ligjor. Të gjithë të barabartë para ligjit. Unë jam si zë qytetar, jam me shpirt dhe mendja para rezistencës së këtyre djemve dhe vajzave, të cilët janë në qëndresë në radhë të parë për ambientin, për parkun, i cili është shumë i rëndësishëm për jetën e fëmijëve të Tiranës, për mundësitë e tyre për t’u relaksuar. Për fatin e keq qyteti ynë i Tiranës prej kohësh është kthyer në një qytet të pabanueshëm nga pikëpamja urbane, është kthyer në një qytet kaosi ku betoni ka zëvendësuar pemët, ku hekuri ka zëvendësuar lulet, ku oksigjeni është zëvendësuar nga pluhuri dhe karboni. Prandaj, kauza e tyre për të mbrojtur ambientin është kauzë për të mbrojtur ambientin e fëmijëve në radhë të parë dhe nuk duhet të ndalen nga çdo dhunë dhe akuzë verbale që bëhet ndaj tyre. Nga ana tjetër është dhe rezistenca ndaj shtetit ligjor. Askush nuk mund të thotë që ‘Ç’më duhen mua ligjet. Pse na duhen ne ligjet’? Garancia e vetme dhe më e madhe e jetës, e të drejtës, e pronës për qytetarin, për familjen, për komunitetin, për shoqërinë është dhe duhet të jetë vetëm ligji dhe askush tjetër. Asnjë individ nuk mund të zëvendësojë ligjin; nuk mund të zëvendësojë mekanizmat e shtetit ligjor. Ka ardhur dita që ne shqiptarët të luftojmë fort për të konsoliduar këtë mentalitet dhe këtë kulturë civile, emancipuese karshi modeleve banale, të vjetra të makutërisë dhe që nuk i lidh asgjë me civilizimin dhe përparimin që shqiptarët dhe kombi shqiptar do të arrijë me çdo kusht”.
I pyetur gjithashtu për “sulmet e fundit që janë bërë ndaj jush, ju i quajtët sulme prej rrugaçësh. Iu referoheni dhe fjalëve të djeshme të kryebashkiakut Erion Veliaj që tha për ju?”, Presidenti Nishani theksoi: “Kushdo individ që adreson sulme me fjalor rrugaçërie ndaj Presidentit të Republikës meriton vlerësimin që i takon. Presidenti i Republikës është kreu i shtetit shqiptar dhe çdo ofendim, çdo fyerje që i adresohet Presidentit të Republikës, i është adresuar çdo qytetari shqiptar”.
Ndërsa pyetjes nëse “do ta thërrisni kryebashkiakun Erion Veliaj në një takim për këtë çështje?”, Presidenti Nishani u përgjigj: “Së pari, kryetari i Bashkisë duhet të vijë të takojë këta djem dhe vajza këtu; duhet të bisedojë me qytetarët e Tiranës; duhet të respektojë standardet dhe normat e civilizimit e qytetarisë; duhet të respektojë dhe zbatojë ligjin. Zyra e Presidentit të Republikës është e hapur pa dyshim jo vetëm për kryetarin e Bashkisë, por dhe për çdo qytetar të thjeshtë të këtij vendi”.
Presidenti Nishani i uroi përzemërsisht një vajze të re aktiviste edhe ditëlindjen e saj të 19-të, duke e përgëzuar atë dhe shokët e shoqet e saj për vendosmërinë dhe përpjekjet e tyre paqësore e civile në mbrojtje të mjedisit dhe “mushkërive të gjelbra të Tiranës, si Parku i Liqenit Artificial”. Aktivistët, por edhe banorë të pranishëm të Tiranës, e vlerësuan pamasë vizitën dhe përkrahjen qytetare që kreu i shtetit iu dha lëvizjes dhe kauzës së tyre.